Taksë progresive për të pasurit – jo, shtrenjtim të rrymës për shtresën e mesme!

Prishtinë | 18 Jan 2022 | 20:11 | Nga Valon Murati

Ky shtrenjtimi i energjisë elektrike për një pjesë të popullsisë (që shpenzon më shumë se 600KWh) po i përngjan instrumentit të taksës progresive: ata që fitojnë më shumë kanë tatime më të larta.

Veç në rastin e fundit, jashtë debatit ideologjik dhe ndikimit në zhvillimin ekonomik e shpërndarjen më të barabartë të fitimit, për një gjë të gjithë pajtohen, ata që tatohen me tatimin progresiv vërtet janë më të pasur.

Në rastin tonë, kjo nuk është e vërtetë, sepse ata që harxhojnë më shumë se 600 KWh, nuk e bëjnë këtë ngaqë janë më të pasur dhe rrjedhimisht harxhojnë energji elektrike se bëjnë jetë luksi, por ngase shumica e tyre, që i takojnë kryesisht shtresës së mesme (të brishtë në kontekstin kosovar), nuk kanë mundësi tjetër (ta zëmë nuk e kanë pasur fatin në Prishtinë të kyçen në sistemin e ngrohjes qendrore ende).

Dhe nëse vërtet ka qenë e domosdoshme ngritja e çmimit të energjisë elektrike në planin afatshkurtër për shkak të mungesës së saj në tregun botëror, shpërndarja e kësaj barre në më shumë qytetarë por edhe biznese ka qenë më e drejtë. Por si duket qeveria e ka zgjedhur rrugën më të lehtë (gjithmonë duke e vështruar edhe këtë problematikë me një sy elektoral) dhe të ngarkojë më shumë një pjesë të popullsisë (deri në 30%) e jo të gjithë duke llogaritur në një reagim më të vogël në këtë rast.

Por kjo jo vetëm që nuk është një politikë e drejtë (e as e majtë), por një diskriminim i hapur i një shtrese që qeveria llogaritë se edhe reagimin mund ta ketë më të dobët.

Të ngjashme