Ta ruajmë identitetin kombëtar shqiptar

Prishtinë | 11 Gus 2022 | 16:46 | Nga Agron Hoti

Prejardhja e judaizmit, krishterimit dhe islamit

“Tri fetë e mëdha të Perëndimit, Judaizmi, Krishterimi dhe Islami, të gjitha evoluuan në mjedisin e thatë të Lindjes së Mesme” (Ostergren, R. dhe Le Bosse, M. 2011). Pra, të tria fetë monoteiste janë orientale. Do të duheshin ndoshta miliona, miliarda apo në pafundësi vite për një prift apo pop për ta bindur një imam se zoti është i krishter, apo për një hoxhë për ta bindur një prift apo pop se zoti është musliman. Ndërkohë që një rabin – judaizmi i të cilit është shumë më i vjetër se krishterimi dhe islami – s’do të mund t’i bindte kurrë as priftin/popin e as imamin se zoti është judaist. Dhe nëse është kështu, si paska atëherë mundësi që brenda një hapësirë gjeografike si Lindja e Mesme të ketë tre zotëra, tre krijues që krijuan çdo gjë duke filluar nga kozmosi jonë e deri te kozmosët tjerë të gjithësisë, të cilëve s’iu dihet fundi? Pyetja që me të drejtë shtrohet është kjo: a ka një zot, tre apo më shumë? Përgjigje të arsyeshme askush s’ka mundur të japë deri më sot, e as që do të mund të japë dikush në të ardhmen sado e largët që do të mund të jetë ajo. Megjithatë, realiteti është se kemi tri fe monoteiste, të cilat kanë shtrirje të gjerë në Evropë dhe tërë globin.

Nuk është kurrfarë sekreti të thuhet se krishterimi dhe islami u përhapën në glob përmes pushtimeve të romakëve/bizantinëve dhe arabëve/osmanëve. Sepse po të ishin përhapur fetë me urtësi, atëherë feja e Evropës do të duhej të ishte shqiptaria, sepse shqiptarët nuk pushtuan askë në Evropë. Nuk është po ashtu kurrfarë sekreti të thuhet se ashtu sikurse Evropa edhe shqiptarët s’ishin as të krishterë e as muslimanë, por u bënë të tillë. Pavarësisht që fetë monoteiste kishin ndihmuar në organizimin e jetës shoqërore, ishte zhvillimi dhe prosperiteti ato që po i mungonin njerëzimit. Nëse në mesjetë për vdekje masive nga virusë të ndryshëm njerëzit të vetmen shpresë shpëtimi i kishin objektet e kultit ku luteshin në to, me përhapjen e shkencës dhe arsimit njerëzit iu drejtoheshin spitaleve për shërim, ashtu siç vazhdojnë të bëjnë edhe sot.

Prandaj, Evropa fillimin e lulëzimit të zhvillimit të saj e arriti pikërisht kur feja u nda nga shteti, pra kur në Evropë gjatë shekullit 17-të dhe kryesisht gjatë atij 18-të filloi të dominojë “Epoka e Arsyes” kur politika, filozofia, shkenca dhe komunikimet përjetuan riorientim radikal duke i mundësuar kështu Evropës dhe tërë qytetërimit perëndimor të bëhen qendër globale e zhvillimit dhe prosperitetit deri me sot. Ishte më pas industrializmi dhe nacionalizmi që i dhanë hov zhvillimit të Evropës si në formimin e shteteve-kombe ashtu edhe në zhvillimin dhe konsolidimin e kombeve. Vazhdimësia etnike shqiptare si kundërpërgjigje ndaj pushtimeve Duke qenë pandërprerë të pushtuar, shqiptarët e kishin ruajtur kohezionin e tyre vetëm përmes përkatësisë etnike, kulturore dhe gjuhësore, mbi bazën e të cilave kishte lindur edhe nacionalizmi shqiptar i rilindasve. E mbi bazën e nacionalizmit të rilindasve lindën më vonë dy shtete të kombit shqiptar. Po ta kishin bazuar shqiptarët nacionalizmin e tyre në katolicizëm, ortodoksizëm dhe muslimanizëm, atëherë veç shqiptarë s’do të mund të ishin, ashtu siç s’do të mund të ishim as Shtetet Evropiane dhe të Ballkanit e kishin një fe dhe nuk e kishin problem ta përforconin nacionalizmin me fenë për t’i dhënë kështu shtysë formimit të shteteve-kombe. Kurse shqiptarët – duke qenë trekonfesionalë – nacionalizmin e tyre nuk kishin mundësi ta forconin me tri fe, prandaj ishte kultura, gjuha dhe etnia ajo që përbënte dhe përbën edhe sot bërthamën e kombit shqiptar. Si ta ruajmë qenien kombëtare?

Secili prej nesh në familje, në shoqëri, në shkollë e universitete, në media e çdokund e kemi për obligim tua tregojmë fëmijëve dhe pasardhësve tanë që shqiptarët nuk ishin as judaistë, as të krishterë e as muslimanë. Të krishterë dhe muslimanë na bënë pushtuesit romakë, bizantinë, osmanë dhe sllavo-grekët së fundmi. Pushtuesit gjithmonë çdokund kanë lënë gjurmë ashtu siç kanë lënë edhe te ne.

