Udhëtimi

Prishtinë | 11 Sht 2020 | 18:36 | Nga Daut Dauti

Udhëtimi sot nuk ka kurrëfarë kuptimi. Nga Prishtina për tri orë mbërrinë në Londër. Kjo është më shumë teleportim se sa udhëtim. Nëse jeni njerëz të lapsit, udhëtoni kot se nuk keni çka shkruani pasi që nuk shihni asgjë pos njerëzve monotonë që e fotografojnë veten.

Udhëtimi dikur ka qenë ngjarje apo ndodhi e jashtëzakonshme që përshkruhej me orë të tëra. Një herë kur kam udhëtuar me tren nga Fushë Kosova për London Victoria, udhëtimi ka zgjatë dy ditë e dy netë.

Trenin e pritnim në Fushë Kosovë, Ferizaj apo Mitrovicë. Treni kishte emër. Akropolis quhej. Nisej në Athinë dhe para se të vinte në stacionin tonë, ndalej në Selanik e Shkup. Pastaj vazhdonte për Beograd, Zagreb, Lublanë, Villah dhe përfundonte në Munich. Dhe, pas disa orëve kthehej në drejtim të kundërt.

Rrugë e gjatë dhe kishte kohë për gjithçka. Vazhimisht treni ka qenë plot me njerëz. Lloj-lloj , nga tërë Evropa dhe fliteshin të gjitha gjuhët e botës. Kishte turistë, punëtorë, ushtarë, studentë, hajna, prostituta, shitës të mallrave të ndaluara, mashtrues të ndryshem (me qibrita), policë, agjentë sekret, kishte e çka nuk kishte në tren. Tërë bota ka qenë aty.

Kishte mundësi për krijim të lidhjeve shoqërore, të dashurisë që çonte në martesë apo për më shkurt siç thuhet sot ‘one night stand’. Kishte mundësi me ushtru edhe gjuhën. Nëse ishit ngucakeq, e gjejshit lehtë partnerin për dhunë. Nëse ishit serioz e gjejshit tipin e juaj për muhabet.

Një ditë e një natë në tren për Munchen dmth është kohë kur së paku flen e zgjohesh një herë dhe 6 herë hanë bukë. Në mëgjes vinte një grua apo burrë me uniformë e me një gjygym në dorë me shitë kafe. Njerëzit nëpër korridore hanin, pinin, bisedonin, këndonin e dikush edhe qante.

Gjatë muajit dhjetor udhëtimet nga Gjermania dhe Zvicra për Kosovë kanë qenë të veçanta. Treni që nisej në ora 7 të mbrëmjes nga Zurich ka qenë më interesanti. Mbusheshin vagonat me njerëz dhe torba. Mezi ecje nëpër korridor se kishte plot gjëra të ndryshme, përfshirë bishtat e kaciave. Njerëzit visheshin me tesha t’reja dhe plot xhepat me pare e me gëzim ktheheshin në shtëpi. I provojshin kasetofonat cili ka e zërin më të lartë. Nëse kasetofonave iu harxhoheshin bateriat, i nxirrnin çifteliat e këndonin vet. Atmosferë që nuk përshkruhet lehtë e me pak fjalë. Roman kishte mundësi të shkruhej. Por, papritmas dikush e zbuloi aeroplanin dhe udhëtimi përfundoi. Po e përfundoj edhe unë këtu se shumë nga ju me siguri mendoni se ky është tregim i bazuar në fantazi.

Të ngjashme