Taktizimi i Albin Kurtit, sakrifikoi publikisht tri figura të partisë

Prishtinë | 08 Jan 2020 | 21:47 | Nga Meliza Haradinaj-Stublla

Nëse Albini paska pranuar të heq dorë nga emërimi i zvKM i dytë dhe njërën nga Ministritë (atë të Jashtme ose atë të Ekonomisë), shihet qartë që video mesazhi me emrat ‘e rrejshëm’ të kabinetit qeveritar paska qenë taktizim i dobët negociimi.

Për të legjitimuar tek LDK-ja Glauk Konjufcën si Kryeparlamentar, dhe për të fituar në hapa me LDK-në, Albini sakrifikoi publikisht e politikisht Haki Abazin, Blerim Rekën, dhe Rozeta Hajdarin. Dëshmoi që figurat politike rreth tij përdoren vetëm si një gur në shkallën e tij drejt pushtetit.

Albinit ia paska marrë mendja se me nominimin në Facebook, e pastaj me heqjen dorë në negociata në këto 3 poste, publikut e LDK-së do t’i dukej se VV ka lëshuar pe, dhe kësisoji i takon me të vërtetë pozita e Kryeparlamentarit 😁.

Lideri ‘suprem’ i VV-së duhet ta dijë që koalicioni bëhet në mirëbesim të ndërsjellë e tolerancë. Në të kundërtën, e tërë bashkëqeverisja do jetë luftë e pashpirtë për dominim e nënshtrim, duke sakrifikuar kualitetin e qeverisjes. Ai duhet ta dijë që ekskluziviteti nuk ka vend në pluralizëm!

Uroj që nesër LDK të arrijë të merr nga kthetrat e Albinit atë që meriton, pa nënshtrim e ofendim, dhe as më pak e as më shumë se atë që qytetarët ia kanë dhënë secilës parti me votë, dhe t’i formojnë institucionet sa më parë, duke ruajtur ndarjen e pushteteve.

Kosova ka nevojë urgjente për qeveri dhe opozitë të mirëfilltë, pa vonesa e pa skena fëmijërore politike.

Të ngjashme