Turma âsht tension kolektiv dhe politikanë të paskrupulltë e përdorin si vlim popullor

Prishtinë | 13 Jan 2022 | 15:09 | Nga Halil Matoshi

Liria 1.4

1.
Në turmë individi shkrihet, ai ndihet i fuqishëm dhe i pavdekshëm. Turma âsht tension kolektiv dhe politikanë të paskrupulla e përdorin si vlim popullor, sepse ikonografia e turmës përdor besimet popullore.

Ligji i turmës âsht anmiku ma i madh i lirisë, sëkëndejmi ai përjashton intelektualin.

Sipas Giovanni Sartorit, demagogu u bën thirrje turmave, duke bërtitur se populli ka gjithnjë të drejtë.

Por, parimi demokratik nuk e mbështet këtë absurditet.

Sipas këtij parimi, populli është sovran edhe në të drejtën për të gabuar.

Dhe nëse populli e ka të drejtën e gabimit, nuk d.m.th. se duhet ta shtysh të gabojë!

2.
Raymond Aron paralajmëron: “Duhet të kalojë shumë kohë që të shërohen të këqijat që lë prapa një revolucion, madje edhe në rastin kur ky revolucion ka shëruar të këqijat e regjimit të rrëzuar. Kur rrëzohet një regjim i ligjshëm, atëherë fatin e përbashkët e merr në dorë një grup njerëzish, madje herë-herë një njeri i vetëm”.

Kësisoj, ‘regjimet e reja’ që duen shkëputje rrënjësore nga e kaluara – si ky kosovar – gjithnjë ndërtojnë dhe i japin legjitimitet popullor një njeriu të vetëm (i cili ëdhtë “flijuar” për këtë ditë, sepse i ka rënë shpesh të kalojë nëpër burgjet e regjimit) në të shumtën është një diktator ose diktatorth!

Edmund Burke ishte një politikan britanik dhe kundërshtar i palëkundur i revolucioneve (edhe Revolucionit Francez), sepse, sipas tij, revolucioni shpie rëndom në tirani.

3.
Franz Neuman, duke iu përgjigjur pyetjes se çfarë e mban masën së bashku, thotë se “shpirti i masës” është i padëshmuar, mirëpo masa ka nevojë për identifikim afektiv me liderin-hipnotizues, pra masat e frikësuara nga e panjohura bëhen tok rreth atij që ua premton shpëtimin – parajsën në tokë – pas gjithë atyre vuajtjeve.

Ndërkohë liria, ajo është rrudhë. Hmmm do t’u duhen shumë vjet, mund e vuejtje me e rikthy!

Të ngjashme