Na bënë trekonfesionalë vetëm e vetëm për të na e përvetësuar historinë dhe për të na përçarë sa herë që u duhet për qëllime politike. Pavarësisht se si erdhën tri fetë te ne, krishterizmin na e kontrollon dhe orienton edhe sot Vatikani, ortodoksizmin na e kontrollojnë dhe orientojnë edhe sot sllavo-grekët dhe muslimanizmin na e kontrollojnë dhe orientojnë edhe sot Vendet Arabe në konkurrencë me Turqinë. Ideja e të tria konfesioneve është që hapësirat shqiptare të paraqiten pa të kaluar historike. Po të na duanin të mirën Vatikani, Beogradi/Moska/Athina, apo Meka/Stambolli, do të investonin në zhvillim, arsim dhe mirëqenie sociale. Por jo, romakët na zhdukën gjurmë historike, osmanët nuk lejuan shkolla shqipe gjatë kohës së pushtimit mbi pesëqind vjeçar të hapësirave shqiptare dhe sllavo-grekët na përvetësuan tërë trashëgiminë ortodokse shqiptare. E kemi përjetuar më së fundi edhe kur Serbia na i pati mbyllur shkollat e universitetet e jo medresenë, xhamitë apo kishat. Edhe ato shkolla që u hapën gjatë sistemit pushtues jugosllav u fituan me gjak, jo që deshi Serbia t’i hapte. Sepse Serbia e dinte që ishte shkolla shqipe ajo që e rrezikonte e jo feja dhe në fakt ashtu edhe doli, shqiptarët sapo u shkolluan u çliruan nga Serbia.

Prandaj, lutjet dhe ritet fetare do të mund t’i bëjmë edhe nëpër shtëpi tona, kurse arsimin, shkencën dhe zhvillimin nuk mund ta bëjmë nëpër shtëpi. Zënia e qindra hektarëve që pas rënies së komunizmit në ndërtimin e kishave katolike e ortodokse dhe xhamive gjersa vazhdojmë të jemi populli më i varfër në Evropë, tregon më së miri për qëllimin e fetarizimit në kurriz të dearsimimit të përditshmërisë shqiptare.

Sigurisht që numri i xhamive të ndërtuara është eksponencialisht më i madh se i kishave. Dhe nëse ne pranojmë kode jetese, veshjeje e rezonimi nga përditshmëria fetare e orientit, atëherë e humbim origjinalitetin e të qenit populli ndër më të vjetrit në Evropë. E kur një popull e humb origjinalitetin, pashmangshëm që shkon drejt shkombëtarizimit.

Pse ne duhet t’i detyrojmë vajzat e motrat tona të mbajnë shami nëpër shkolla? Pse ky kod veshjeje nga Lindja e Mesme? Pse t’i shkelim të drejtat e njeriut që na i garanton kushtetuta jonë laike? Pse vendet e orientit s’po na sjellin investime në vend të shamive? Pse ne duhet të solidarizohemi me kode veshjesh në emër të disa vëllazërirave imagjinare fetare kur bota kurrë s’ka njohur vëllazërira fetare. Luftëra të tmerrshme janë bërë mes vetë katolikëve, ortodoksëve apo muslimanëve ashtu siç janë bërë mes tri konfesioneve. Luftëra të tilla vazhdojnë edhe sot ashtu siç vazhdon edhe përpjepkja për primat p.sh. në botën islame mes Turqisë, Arabisë Saudite, Egjiptit dhe Iranit.

Si do të ndjehen në shkolla tona vajzat shqiptare të besimit katolik e ortodoks, kur t’i shohin shoqet e tyre të besimit islam të mbuluara me shami si hapi i parë e më pas ndoshta edhe me ferexhe? Çfarë t’u themi shqiptarëve të besimit ortodoks dhe katolik që ritet fetare i kryejnë brenda objekteve të kultit, kurse shqiptarët e besimit islam kanë filluar të dalin shesheve? Nëse qenka kështu, a të dalim të gjithë në hapësira publike të hapura duke filluar nga shkollat, universitetet, fabrikat e të gjithë? Nuk u guxojmë ta lartësojmë njërën fe në kurriz të tjetrës, sepse shkombëtarizimin s’ka kush që e ndal.

Pavarësisht se si na u injektuan tri fetë orientale, ne e kemi për obligim ta ruajmë laicitetin si shtet, ashtu siç e kemi obligim që këtë trekonfesionalizëm që e kemi ta ruajmë si vlerë që s’e ka asnjë popull në Evropë. Ruajtja dhe mirëmbajtja e këtij trekonfesionalizmi bëhet vetëm kur mbjellim harmoni, tolerancë e akceptancë fetare në të gjitha hapësirat shqiptare e jo duke nxitur përçarje.

Në vend të parë kemi kombin shqiptar që bazën e ka në përkatësinë shqiptare, kulturën dhe gjuhën shqipe. Sapo që fenë (pavarësisht cilës) e ngrisim para kombit, atëherë prishim kohezionin kombëtar dhe rrëshqasim andej kah na dëshirojnë ata që s’na e duan të mirën. Prandaj, ta ruajmë origjinalitetin tonë si populli ndër më të vjetrit në Evropë, ta promovojmë harmoninë ndërfetare si vlerë që s’e ka askush në Evropë dhe ta vazhdojmë konsolidimin e mëtejmë të kombit shqiptar drejt prosperitetit dhe zhvillimit. A.H.

Të ngjashme