Strucët dhe problemi i veriut të Kosovës

Prishtinë | 27 Jan 2017 | 16:24 | Nga Avni Zogiani

Struci është një shpend që rrezikut i përgjigjet me futjen e kokës në rërë. Kjo është mënyra e tij për ta luftuar rrezikun. Mundohet sa të jetë e mundur të mos e shohë atë.

Diku nga viti 1999/2000, KFOR-i francez organizoi një vizitë të medieve në fshatin Cabër, një rrugë që disi anashkalon Mitrovicën veriore, e gjendet jo fort larg vendit ku qe mbytur një fëmijë në lumin Ibër në vitin 2004, gjë që shkaktoi protestat e çmendura të marsit dhe më vonë Raportin racist të Kai Aides, dhe në fund Pakon e Ahtisaarit.

Në këtë qoshe, përskaj një pylli, një fshat fort i vogël me shqiptarë, ishte rindërtuar nga KFOR dhe banorët shqiptar po ktheheshin.

Një oficer francez jepte një intervistë për mediet kosovare. Ai dëshironte fort që të mos flitej për atë që ndodhte në pjesën veriore të Mitrovicës dhe për urën mbi lumin Ibër. Oficeri francez i KFOR-it u bezdis fort kur e pyeta nëse ura mund të kalohej dhe informatave të mia se ajo urë nuk lejohej të kalohej ai si me nervozë i kundërvinte bindjen e tij se aty nuk ka asnjë problem.
Ai madje më ftoi që të shkoja me të dhe ta kalonim urën bashkë. Kjo urë u bë simboli i ndarjes së Mitrovicës tash e shtatëmbëdhjetë vjet.
Ndërkohë që një pjesë e madhe e gazetarëve për vite me radhë përqafonin këtë angazhimin e oficerit francez që të mos shifej as të mos flitej për këtë problem, Mitrovica ra në duar të forcave serbe të sigurisë, kurse në Prishtinë këta gazetarë dikur vonë filluan ta kuptojnë se Mitrovica mund të jetë ndarë pakthyeshëm dhe se KFOR nuk kishte për qëllim zhbërjen e strukturave të Serbisë atje.
Me psikologjinë e fëmiut, një pjesë e mirë e gazetarëve, jo domosdoshmërisht me qëllim të keq, mundoheshin të mos flisnin dhe mundësisht të mos lejonin tjerët të flisnin për gogolin, sepse pastaj nuk i zinte gjumi.
Frika para së gjithash rrjedh nga injoranca. Natyrisht ishte edhe ajo pjesa tjetër e gazetarëve, po edhe të shkruajtësve tjerë, që kishin një mision në këtë mes. Së pari kishin mision ta bindnin kosovarin, për aq kohë sa është e mundur, që problemi i Mitrovicës nuk ekziston. Kur kjo u bë e pamundshme, atyre iu ngarkua misioni tjetër, ai i shkaktimit të pashpresës se ne mund të bëjmë diçka.
Dhe në fund, misioni që përshkonte tërë këtë kohë ishte që të bindej kosovari se një ditë, të huajt do ta rregullojnë këtë problem, ose se ai do të rregullohej disi vetë, me një lloj mrekullie nga ato që ndodhin në filmat e Harry Potter.
Pra ishin dy grupe të opinionistëve që bënë kosovarin t’i zhbëhej tërësisht kapaciteti vet-anak të merrej me problemin e Mitrovicës dhe veriut përgjithësisht. Ata që nga injoranca kishin fort frikë dhe mundoheshin që ta shifnin si tabu këtë temë, si dhe ata që nuk ishin injorant, por që bartnin misionin e ruajtjes së status-quos rreth këtij problemi, ndërkohë që Serbia po vendoste praninë faktike të saj në këtë pjesë.
Sërish po këto dy grupe janë rikthyer, me qëllimin final që kosovarit t’ia humbin çfarëdo confidence me vetveten. Grupi i parë, i përdorur fort nga grupi i dytë, pra i manipuluar. Të merremi vesh, grupi i dytë, ata që me vetëdije manipulonin të parin, ishte më “i vlefshëm” dhe si të tillë, jo pak nga ta sot janë kthyer në milionerë duke qenë se ishin direkt të lidhur me pushtetin, i cili po ashtu kishte interesa në injorimin e problemit të Mitrovicës, ndërkohë që po iu binin fort tenderëve.
Ky konfigurim nuk ka ndryshuar fort as sot pas 17 viteve të status-quos në Kosovë. Tashti misioni është arritur, frika dhe mungesa e vetëbesimit është mbjell thell tek kosovari, madje mund të thuhet se është kaluar në një shkallë tërësisht tjetër, në indiferencën e opinionit publik si rezultat i varfërisë së shkaktuar nga korrupsioni i pushtetit dhe i gazetarëve mision-erë në problematikën e veriut të Kosovës.
