Triumfi i injorancës në Amerikë

Prishtinë | 05 Gus 2019 | 15:27 | Nga Nezir Kraki

(Kur injoranca bëhet kulturë)

Kur Donald Trump bënte fushatë para tri viteve, të gjithë qeshnin me të dhe kishin të drejt, për të qeshur ishte. N’atë kohë pata thënë se nëse ky individ bëhet president i Amerikës, atëherë ky do t’ishte sulmi më i madh që demokracia do ia bënte vetvetës që nga Athina antike. Me fjalë tjera, ishim përballë një aksidenti të madh demokratik.

Sulmi ndodhi! Amerika bëri hapa gjigantë mbrapa kur në zyren ovale u futë përfaqësuesi më i denjë i injorancës kolektive që është duke e robëruar botën sot. Trump fitoi, injoranca triumfoi. Ide s’keni sa herë e kam imagjinuar George Washingtonin duke u rrotulluar në varr.

Këtë sulm ndaj demokracisë e kanë bërë të mundur mendimi i varfëruar nga njëra anë dhe teknologjitë moderne të komunikimit nga ana tjetër. Për fatin tonë të zi, të gjitha sferat e jetës janë financiarizuar deri në atë masë sa jeta është kthyer në një luftë jo për lumturinë e individit por thjesht për shpëtimin e tij. Në botën ku veç shpejtësia ka vlerë, veprimet kualitative dhe të dobishme për njerëzimin pësojnë keq. Ne sot mendojmë se po avancojmë. Në fakt, të gjithë jemi pjesë e kësaj vale regresi global e cila do prodhojë “aksidente” tjera demokratike dhe do na bëjë të mësohemi me të keqën.

Ja si u mësuan me të keqen amerikanët. Në vendin që mbron liritë në katër anët e botës, sot dhunohen parimet elementare të të drejtës për dinjitet. Dhe, miliona amerikanë e duan këtë tragjedi të lajmëruar tashmë por të pa kuptuar nga ta. Në historinë e njerëzimit është dëshmuar që shumë më lehtë mobilizohet injoranca sesa urtësia. Shoqëritë pa kohezion të fortë social dhe kulturor si shoqëria amerikane, janë më të rrezikuarat nga triumfi final i injorancës. Kur s’ka kohezion ka dallime, kur s’ka kulturë ka moskuptim të dallimeve. Kur dallimet s’kuptohen, urrejtja lulëzon dhe me kalimin e kohës kthehet në kauzë. Kauzë që për bazë dmth ka injorancën dhe për qëllim çnjerëzoren.

E di që të dhënat ekonomike janë pozitive për momentin dhe papunësia ka rënë në nivele rekorde këto vite por biznesi funksional nuk është sinonim i një shoqërie funksionale. Statistikat nuk mund t’i rezistojnë kohës nëse shoqëria çoroditet. Populli amerikan meriton më mirë.

Për këto arsye ndodhen vrasjet e fundit masive në El Paso dhe Dayton. S’ka asngjë filozofike këtu. Injoranca ka triumfuar në djepin e lirive dhe të bashkjetesës shumë kulturore. A ka gjë më paradoksale se vendi i të huajve ta urrejë sot të huajin? A ka sqarim tjetër ky përçudnim përveç injorancës kolektive të dinamizuar nga zyra ovale e mbushur me Big Mac të McDonald’s, nga përfaqësuesi i botës pa mendim dhe pa kulturë?

Për neve është tragjike nëse aleati ynë më i fortë vazhdon rrugën e devijimit total në të cilën e ka angazhuar ai që dollarin e ka Zot e injorancën kulturë. Ne duhet t’i bllokojmë orvatjet politike antishqiptare të momentit, në pritje të presidentit të ri ameirkan, duke u lutur që ai të jetë Joe Biden.

Populli amerikan duhet të dalë nga cikli i injorancës së institucionalizuar dhe ta ribëjë Ameriken Amerikë. Atë Amerikë e duam edhe ne.

God bless America!

P.S. E di që tema është pak ekzotike dhe mund të duket trajtim i panevojshëm. Megjithatë, mendoj se nuk i bën keq opinionit rikujtimi i disa parimeve bazë që e dallojnë njeriun nga qeniet tjera.

Të ngjashme