Të jesh fit në kulturën e konsumit

Prishtinë | 10 Maj 2022 | 14:42 | Nga Afrim Kasolli

Reagime të shumta kanë shpërthyer këto ditë, lidhur më “spekulimet” e një operacioni të natyrës estetike, që thuhet se paska pasur presidentja Osmani në shtetin e Turqisë, me qëllim të humbjes se peshës.

Këto reagime, ose e sulmojnë presidenten, ose e mbrojnë. Të parët kërkojnë llogari mos janë shkelur proceduarat, gjatë kohës sa ishte kryer ky operacion, pasi ajo nuk i kishte transferuar kompetencat kushtetuese dhe shtetërore, te kryeparlamentari Konjufca, ashtu siç e parasheh rendi ynë ligjor. Kurse kampi i dytë kërkon që të mbyllet kjo temë dhe të ruhet e drejta private e të parës së shtetit.

Varësisht nga pozicioni politik sajohen edhe argumentet. Kërkohet llogari për standardet e dyfishta morale që sot përfaqëson pushteti. Pse ajo e mbajti të fshehur këtë intervenim nga publiku? Dhe se a nuk janë të njëjtit njerëz, që sot janë në pushtet, por që dikur i sulmonin me një patos revolucionar, ish-oponentët e tyre politikë, pse kishin kërkuar tretman mjekësor jashtë shtetit. Është e drejtë e çdo kujt të përfshihet në këtë debat.

Por personalisht, jam i prirur ta shohë pak më ndryshe këtë ngjarje. Më shumë se sa me natyrën procedurale, më intrigojnë motivet që e kanë nxitur presidenten për këtë veprim. Ndonëse, kuptohet në këtë drejtim mund të vetëm të spekulojë, sepse për aq kohë sa presidentja nuk i bënë publike ato, nuk kemi mundësi ta dimë të vërtetën e plotë të kësaj teme.

Pra, a u detyrua ajo t’i nënshtrohej këtij operacioni për shkaqe shëndetësore, apo vetëm nga nevoja brendshme e saj për të qenë sa më në formë në sytë e publikut.

Dhe nëse është e dyta, përsëri presidentja ka të drejtë të bëjë një gjë të tillë, askush nuk mund t’i tregojë asaj për investimet që ajo dëshiron t’i bëjë në trupin e saj, për aq kohë sa ato janë brenda normave ligjore. Megjithatë si fenomen, ky rast na tregon për peshën që sot ushtrojnë “idealet” e kulturës së fitensit mbi individët e shoqërive tona. E ku presidentja thjesht ka vendosur që t’i përshtatet këtyre standardeve estetike me një procedurë pak sa më të përshpejtuar.

Shtytje të tilla, sipas sociologut të njohur Zygmunt Bauman, në librin e tij “Moderniteti i Lëngët”, i formojnë sjelljet dhe prirjet e shoqërive të konsumit. Kjo e fundit “tund përpara anëtarëve të saj idealin e “fitness-it”. Kurse, nevoja për t’iu përshtatur këtyre rregullave të reja është bërë imperativ i kohës.

Madje, sipas këtij teoricieni, shpeshherë, “shëndeti dhe të qenit në formë merren si të barasvlershëm dhe përdoren si sinonime; në fund të fundit, të dy i referohen kujdesit për trupin, gjendjes që dikush dëshiron të mbërrihet prej trupit të vet dhe regjimit që pronari i trupit duhet të ndjekë me qëllim që të përmbushë atë dëshirë”. Mirëpo, për Z. Bauman-in është gabim që këto dy terma të përcaktohen si sinonime, jo vetëm sepse se të gjitha format e të qenit në formë mund të jenë të dobishme për shëndetin, dhe po ashtu jo domsdoshmërisht dikush që gëzon shëndet e bënë atë të jetë edhe në formë. Pra, “shëndeti dhe forma u përkasin dy diskurseve fare të ndryshme dhe adresojnë shqetësime krejtësisht të ndryshme”

Duke marrë parasysh këtë diferencim, atëherë është me interes të dihet se cilat shqetësime ishin primare për presidenten Osamani. Dhe kështu të kemi mundësi ta kuptojmë se a tundua ajo nga nevoja për ta përfituar “peshën e lehtë të qenies”, si pasojë e presioneve që po ushtron rendi ynë për të qenë patjetër në formë. Po e përsërisë edhe nëse janë këto motive ajo nuk duhet stanizuar “per se”, që ka vendosur të jetojë në përputhje me prirjet e shoqërive të “modernitetit të lëngët”. E t’u përshtatet kritereve të kësaj bote si dhe të përkujdeset për vetën

Në fund të fundit “Brenga për veten” siç thotë filozofi i njohur francez Michel Foucalt në librin e tij “The Hermeneutics of the Subject” qëndron në thelb të parimit të njohur filozofik sokratik “Njihe vetveten”, Ky parim që greket e quanin “epimeleia hauton” kurse latinët “cura sui” kishte edhe implikime politike. Ajo lidhej me nevojën për përkujdesjen shpirtërore që duhej të demonstronin individit e lirë të këtyre shoqërive. Ndërkaq, si pasojë e kësaj mendësie, shpëtimi i shpirtit, dhe “çlirimi” i mendjes nga presionet e trupit, e pat formuar thelbin e traditave religjioze dhe filozofike perëndimore.

Mirëpo, bjerrja e këtyre idealeve metafizike si dhe rendi “post-filozofik” bashkëkohor ka arritur që t’i përmbysë këto kritere tradicionale. Vendin e dikurshëm të përkujdesjes për shpirtin e ka zëvendësuar përkujdesja për trupin, si esenca e brengës për vetën.

Prandaj, edhe sot jemi dëshmitar të një shpërthimi të jashtëzakonshëm të kirurgjisë estetike(ndonëse jo vetëm për këtë arsye) e gjithë atyre salloneve që ofrojnë tretman për ta përmirësuar aparencën tonë. Dhe ekziston mundësia që presidentja të jetë joshur pikërisht nga “fryma e kohës” “post-filozofike” ku po jetojmë.

E ky sindrom i ka pushtuar sot shumë personalitete VIP, të jetës politike, kulturore dhe ekonomike.

Të ngjashme