Ta arsyetosh korrupsionin e kaluar me kritikën ndaj qeverisë së sotme

Prishtinë | 28 Mar 2022 | 10:51 | Nga Afrim Kasolli

Kryetari i PDK-së, në një konferencë për media, me rastin e 1 vjetorit të qeverisë aktuale, paska deklaruar se “e vlerëson faktin se deri sot, përkundër mos punës madhe, së paku ky ekzekutiv nuk ka pasur skandale që ndërlidhen me korrupsionin”. Mirëpo, sipas tij kjo nuk është e rastësishme, sepse “njerëzit që s’punojnë nuk munden me bo as gabime”.

Ky pohim i çuditshëm, i ka dy anë të medaljes. Pra, më shumë se sa kritikë ndaj qeverisë aktuale, kuptimi i fshehur i tij mund të lexohet, edhe si përpjekje për të justifikuar korrupsionin e qeverisjeve te kaluara. Sepse, është e vërtetë që nën drejtimin e tyre patën shpërthyer skandale të tilla, por ato paskan qenë rezultat i punës së madhe që e kanë bërë.

Pra, nga veprime të tilla nuk kanë përfituar vetëm individë të lidhur me pushtetin, por edhe shoqëria. Ky është çmimi i këtij përfitimi të dyanshëm. Prandaj, nëse sot s’po ndodhin akte të tillë, nuk është që është ndonjë arritje e madhe, sepse po ashtu po ndëshkohet edhe shoqëria. Për mos gabimet e ekzekutivit aktual, vendi po e paguan çmimin e stagnimit shoqëror.

Unë nuk e di me siguri të plotë a është kështu. Sepse, koha do ta tregojë a qeverisi pushteti aktual me duar të pastra, apo i kishte shumë të sofistikuara mënyrat e maskimit? Por, nëse është kështu, si ka pohuar kryetari i PDK-së, atëherë ky fakt, nuk guxon të relativizohet. Madje, shprehur me një gjuhë hegeliane, shënon njërin nga kapërcimet më të rëndësishme cilësore në konsolidimin e vetëdijes politike shtetërorë.

Me këtë zhvillim marrin fund njëherë e përgjithmonë ato skema mendore politike, që tradicionalisht në shoqërinë tonë i kanë mbajtur të përçara raportet ndërmjet konceptit dhe realitetit. Sepse, edhe në të kaluarën të gjitha qeveritë e mëparshme e kanë përdorur retorikën e anti-korrupsionit. Por, fakti se ai lulëzonte në realitet, përkundër kësaj gjuhe, tregon se ajo ishte përdorur, për ta projektuar një botë ideale më qëllim që t’i maskonte abuzimet reale.

Pra, deri sa në aspektin propagandistik korrupsioni luftohej në realitetit tolerohej. Dhe këto modele mendore s’janë të reja. Ato madje ishin një lloj inkarnimi i “logjikës së dy mendimit” që datojnë që nga epoka e komunizmit, por se tani duke marr terma dhe referenca tjera.

Siç dihet, edhe atëbotë pushteti operonte me një gjuhë ideale, e propagandonte çlirimin absolut të njeriut, shuarjen e klasave, barazinë e plotë, mirëpo pikërisht me veprimet e tij, e inkurajonte shtypjen brutale dhe e instalonte “klasën e re”. Dhe kjo strategji ishte e mirë menduar. Si pjesë e planeve për sundim. Sepse nëpërmjet kësaj bote duale, shtyhej në pafundësi ajo për të cilën pushteti zotohej teoritikisht se e aspironte, e që praktikisht e mohonte.

Çarje të tilla sa herë që ndodhin shndërrohen në burim të tjetërsimit të shumëfishtë shoqëror dhe politik . Ngjashëm ndodh edhe me korrupsionin, nëse ai luftohet me retorikë, por punën e institucioneve publike e shoqërojnë skandale të tilla pa pushim.

E nëse përfundon kjo botë duale, atëherë merr fund edhe ajo vetëdije politike që e justifikon atë. Kthim mbrapa nuk mund të ketë.

Kështu, nëse partitë politike, synojnë që t’i përshtaten këtij zhvillimi, mbetet detyrë e tyre imperative, që tash e tutje sa herë që flasin kundër dukurive të tilla, këtë duhet ta bëjnë sa më pak ata persona në kohën e të cilëve kishin ndodhur abuzime të tilla.

Nëse nuk mund ta plotësojnë këtë kriter, atëherë kritika e tyre nuk do ta kishte kuptimin e alternativës ndaj qeverisë, por të synimeve retrograde, për t’i rikthyer edhe një herë në pushtet fantazmat e së kaluarës. E kjo është dhurata më e mirë që mund t’i behet Albin Kutit në këtë këto rrethana. Sepse, imazhi i oponentëve të tij do të ishte ai i grupeve të dëshpëruara politike, që nuk kanë tjetër qëllim pos si të rikthehen edhe një herë në lartësitë e Olimpit politik, për t’i vazhduar ato praktika.

Me këtë rast, opozita do të shihet, si diçka që jeton në ëndrrat dhe nostalgjinë për të kaluarën, por që nuk ofron asnjë shpresë për të ardhmen.

Të ngjashme