“Tradhëtarët” dhe “deshmorët” e negocuar

Prishtinë | 22 Kor 2019 | 15:43 | Nga Liri Loshi

Ata që kanë vrarë njerëz civilë në luftë, apo edhe pas lufte, nuk ka rëndësi a është fjala për serbë apo për shqiptarë, duhet të pranojnë se kanë vrarë dhe duhet të tregojnë motivin e vrasjeve. Sot ende kur flasim për viktimat, dikush atyre iu referohet si bashkëkuntorë të armikut. Sipas ligjeve të luftës, një bashkëpunëtor i armikut barazohet me armikun dhe përgjegjësia për eliminimin e tij në luftë, por edhe pas lufte nuk barazohet me përgjegjësinë për eliminimin e njerëzve të pafajshëm. Pra, këtu bëhet fjalë kushtimisht për ata që kanë bashkëpunuar me qarqet armike dhe kanë vepruar kundër aspiratave politike të shqiptarëve për pavarësi.

Në njëfarë mënyre, edhe pas përfundimit të luftës me Serbi, lufta politike e shqiptarëve për pavarësi ka vazhduar deri më 2008, kur ajo është arritur! Nëse gjatë kësaj kohe ka pasur eliminim të armiqve të kësaj kauze, trupi gjykues mund të kete parasysh rrethanat e tilla para se të vijë deri të vendimet përfundimtare dhe mund të caktojë denime më të lehta. Por, edhe nëse ndodh që gjyqi të mos ketë mirëkuptim për këtë rrethanë, të akuzuarit do ta kenë mirëkuptimin e popullit dhe të paktën, ata do të lirohen nga ndëshkimi moral i tij.

Ajo me të cilën nuk pajtohem unë dhe besoj asnjë mendje tjetër normale është se nuk mund të thuash se nuk ka pasur vrasje dhe eliminim fizik të njerëzve kur mungojnë qindra njerëz pas lufte! Të akuzuarit mund ta ndihmojnë dejtësinë, qoftë me fajësinë, qoftë me pafajësinë e tyre. Ne që nuk e dimë kush ke e ka vra dhe pse e ka vra dikend, kemi të drejtë të interesohemi për të vërtetën. Sepse, duke u munduar që të gjitha vrasjet të mbulohen me një kapak, këtu po iu bëhet një padrejtësi e madhe atyre viktimave dhe familjeve të tyre, të cilat jo që nuk kanë bashkëpunuar me armikun, por kanë luftuar kundër tij dhe në vend se të ishin heronj, sot anatemohen dhe etiketohen si tradhëtarë.

Ka edhe të atillë që disa vite rresht pas lufte janë etiketuar si tradhëtarë dhe pastaj pas “negocimeve” politike janë shpallur deshmorë. Nëse ata u trajtuan si tradhëtarë, përfundimi logjik është se u vranë nga shqiptarët dhe jo nga Serbia. Nëse të njëjtit pastaj u shpallën si deshmorë, kjo deshmon se ata ishin patriotë. A s’kemi të drejtë ne si popull e kuptohet edhe si familje që të dimë se kush i vrau patriotët tanë?!

Vrasësit nuk duhet të fshehen as ata vetë, as nuk duhet t’i fshehë populli. Ata që fshehin veprat e tyre, apo luajnë rolin e viktimës në publik, janë frikacakë dhe qyqarë, pavarësisht a e luftuan armikun serb a jo. Gjykimi i tyre nuk e zbeh qëllimin e luftës sonë për liri dhe pavarësi as nuk e njollos UÇK-në. Gjykimi i drejtë na ndihmon ta njohim të vërtetën për veten dhe për tjetrin dhe na mundëson që të ecim tutje duke e parë fajtorët në burg, por duke e parë drejt në sy njëri tjetrin.

Të ngjashme