Vakitë në QKUK

Prishtinë | 21 Shk 2020 | 19:02 | Nga Berat Dakaj

Sot, sipas rekomandimit të mjekut të QKUK-së të para një jave, bëra një kontroll të këmbës në Ambulancën e re Specialistike në kompleksin e QKUK-së. Por, për ta bërë këtë kontroll, fillimisht u dashtë, sa për sy e faqe, të paraqitem në Qendrën e Mjekësisë Familjare në lagjen Kalabria, për ta marrë udhëzimin.

Një doktoreshë ma dha një udhëzim dhe më pyeti, kot fare, sepse duhej ta dinte vetë këtë punë, se çfarë ilaçe po përdor. Kur i tregova se po pi “Aspirin” dhe “Brufen”, më pyeti: “Po pse ‘Aspirin’”? Me ba hajgare me të ishte herët e s’kisha nerva të qeta. Prandaj heshta. E mora udhëzimin dhe ia mësyva Ambulancës Specialistike. Procedura: E merr numrin te dera, afrohesh te recepsioni, pret nja njëzet minuta për të ta dhënë një numër tjetër dikush tjetër, afrohesh te dera e specialistit dhe pret gjysmë ore.

Kur të vjen radha të hysh brenda, del specialisti jashtë dhe kthehet pas njëzet minutave dhe, me rrëmojë në gojë, të pyet: “A po munesh me nejtë?” Ta ngrehë tensionin ngul përpjetë. Ma shkurt, futesh brenda, të kontrollon dy minuta dhe të thotë shko edhe një herë te recepsioni. Hyxhym aty, përreth tridhjetë vetave, me shenja gripi e lloj-lloj sëmundje e lëndime, duke pritur radhën e numrit sërish. Kur të vjen radha e i bën katër euro pagesë, thotë shko prit tash te dhoma numër katër, se ta thirrin emrin. Afrohesh edhe aty e, me këmbë plumb te shputa, pret edhe nja pesëmbëdhjetë minuta. Del një infermiere dhe më kërkon: “Berat Dakaj?”

“Po, unë jam, hë mos qofsha!” “Pritni këtu, se duhet me shku me volus te doktori këtë raport”. “Hajde de, henez!” Kthehet pas nja tre-katër minutave dhe hyn prapë në dhomën numër katër dhe del e ma jep një letër, me krejt një fjali me shtatë fjalë, për të cilën, për ta shkruar, i duheshin dhjetë minuta kohë dhe më udhëzon: “Shko te depo, se duhet me ta ngjitë një spirale të fortë në këmbë”. E gjej depon, duke shkuar e duke pyetur. Teksa futem në të ma çon mallin e disa magazinave të filmave trillerë, personazhet e të cilëve nuk dalin gjallë ose, nëse arrijnë të dalin, dalin të gjymtë. Dyer të hequra nga vendi, rafte të rrëzuar përtokë, mure zgjyrë dhe të prerë e bërë sallatë. Më në fund, në një derë, me shkronja të vogla, në anën e majtë shkruan “Depo”. Trokas tri herë dhe qes para tre hapa. Brenda, tullug. Një burrë, rreth pensionimit, kishte mbushur hirnoren me hi cigareje. Ndër të tjera, po pinte edhe çaj rusi (çaj të zi). Po luante edhe letra në kompjuter. Gjygymi i cingut, në reshovin e lëshuar në tresh, fishkëllente. E kthen rrotën në njësh, pastaj e kthen gjygymin e sipërm pak anash, sa për të dalë ajri, më sheh dhe më pyet, pasi ndërpret  lojën: “Urdhnoni!”


Meqë s’dua të bisedoj me të, i zgjas raportin e specialistit. E kap letrën, pastaj e merr këllëfin dhe i nxjerrë syzet. Xhamin e majtë, andej kah është shkruar udhëzimi, e ka të krisur; të djathtin e ka më mirë, ani pse të mjegulluar. Megjithatë, e lexon dhe më thotë: “S’po marrin vesh ata specialistat. Unë që dy vjet nuk kam spirale në depo. Njëqind herë u kam thënë s’kam material e ata prapë çojnë njerëz ktu”.
“E çka me ba unë?”
“Ty, Zoti ta baftë qarën!”
“Zoti t’paftë e t’ruajtë edhe ty, mixho, e ditën e mirë e bafsh! M’u qiftë nana mu që vij ktu!”

Lutem të dal shëndoshë e mirë, pa bërë fjalë me askënd, me gruan përbri. Dhe dal pa i rënë kujt më qafë e as pa më rënë kush, me shpresë që mos me ia pa sytë më as specialistit, as depoistit.

Kontrollin tjetër më ka thënë ta bëj më 28 shkurt. Me këto procedura e këta njerëz, kurrë më! Vetëm te privati. (Gazeta Shëndeti)

Fjalë Kryesore:

Të ngjashme