Testi i madh evropian

Prishtinë | 13 Tet 2019 | 09:57 | Nga Demush Shasha

Java e ardhshme do jetë shumë e rëndësishme për Shqipërinë dhe Maqedoninë e Veriut. Të dyja vendet presin nisjen e negociatave të anëtarësimit në BE.

Të dyja vendet kanë plotësuar kriteret e kërkuara. Maqedonia e Veriut zgjidhi mosmarrëveshjen 30-vjeçare me Greqinë, ndërsa Shqipëria filloi reformën në drejtësi. Rrjedhimisht, në të dyja vendet ekziston pritja legjitime për nisjen e negociatave.

Sidoqoftë, në vazhdimësi, dhe në veçanti kohëve të fundit, kemi qenë dëshmitarë të skepticizmit të disa vendeve të BE-së për të dhënë pëlqimin për nisjen e negociatave. Franca dhe Holanda udhëheqin këtë bllok shtetesh skeptike brenda BE-së. Këto janë pak a shumë të njëjtat vende të cilat ndajnë skepticizëm sa i përket liberalizimit të vizave për Kosovën.

Argumentet e vendeve skeptike të BE-së ndahen në dy kategori: (1) Nuk ka të bëjë më juve, ka të bëjë me neve. Ne si BE nuk jemi gati për të vazhduar procesin e zgjerimit. Kemi telashe të brendshme. Njëherë duhet të konsolidohemi brenda nesh. (2) Jemi të brengosur për paqëndrueshmërinë e reformave. Reformat po ndodhin, por njëkohësisht po befasohemi me skandale të vazhdueshme që po ndodhin. Po shohim akte të veçanta të reformave eksponenciale, por nuk po shohim frymë progresive lineare për demokracitë vërtet liberale që përqafojnë vlerat evropiane. Brenda javës shohim reformë në drejtësi, dhe frymën “Mos e rruj K…”. Jemi dëshmitarë të zgjidhjes paqësore të problemeve 30-vjeçare, por edhe të kërkesave për ndryshim kufijsh. Prandaj, nuk jemi të bindur se e keni njëmend Evropën.

Argumentet e vendeve të Ballkanit gjithashtu ndahen në dy kategori: (1) E kuptojmë që keni telashe brenda BE-së, por kuptojeni se nisja e negociatave është thjesht një hap i vogël në kuadër të një procesi që do zgjasë me vite, nëse jo me dekada. Thjesht po kërkojmë një stimul për reformat që po bëjmë. Kjo është në fakt edhe esenca e procesit integrues. (2) Natyrisht që nuk jemi idealë. Po bëjmë gabime. Por po përpiqemi. Këtë nuk mund ta mohoni. Keni vendosur kriteret, dhe i kemi plotësuar. Topi është tek ju. Kredibiliteti i BE-së po vihet në pikëpyetje.

Në këtë mes, në rast të një vendimi negativ për nisjen e negociatave, këto ditë do të jemi dëshmitarë të klithmave të cilat do e shpallin BE-në të dështuar dhe pa asnjë pikë kredibiliteti. Njëkohësisht, të zëshëm do të jenë edhe ata të cilat do ta shpallin Tiranën dhe Shkupin të dështuar dhe do të kërkojnë kryqëzime politike.

Por, konsideroj se, sikur shpesh në jetë, e vërteta është diku në mesin e këtyre dy argumenteve. Ose, thënë më mirë, një përzierje e këtyre dy argumenteve. E komplikuar.

BE-ja po kalon nëpër një periudhë të paprecedent të evoluimit të saj. Vlerat mbi të cilat është ndërtuar ajo janë sfiduar në dekadën e fundit, dhe vazhdojnë të sfidohen, në mënyrë te paprecedentë, me krizën financiare, nacionalizmin, BREXIT-in, migrimin, lajmet e rreme, rritjen e së djathtës ekstreme, ndryshimet klimatike, etj. Në ketë mes, BE-ja po përpiqet të evoluojë në një entitet edhe më të konsoliduar. Çfarë nuk të shkatërron, të bën më të fortë.

Nga ana tjetër, reformat e ndërmarra në Maqedoninë e Veriut dhe në Shqipëri janë më të vërtet historike dhe meritojnë vlerësim më të lartë. Është fatkeqësi që Serbisë dhe Malit të Zi nuk u janë vendosur kritere kaq të ashpra përgjatë procesit integrues. Këtë nuk e them për punë inati, por sepse do t’u kishte bërë mirë të dy vendeve respektive, por edhe tërë Ballkanit.

Sidoqoftë, ajo çfarë do të vendosë BE-ja javën tjetër për Shqipërinë dhe Maqedoninë e Veriut e kemi të pamundur të dimë. Por, ajo çfarë do jetë me rëndësi është se çfarë do të vendosin të bëjnë këto dy vende si reagim ndaj refuzimit eventual për hapjen e negociatave.

Në këtë drejtim, konsideroj se Shqipëria dhe Maqedonia e Veriut duhet të shndërrojnë një vendim negativ në mundësi ideale për të bindur vendet e BE-së se besojnë në projektin Evropian edhe kur BE-ja e sfidon këtë besim. Në fakt, besimi në vlerat e caktuara deshmohet ne rrethana të vështira. Prandaj, është me rëndësi që Shqipëria, pa marrë parasysh vendimin e BE-së, të dëshmojë se me të vërtet beson në reformën në drejtësi sepse është e rëndësishme për Tiranën dhe Korçën, jo për Brukselin dhe Berlinin. Arritja e Marrëveshjes së Prespës ka qenë e rëndësishme për qytetarët e Shkupit dhe Ohrit, jo për ata të Parisit e Madridit.

Vetëm kështu Shqipëria dhe Maqedonia e Veriut do të bindin vendet anëtare të BE-së se e kanë përnjëmend Evropën dhe demokracinë. Me fjalë të tjera, e shohin Evropën si bindje, jo si kalkulim.

Të ngjashme