Tragjedia e arabëve

Prishtinë | 14 Kor 2016 | 12:57 | Nga

Një mijë vjet më parë, qytetet e mëdhenj të Bagdadit, Damaskut dhe Kairos, i zinin vendin njëri-tjetrit në garën për t’ia kaluar botës perëndimore. Islami dhe inovacioni ishin binjakë.

Kalifatet e ndryshëm arabë ishin superfuqi dinamike – fenerë të të mësuarit, tolerancës dhe tregtisë. Megjithatë, sot arabët janë në një gjendje të mjerë. Edhe teksa Azia, Amerika Latine dhe Afrika përparojnë, Lindje e Mesme mbetet mbrapa, e mbërthyer prej despotizmit dhe e shkundur prej luftërave.

Shpresat u rritën shumë tre vjet më parë, kur një valë trazirash në të gjithë rajonin solli rrëzimin e katër diktatorëve – në Tunizi, Egjipti, Libi dhe Jemen – si dhe kërkesat e forta për ndryshime gjetkë, sidomos në Siri. Por, fruti i pranverës arabe është kalbur, dhe shndërruar sërish në autokraci dhe luftë. Të dy këto shkaktojnë mjerim dhe fanatizëm, të cilët po i kanosen sot të gjithë botës.

Përse vendet arabë kanë dështuar kaq keq për të krijuar demokraci, lumturi apo (përtej të ardhurave nga nafta) pasuri, për 350 milionë banorët e tyre, kjo është një prej pikëpyetjeve të mëdha të kohës sonë. Çfarë i bën shoqëritë arabe të prirur për regjime të neveritshëm dhe fanatikë që duan t’i shkatërrojnë ato? Askush nuk thotë që arabët si popuj nuk kanë talent, apo vuajnë nga ndonjë antipati patologjike për demokracinë. Por që arabët të zgjohen nga makthi i tyre, dhe që bota të ndihet e sigurtë, shumë gjëra duhet të ndryshojnë.

Loja e fajësimit

Një problem është se telashet e vendeve arabë janë shumë të gjerë. Në të vërtetë, sot Sirinë dhe Irakun vështirë se mund t’i quash shtete. Këtë javë, një bandë britale xhihadistës shpalli fshirjen e kufijve të tyre, dhe krijimin e një kalifati islamik që do të përfshijë Irakun dhe Sirinë (përfshirë Izrael-Palestinën, Libanin, Jordaninë dhe pjesë të Turqisë) dhe – në ndërkohë – të gjithë botën.

Udhëheqësit e kësaj bande kërkojnë të vrasin myslimanë jo vetëm në Lindjen e Mesme, por edhe në rrugët e New Yorkut, Londrës e Parisit. Egjipti është rikthyer nën një sundim ushtarak. Libia, pas rrëzimit të dhunshëm të Muammar Gedafit, është në mëshirën e militantëve të padisiplinuar. Në Jemen kanë pllakosur kryengritjet, luftërat e brendshme dhe al Kaeda.

Palestina është ende larg nga krijimi i një shteti dhe nga paqja: vrasja e tre të rinjve izraelitë dhe pasojat që do të sjellë rrezikojnë të shkaktojnë një tjetër cikël dhune. Edhe vende si Arabia Saudite dhe Algjeria, regjimet e të cilët janë disi të mbrojtur prej pasurisë që buron nga shitja e naftës dhe gazit, si dhe të fuqizuar nga një aparat sigurie që vepron me grusht të hekurt, janë më të brishta nga sa duken.

Vetëm Tunizia, aty ku nisi vala arabe për liri tre vjet më parë, ka parë dobinë e një demokracie reale.

Islami, ose të paktën ri-interpretimet modernë të tij, është në qendër të disa problemeve të thellë që kanë shoqëritë arabe. Pretendimi i besimit, që promovohet nga shumë udhëheqës, për të kombinuar autoritetin spiritual dhe atë tokësor, pa ndarje të xhamisë dhe shtetit, ka penguar zhvillimin e institucioneve politikë të pavarur.

Një pakicë militante myslimanësh po kërkojnë legjitimitet përmes interpretimeve edhe më fanatikë të Kur’anit. Myslimanë të tjerë, të rrezikuar prej dhunës së militantëve dhe luftërave civile, kanë gjetur mbrojtje në sektin e tyre. Në Irak dhe në Siri, shumë shiitë dhe sunitë dikur martoheshin mes tyre.

Sot, shihen gjithnjë e më shpesh të masakrojnë njëri-tjetrin. Dhe ky shtrembërim i dhunshëm i islamit është përhapur në vende të largët, deri në Nigerinë e veriut dhe në Anglinë e veriut.

Por ekstremizmi fetar është një shteg drejt mjerimit, dhe jo shkaku i tij themelor. Ndërkohë që demokracitë islamike në vende të tjerë, si Indonezia, po ecin mjaft mirë, në vendet arabe, vetë struktura e shtetit është e dobët.

Pak vende arabë kanë qenë kombe për një kohë të gjatë. Dora e vdekur e perandorisë otomane të turqve u pasua, pas Luftës së Parë Botërore, nga poshtërimi prej sundimit francez dhe britanik. Në pjesën më të madhe të botës arabe, fuqitë koloniale vazhduan të kontrollojnë apo influencojnë ngjarjet, deri në vitet gjashtëdhjetë. Vendet arabe nuk ia kanë dalë ende të krijojnë kushtet paraprakë për demokracinë – debatet parlamentarë, mbrojtja e pakicave, emancipimi i grave, shtypi i lirë, gjykatat e pavarura dhe universitete e sindikata.

