Thaçi: Muri ndarës që bashkon “ata” dhe “ne”

Prishtinë | 09 Dhj 2016 | 16:36 | Nga Jusuf Thaçi

Le ta kenë të qartë pasardhësit tanë se ata për të cilët ne ndjejmë përçmim, neveri e urrejtje jemi vetë ne, secili prej nesh, me shpresë se pasardhësit tanë do të vendosin të mos jenë as “ata” e as “ne”, por vetja e tyre e re
Të gjithë ne mësojmë histori kombëtare gjatë shkollimit tonë. Ndjejmë përçmim, neveri e urrejtje për të gjitha ato figura historike që kanë dëmtuar interesat tona kombëtare, që kanë tradhtuar kombin, që kanë falur ose shitur territore tona të tjerëve. Habitemi se si paraardhësit tanë kanë lejuar që tokat tona të ndahen, të tkurren, të cungohen nga të tjerët. Flasim për trimëritë tona e akuzojmë të tjerët për copëtimin tonë, ndërsa asnjëherë nuk akuzojmë veten për heshtjen e nënshtrimin tonë.

Po harrojmë se para se të merremi me historinë duhet të merremi me aktualitetin tonë. Që me përfundimin e luftës në Kosovë, Kosovës praktikisht iu nda pjesa veriore. Pothuajse të gjithë shqiptarët në veri të Kosovës u dëbuan dhunshëm nga shtëpitë e pronat e tyre, përkatësisht pati spastrim etnik të shqiptarëve atje. Që prej atëherë veriu i Kosovës është pushtuar dhe qeveriset dhunshëm nga serbët dhe Serbia. Para disa muajsh filloi edhe kolonizimi klasik me serbë i veriut të Kosovës, duke ndërtuar, në mënyrë të organizuar, shtëpi e lagje të mëdha serbe pikërisht mbi rrënojat e shtëpive shqiptare të rrënuara dhunshëm para pak vitesh. Për të mos u mjaftuar me të gjitha këto, tashmë serbët ndërtuan edhe një mur ndarës në Mitrovicë për të shënuar kështu ndarjen përfundimtare të veriut të Kosovës nga tërësia territoriale e Kosovës.

E gjithë kjo ka ndodhur e po ndodh para syve tanë. E ne?! As nuk bëmë gjë e as që po bëjmë gjë për ta mbrojtur territorin e Kosovës dhe për ta shtrirë sovranitetin e shtetit të Kosovës në pjesën veriore. Ne po heshtim në ndërkohë që po na merret territori ynë, toka jonë, atdheu ynë. Ne jemi strukur!

Qeveria jonë aktuale, por edhe qeveritë e deritanishme të Kosovës, nuk ka bërë asgjë e nuk po bën asgjë për të parandaluar këtë ndarje të Kosovës, për ta ruajtur këtë pjesë të territorit, për ta shtrirë sovranitetin e shtetit atje, për ta integruar atë pjesë. Ç’është e vërteta, qeveria po bën diçka: po bën sehir! Qeveria e Kosovës, të gjitha qeveritë e pasluftës, me mospunën e vet, me injorimin e kësaj çështjeje, me heshtjen e vet karshi kësaj çështjeje, me mosndërmarrjen e masave të duhura, me kompromiset e pranuara në raport me serbët dhe Serbinë, praktikisht po ia fal veriun e Kosovës Serbisë.

Por, nuk duhet të harrojmë që as qeveria aktuale e as qeveritë e deritanishme të Kosovës nuk janë vet-vendosur aty si qeveri. Ato janë vendosur si qeveri të Kosovës nga populli i Kosovës, nga vota e qytetarëve të Kosovës. Prandaj, fakti që qeveria (qeveritë e deritanishme) e Kosovës është fajtorja dhe përgjegjësja kryesore për copëtimin e Kosovës nuk i bënë aspak më pak fajtorë e përgjegjës të gjithë ata qytetarë që i kanë sjellë në pushtet këto qeveri, sepse pikërisht me votën e me përkrahjen e tyre, këta qytetarë e kanë mundësuar ndarjen e copëtimin e Kosovës.

As ata qytetarë të Kosovës që nuk i kanë votuar këto qeveri mos të ndihen të lehtësuar. Edhe ata janë fajtorë e përgjegjës për këtë copëtim të Kosovës, sepse nuk kanë bërë asgjë për ta kundërshtuar këtë, as mobilizim e kundërshtim demokratik e as mobilizim e kundërshtim jodemokratik. As veteranët e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës të mos ndihen jo fajtorë e jo përgjegjës për këtë copëtim të Kosovës, duke menduar se e kanë kryer detyrimin e tyre ndaj vendit gjatë luftës. S’mund të jetë i kryer detyrimi ndaj vendit përderisa vendi po copëtohet.

Le të ndihen po aq fajtorë e përgjegjës për ndarjen e Kosovës edhe ata publik-ndikues që për muaj e vite çirren histerikisht për të “vetëdijesuar” qytetarët e Kosovës nga rreziku që vjen nga Shqipëria dhe paternalizmi i saj ndaj Kosovës, ndërsa nuk bëzajnë kur ndërtohet mur për ndarjen e Kosovës. Mos të ndihen më pak fajtorë e përgjegjës  e ata ndërkombëtarë që për vite e dekada na ligjërojnë multi-etnicitetin në Kosovë, në ndërkohë që nuk flasin asnjë fjalë kundërshtuese për ndarjen e Kosovës me mure në baza etnike.

Ndërtimi i murit ndarës në Mitrovicë është veprimi i fundit para ndarjes përfundimtare të veriut të Kosovës. Andaj, pas këtij veprimi të rëndë armiqësor ndaj sovranitetit të Republikës së Kosovës nga ana e serbëve dhe Serbisë, është momenti i fundit që të reagojmë dhe ta mbrojmë e ta rikthejmë këtë pjesë të territorit të Kosovës dhe përfundimisht ta shtrijmë sovranitetin e shtetit të Kosovës atje, në mënyrë që të mos lejojmë ndarjen dhe copëtimin e Kosovës. Për ta arritur këtë duhet të përdorim të gjitha mënyrat dhe mjetet e nevojshme e të domosdoshme.

Po nuk vepruam si shtet e si shoqëri shpejt e si duhet, atëherë së shpejti veriu i Kosovës do të ndahet përfundimisht, Kosova do të copëtohet, tokat shqiptare do të tkurren sërish, para syve tanë, ashtu thjesht, qetë, në heshtje, nënshtrues-hëm, pa protestë, pa demonstratë, pa luftë. Po lejuam që kjo të ndodh, atëherë së paku t’ua bëjmë një nder e shërbim pasardhësve tanë, në mënyrë që ata të mos mashtrohen siç jemi vet-mashtruar ne: të ndërtojmë përmendore madhështore në të gjitha qendrat e Kosovës të Hamza Kastriotit e të Esat Toptanit si shembujt më tipikë se kush vërtet jemi ne. Le ta kenë të qartë pasardhësit tanë se ata për të cilët ne ndjejmë përçmim, neveri e urrejtje jemi vetë ne, secili prej nesh, me shpresë se pasardhësit tanë do të vendosin të mos jenë as “ata” e as “ne”, por vetja e tyre e re.

 

Fjalë Kryesore:

Të ngjashme