Sot, grupi i dytë i gazetarëve e opinionistëve, ata pra që nuk ishin naivë, por kishin interesa direkte, e madje kishin edhe kompani në veri të Kosovës, nuk dëgjohen më. Ata duket ta kenë kryer misionin me vetë faktin se kanë kapur majat e pasurimit të tyre.
Në gjendje të pështirë, për të ardhur gjynah, qëndrojnë grupi i parë i gazetarëve, ata që me naivitetin e tyre i shërbyen të parit. Ata sot bërtasin fort që ne të vazhdojmë ta luajmë të verbërin.
Ka kohë që në revista të huaja të rëndësishme të politikës së jashtme trajtohet seriozisht mundësia e ndarjes së Kosovës dhe ri-vizatimit të kufijve në Ballkan. Ky problem pra shtrohet për herë e më shumë si opsion në mesin e qendrave të ndryshme botërore, ndërkohë që në Prishtinë kërkohet të vazhdohet që tërë kjo të injorohet.
Jo pak shkruajtës kohëve të fundit insistojnë që të mos kundërshtohet ndarja e Kosovës, duke kërkuar që të mos flitet fare për këtë problem. Ngjashëm si kur u nda Mitrovica, e kërkohej që ndarja të mos shihej, sepse Mitrovica ishte aty dhe nuk do bëhej një hendek fizik që do ndante Kosovën me Mitrovicën, argument që u përdor derisa u bë muri, sot të njëjtit thonë që të mos kundërshtohet, dhe më saktësisht, të mos flitet fare për temën që për herë e më shumë trajtohet në mediet e huaja.
Ky qëndrim, pra ky angazhim për tabu, ka sërish të njëjtin qëllim. Mbajtjen e kosovarit jashtë zhvillimeve që bëhen gjetkë, e që sillen si të gatshme, në mënyrë që pastaj nga të njëjtit të na thuhet se “ne jemi gjithmonë reaktivë” dhe se “tashmë është vonë dhe nuk kemi çfarë të bëjmë”.
Sërish shumë fëmijërore kjo psikologji. Unë përditë përballohem me këtë qasje me djalin tim, i cili shpesh ka dëshirë ta mos shkojë në orën e parë, sepse fort ia ka ënda gjumin e mëngjesit. Kur provon ta zgjosh nga gjumi, ai thotë, është herët dhe kërkon të vazhdojë të flejë. E kur ora ecën, ai thotë po flejë dhe ca se edhe ashtu ora e parë shkoi.
Angazhimi për të mos folur, dhe së këndejmi për të mos e kundërshtuar ndarjen e Kosovës, nuk ka asgjë të re në vetvete, por është qasja e njejt me vitet e pas-luftës kur neve na kërkohej të mos e shofim as mos e njohim problemin e Mitrovicës, sepse po folëm për të, ndarja do të legjitimohet. Pra, nga frika që të mos legjitimohej ndarja, dhe nga mungesa e vetëbesimit të gjeneruesve të opinionit publik, ndarja na u bë faktike dhe kur filluam të flisnim, u bë tepër vonë.
Kur bëhet vonë, të njëjtit, e kanë një ves tjetër. Ata kërkojnë fajtorin di-kund tjetër, dhe ideale do të ishte sikur ky faj t’i hidhej Tiranës, me argumentin se Shqipëria ka faj pse flet dhe pse nuk flet për Kosovën. Hip se të vrava, zbrit se të vrava, i thonë kësaj.
Unë nuk kam parë shtet pa ushtri. Keni parë ju? Sot kur ekziston një angazhim, qoftë edhe si presion, për themelimin e Ushtrisë së Kosovës, këta opinion-bërës, të dy grupet për të cilat fola më lart, çohen baraz me cinizëm dhe kërkojnë që ne të vazhdojmë atë që kemi bërë për tërë këtë kohë: pra të mos bëjmë asgjë.
Kështu, ata pretendojnë se janë kundër ndarjes së Kosovës, kurse atyre që duan të flasin kundër ndarjes, iu thuret një konspiracion. Me argumente fëmijërore ata i hedhen në qafë kujtdo që kërkon të shkëputet nga kjo qasje e derisotshme në lidhje me veriun e Kosovës, dhe thonë, se dikush po e nxitka di-kënd që të flas për këtë problem. Kush? “Dihet”, thonë ata.
E kam shkruajtur edhe herë tjetër një shkrim për psikologjinë e strucit. Struci është një shpend që rrezikut i përgjigjet me futjen e kokës në rërë. Kjo është mënyra e tij për ta luftuar rrezikun. Mundohet sa të jetë e mundur të mos e shohë atë.(Ndryshe.net)
Fjalë Kryesore:

Të ngjashme