Mungesa e një shteti liberal është bërë bashkë me mungesën e një ekonomie liberale. Pas pavarësisë, ortodoksia mbizotëruese ekonomike ka qenë planifikimi qendror, shpesh i frymëzuar nga sovjetikët. Duke qenë kundër tregut, pro subvencioneve, dhe pro rregullimit, qeveritë arabe u mbytën ekonomitë e tyre. Shteti lëvizte levat e fuqisë ekonomike – sidomos aty ku kishte naftë.

Atje ku pengesat e socializmit post-kolonial u hoqën, zuri vend kapitalizmi i miqve dhe tarafeve, si në Egjiptin e Hosni Mubarakut. Privatizimet ishin për njerëzit afër qeverisë. Praktikisht asnjë treg nuk ishte i lirë, pothuajse nuk u krijuan dhe zhvilluan kompani të klasit botëror, dhe arabët e mençur që donin të shkëlqenin në biznes apo shkollë, duhej të shkonin në Europë apo në Amerikë.

Stanjacioni ekonomik shkaktoi pakënaqësi. Monarkët dhe presidentët e përjetshëm mbroheshin me policinë e fshehtë dhe truproja të shumtë. Xhamia u shndërrua në një burim shërbimesh publikë dhe një prej të paktëve vende ku njerëzit mund të mblidheshin dhe të dëgjonin fjalime.

Islami u radikalizua, dhe njerëzit e zemëruar që urrenin udhëheqësit e tyre, nisën të urrejnë shtetet perëndimorë që i mbështesnin ata. Ndërkohë, një numër gjithnjë e më i madh të rinjsh nisën të acarohen për shkak të papunësisë. Falë mediave elektronike, ata ishin gjithnjë e më të vetëdijshëm se perspektiva për bashkëmoshatarët e tyre jashtë Lindjes së Mesme ishte shumë më shpresëdhënëse.

Habia nuk është që dolën në rrugë gjatë pranverës arabe, por si nuk e bënë më herët.

Shumë shkatërrim

Gjithë këto gabime nuk mund të ndreqen kollaj dhe shpejt. Të huajt, që shpesh herë janë parë në rajon si pushtues, nuk munden që thjeshtë të eliminojnë kauzën xhihadiste dhe të vendosin prosperitetin e demokracinë. Të paktën kjo duhet të jetë e qartë, pas pushtimit katastrofik të Irakut në 2003. Mbështetja ushtarake – furnizimi me avionë pa pilot dhe një numër i vogël forcash speciale – mund të ndihmojë për të frenuar xhihadistët në Irak. Kjo ndihmë mund të nevojitet të bëhet e përhershme. Edhe nëse kalifati i ri nuk ka gjasa të bëhet shtet i pranuar, ai mundet që për shumë vite të prodhojë xhihadistë në gjendje të eksportojnë terrorizmin.

Por vetëm arabët mund ta ndalin rënien e qytetërimit të tyre, dhe në këtë moment, ka shumë pak shpresë që kjo të ndodhë. Ekstremistët nuk ofrojnë aspak. Fjala e shenjtë e monarkëve dhe ushtarakëve është “stabilitet”. Në një kohë kaosi, joshja prej saj është e kuptueshme, por shtypja dhe stanjacioni nuk janë zgjidhje. Nuk kanë funksionuar më parë: në fakt, kanë qenë në origjinë të problemit.

Edhe nëse zgjimi arab ka mbaruar për momentin, forcat e mëdha që i dhanë jetë janë ende të pranishme. Media sociale që shkaktoi një revolucion të sjelljes, nuk mund të zhduket. Politikanët në pallatet e tyre dhe mbështetësit e tyre në Perëndim duhet të kuptojnë që stabiliteti kërkon reforma.

A është kjo një shpresë e kotë? Sot, panorama është e përgjakur. Por në fund, fanatikët gëlltisin vetveten. Ndërkohë, kudo ku është e mundur, sunitët e moderuar që janë shumicë në myslimanët arabë duhet të bëjnë të dëgjohet zëri i tyre.

Dhe kur të vijë momenti i tyre, ata duhet ta çojnë mendjen prapa, në kohën e vlerave që e bënin dikur të madh qytetërimin e tyre. Arsimi forconte supremacinë e tij në mjekësi, matematikë, arkitekturë dhe astronomi.

Tregtia siguronte të ardhura për metropolet e mrekullueshëm, si dhe për erëzat e mëndafshte. Dhe në kohën e saj më të mirë, bota arabe ishte një parajsë kozmopolite për hebrenjtë, të krishterët dhe myslimanët e shumë sekteve, ku toleranca nxiste kreativitet dhe inovacion.

Pluralizmi, arsimi, tregjet e hapur: këto kanë qenë dikur vlera arabe dhe mund të jenë sërish të tilla. Sot, teksa sunitët dhe shiitët presin fytin e njëri-tjetrit në Irak dhe në Siri, dhe një ish gjeneral ulet në fron në Egjipt, këto përbëjnë një perspektivë tragjikisht të largët. Por për arabët, për të cilët kaq shumë gjëra kanë shkuar keq, vlera të tilla përbëjnë ende një vizion për një të ardhme më të mirë. (The Economist)

Fjalë Kryesore:

Të ngjashme