Tri fakte se Shukri Klinaku ka mbetë në terr të thellë

Prishtinë | 30 Kor 2018 | 23:06 | Nga Halil Matoshi

(Pak fjalë rreth një letre të Shukri Klinakut për Ramush Haradinajn)

E para, koalicioni i partive që themeluan AAK-në në vitin 2000 ekziston ende si i tillë, pra si Aleancë, por me Statut dhe program të qartë të një organizate unike politike dhe me një kryetar të zgjedhur në mënyrë demokratike, me votën e lirë.

Në Kuvendin e fundit, të Tetin, lideri Haradinaj ka kërkuar me insistim që votimi për kryetarin e partisë të bëhet me votë të fshehtë, porse përfaqësuesit e AAK-së në Kuvend, as që e diskutuan këtë dhe vendosen unanimisht që të deklarohen me votë të hapur.

Koalicionin AAK vërtet e kanë themeluar disa fragmente lëvizjesh e partishë ilegale, që në kontekstin e kohës natyrisht se kishin kontribuuar për çlirimin e Kosovës, por ato rreth një ideje politike dhe demokratike i lidhi Ramush Haradinaj.

E dyta, Klinaku si politikan me aktivitet që shtrihet gjatë në kohë dhe profesor universitar, duhet ta dijë se për të besuar dikush në kohën e “Fake Neës” duhet të kesh një videoincizim origjinal (që autenticitetin e vlerësojnë ekspertët) dhe jo të manipulojë me publikun, duke përmendur lotët e Ramush Haradinajt, i cili, gjatë dramës së tij jetësore prej luftëtari të paepur lirie, i ra hise të përcillte tre vëllezër luftëtarë të UÇK-së si dhe babën e tij për në amshim dhe kush s’i pau pikë loti në sy.

E treta, Klinaku duhet t’i marrë raportet zyrtare të punës së Qeverisë dhe jo spekulimet e medias dhe do të shohë se kjo Qeveri që udhëheq Haradinaj ka thyer rekordin për vendimet dhe veprimet në favor të vendit, sundimit të ligjit dhe për luftimin e korrupsionit. Këtë e dëshmon më së miri Komisioni Europian në rekomandimin e tij për vizat që konfirmon se Kosova i ka përmbushur të gjjitha kriteret e kërkuara (luftën kunder krimit dhe korrupsionit – kushti 2).

Kjo Qeveri nuk e ka asnjë aferë korruptive, megjithë trashëgiminë jo fort të lavdishme nga e kaluara, për sa i përket krimit të organizuar dhe korrupsionit.

E katërta, sa i përket demarkacionit Ramush Haradinaj “i mblodhi” të gjitha votat e AAK-së por edhe në PDK e LDK, (sepse dy partitë e mëdha të vendit më parë nuk i kishin), duke u shndërruar në një unifikues dhe ia doli të negociojë me Republikën fqinje një Marrëveshje e cila garanaton korrigjimin e kufirit, aty ku janë bërë gabime, pra rishikim dhe korrigjim të sektorëve në drejtim të Çakorrit dhe Kullës – pika 7 e Deklaratës së Podgorices, ndërmjet dy Presidentëve.
E pesta, Klinaku duhet të dijë se Kryeministri në demokraci nuk është njeriu që burgosë dhe dënon njerëz por këtë e bëjnë organet e ndjekjes dhe shteti juridik (gjyqësori) sepse pushtetet janë të ndara, por ashiqare ai është nën ndikimin e ideologjive të forta.

Mbi bazen e këtyre argumenteve shumë vështirë të gjësh lotët e apostrofuar!

(Autori është këshilltar politik i kryeministrit Ramush Haradinaj)

Të ngjashme