Ta mbrosh krimin e përbashkët

Prishtinë | 27 Jan 2022 | 11:33 | Nga Afrim Kasolli

Gjatë Luftës së Dytë Botërore, në kohën e dominimit totalitar të Stalinit në Rusi, dikund në humbëtirat e Siberisë, në kampet e përqendrimit të regjimit sovjetik, daton një bisedë e interesante ndërmjet poetit të njohur polak Alexander Wat dhe historianit dhe bolshevikut të vjetër I.M. Stetlov. Të dy këta ishin të internuar në “laboratorët e botës totalitare”. Në bisedë e sipër, Wat e pyet Stetlov-in se si ishte e mundur që të gjithë ata që ju nënshtruan spastrimeve të diktatorit sovjetik përfunduan kështu dhe nuk mund ta frenonin atë. Stetlov përgjigjet shkurt “sepse edhe ne paraprakisht i kishim duart e lyera me gjak deri në bërryl”.

Kjo përgjigje tejet lakonike, mbase më mirë se asgjë tjetër, tregon për njërën nga metodat më brutale që ndërtuesi i “ferrit tokësor” nën e emrin e parajsës komuniste e kishte përdorur për ta konsoliduar pushtetin e tij absolut. Dhe ta shndërroi vetën në qendrën e inkuizicionit modern për armiqtë e historisë.

Fillimisht veprimtaria e përbashkët në krim. Tolerimi dhe inkurajimi bashkëpunëtoreve të tij për t’u zhytur në këtë vorbull. Dhe në këtë mënyrë të dobësohej dhe vyshkej çdo rezistencë e mundshme morale, politike dhe njerëzore ndaj tentakulave të tij. Pra, deri sa vetë vartësit e tij të binin pa pikë fuqie të plandosur para thundrës së shpëtimtarit të tyre. Dhe qëllimi i kësaj kaste pas “mëkatit fillestar” s’do të ishte si ta frenonin magmën gllabëruese të perversitetit, por si ta shpëtonin vetën duke e mbrojtur krimin e përbashkët.

Situata të tilla bizare mbase në mënyrë të saktë i ka deshifruar shkrimtari ynë i madh Ismail Kadare nëpërmjet një sentence antologjike në romanin e tij “Pallati i ëndërrave” ku pohon se “Të ndash pushtetin më dikë do të thotë në radhë të parë të ndash krimet”.

Jo pak liderë gjatë historisë janë tunduar nga kjo metodë e Stalinit për ta fuqizuar pushtetin e tyre. Duke e kompromentuar grigjën e tyre të ngushtë në mënyrë që më pastaj ta kenë më të lehtë ta dominojnë nëpërmjet shantazhit, kërcënimit dhe dekonspirimit. Raste të tilla janë të panumërta. Realisht kjo logjikë në formë të zbutur dhe të sofistikuar ka vazhduar të përdoret deri në ditët e sotme. Kuptohet, jo në trajtën brutale të Stalinit. Por, më anë të metodave të krimit ekonomik, korrupsionit dhe instrumenteve tjera të kësaj natyre. Lista e kësaj strategjie do të ishte gjatë dhe e pafundme. Thelbi i së cilës është shantazhi si mjet i kontrollit politik.

Mjerisht, as Kosova nuk ka qenë imune nga këto metoda. Le ta marrim vetëm shembullin e privatizimit. Është shndërruar në “tabu” politike dhe juridike hapje çdo letre për këtë proces tejet kontestues dhe kotnraverez. Është krijuar thuajse një “konsensus” politik që të mbyllet kjo temë. Askush nuk preferon ta marr bajrakun e rihapjes së kësaj kauze. Të gjithë i shmangen asaj.

Duke marr parasysh këtë situate paradoksale, vetvetiu mund të lindin dyshime se a mos vallë ky proces është shndërruar në një rrjetë që i mban të përbashkuar individë nga të gjitha partitë politike? Duke e mbrojtur heshtjen për të, në mënyrë të pashmangshme ata mbrojnë njëri-tjetrin dhe vetveten? Dhe kështu të vazhdohet me spektaklin banal të jetës politike; opozitë dhe pozitë. Por kurrë pa e adresuar njërën nga çështjet më urgjente dhe më imediate të kësaj shoqërie. Të vërtetën e plotë të “mrekullisë” ekonomike në Kosovën e pasluftës.

Në këtë linjë deri më tani, shihet qartë të mos ketë qenë vetëm ish-kryetari i PDK-së, Kadri Veseli. Sepse, sa ishte këtu ai pat kërkuar më ngulm hapjen e hetimeve për këtë proces. Por, me shkuarjen e tij për në Hagë, për shkak të një detyre historike që iu imponua, atëherë mos zbardhja e këtij procesi me implikime të shumëfishta, si duket u shndërrua në qëllim të vetëm të mbijetesës politike. Mbase e vërteta një ditë do të dal në shesh. Se kush ishte i implikuar në këtë ndërmarrje? Si dhe kush u “pasurua” dhe shpëtojë edhe nga heshtja?

Të ngjashme