Thirrje publike për deputetët: Shpëtoni ekonomitë familjare!

Prishtinë | 11 Dhj 2021 | 19:34 | Nga Sejdi Hoxha

Thirrje publike për deputetët e Kuvendit të Kosovës, shpëtoni ekonomitë familjare prej krizës e shkaktuar nga inflacioni përmes ligjit të Buxhetit për vitin 2022.

Rritja e çmimeve për produktet bazë të konsumit po paraqet problem serioz në buxhetin e shumë ekonomive familjare në vendin tonë.

Në bazë të statistikave të bëra në muajt e fundit inflacioni ka arritur vlerën rreth 5 % krahasuar me periudhën e njëjtë të vitit të kaluar për shumicën e produkteve bazë të konsumit si buka, produktet e qumështit, produktet e mishit, si dhe artikujt e tjerë të domosdoshëm ushqimor, po ashtu kemi edhe rritje të theksuar e çmimit për lëndët djegëse.

Përveç rritjeve të çmimeve në produkte ushqimore shqetësim tjetër për qytetarët përbën paralajmërimi për rritjen e çmimit të faturave të energjisë elektrike, Qeveria ka vënë alarm që mos të përdoret energjia elektrike për ngrohje.

Kjo rritje enorme e çmimeve paraqet probleme të mëdha për ekonomitë familjare në Kosovë sepse ka vite që pagat dhe pensionet nuk janë ngritur derisa problemin e thellon edhe më shumë fakti që ende jemi në kohë pandemie.

Bazuar në analizat e ekspertëve të ekonomisë Inflacioni në vendet e BE-së për vitin 2022 është parashikuar të jetë rreth 3%, pa llogaritur çmimin e rritjes së energjisë.

Qeveria e Kosovës duhet të tregohet shumë më e vëmendshme dhe e kujdesshme në buxhetin e vitit 2022, t’i përfshij patjetër në buxhet mjetet financiare për zbatimin e ligjit të pagave për të gjitha kategoritë e punonjësve në sektorin publik, si dhe të ndaj mjete shtesë për kategoritë e dala nga lufta e UÇK-së, pensionistet dhe kategoritë sociale.

Gjithashtu duhet të orientoi më tepër buxhet në përkrahjen e bizneseve të sektorit privat, shëndetësi dhe bujqësi.

Lus të gjithë deputetet e Kuvendit të Kosovës pa dallim partie që përmes amendamenteve të bëjnë ndryshime në ligjin e buxhetit në mënyrë që ta shpëtojnë ekonomin e vendit nga rritja enorme e çmimeve të produkteve esenciale, nëse nuk veprohet tani dikur do të jetë tepër vonë.

Të ngjashme