Vdekja në sytë e Putinit

Prishtinë | 27 Shk 2022 | 12:15 | Nga Afrim Kasolli

Që nga fillimi i sulmit brutal të forcave militare ruse në territorin e Ukrainës, shumë kush ka filluar ta shtrojë pyetjen mbi gjendjen mendore, psikologjike dhe shpirtërore të presidentit rus Vladmir Putin. “Argumentet” e sajuara nga ky i fundit, për ta justifikuar këtë invazion, i kanë nxitur komentatorë, analistë dhe psikologë të ndryshëm që të tentojnë të zhbirojnë për aq sa munden se çka është duke ndodhur në mendjen e tij tw errët.

Fjalimi i mbajtur para popullit rus, ku mëtonte t’i shpaloste arsyet se pse e ka ndërmarr këtë veprim, por që në të vërtet i drejtohej opinionit ndërkombëtar, më shumë se asnjë herë tjetër më parë, ishte i ngarkuar nga pasione nekrofiklike, për një temë gjeopolitike. Kërcënimi me apokalips të përmasave që nuk i ka parë historia e njerëzimit e dominoi atë shfaqje të kobshme dhe atmosferë mortore. Mesazhi i tij ishte i qartë. Të gjithë diktatorët, tiranët dhe liderët totalitarë që i ka prodhuar deri më tani historia, nuk do jenë asgjë përballë anatomisë sime totale destruktive. Sepse unë mund të mund të jem vdekja e njerëzimit.

Këto ndryshime të befta dhe të çuditshme të Carit të ri të Rusisë, sipas prestigjiozes britanike The Guardian, tregonin se ai tashmë e kishte humbur sensin e realitetit. Është shkëputur nga parametrat normal të “real politikës” dhe është zhytur në thellësitë e irracionalitetit mistik dhe pseudo-historik. Madje, ky medium, duke iu referuar burimeve të saja në rrethet e ngushta të presidentit të Francës, Emmanuel Macron, pohonte se edhe ky i fundit ishte tmerruar pas takimit të mbajtur në Moskë, me ndryshimet që kishin ndodhur në qenien e Putinit. Duke folur pak si me nostalgji, e pak si me dhimbje për humbjen e ekuilibrit mental për homologun e tij, lideri francez, ka konstatuar se nuk ishte më ai Putin, kur kishin kaluar kohë së bashku në një atmosferë idilike në kopshtet aristokratike të Pallatit të Versajës, duke luajtur golf si dhe duke thurur plane futurologjike për “autonominë strategjike” të Evropës nga omnipotenca amerikane. Me tone të ashpra për sjelljen e re të Putinit, u shpreh edhe ish-aleati i tij, kryetari i Çekisë, Milos Zeman, pas sulmit mbi Ukrainë. Ky i fundit, thjesht deklaroi, “ai njeri është i çmendur dhe duhet të ndalohet”.

Në këtë kontekst, qëndrimet e reja të kryetarit të shtetit që posedon rreth 6000 koka bërthamore, të “bazuara kryesisht në emocione”, sipas Dimtry Muratov, botuesit të gazetës “Novaya Gazeta”, janë ato të një njeriu që e ka “sajuar një hartë në kokën e tij dhe e ka ndërtuar një plan se si ta përdor forcën ushtarake në funksion të jetësimit të asaj harte”.

Ndërkohë, në një artikull, po ashtu të publikuar në “The Guardian”, “What’s going on inside Putin’s mind?” Michel Eltchaninoff, i ka gjurmuar disa nga shkaqet e këtyre sjelljeve morbide të ish-agjentit të KGB-së ruse, te ndikimi që kanë pasur dy autorë rus, jo shumë të njohur për opinionin ndërkombëtar, në botëkuptimin dhe doktrinën e tij, për botën, historinë dhe pozicionin që ky komb duhet ta ketë në rrethanat aktuale. Ata janë “Lev Gumilev, djali i dy poeteve të njohur të Rusisë Nikolai Gumilev dhe Anna Akmatova”, si dhe historiani Ivan Ilyin.

Me shkrimet e tyre, këta autorë, e kanë glorfikuar shpirtin mistik të kombit rus, pastërtinë e tij si dhe misionin heroik që e ka mbi shpatulla ky popull, për ta shpëtuar botën nga dekadenca perëndimore, liberalizmi i qulltë, rënia morale dhe individualizmi dekadent. Natyrisht, armiqtë e këtij populli do të komplotojnë në vazhdimësi kundër nesh për të na i inhibuar këto potencialeve “gjenetiko-politiko”, e që janë vitale për rimëkëmbjen shpirtërore. Por, ne duhet të rezistojmë. Ndërkohë, fqinjët tanë do të jenë instrumentet e para të këtyre konspiracioneve anti-ruse. Mbajta e tyre nën influencën tonë është mbrojtje nga mashtrimi perëndimor.
Rrjedhimisht, synimet gjeopolitike për çmontimin e rendit ndërkombëtar që doli pas Luftës së Ftohët, janë hapi i parë në restaurimin e dinjitetit të nëpërkëmbur që e ka prodhuar “fundi i historisë” . Fantazmagori të tilla ka kohë që presidenti i Rusisë i propagandon në opinion. Dhe nuk ka lënë rast pa përsëritur këtë refren agresiv.
Prandaj, manifestimi i tanishëm më shumë se asnjë herë tjetër më herët, i kësaj anë të tij e errët, tregon qartë , se mund të jetë shprehje e rasantimantit të thellë psikologjik dhe shpirtëror që është shtresuar në mendjen e tij. Mirëpo, që u shfaq kundër Ukrainas, me rrezik që të eskalojë edhe në vendet tjera, veçanërisht për shkak të fiksioneve të tij më këtë vend.

Por, një faktor tjetër që ka mundur ta agravojë këtë tërbim, mbase lidhet edhe me moshën e tij biologjike. Putini, siç po shihet, ka jetuar një kohë të gjatë i pushtuar nga kjo dëshirë irreale për ta jetësuar këtë përmbysje dhe për ta rikthyer lavdinë e shtetit rus në përmasa planetare. Mirëpo, sa më shumë kanë kaluar vitet dhe sa më shumë po i afrohet vdekjes së natyrshme, ai po e sheh me sytë e tij dështimin e kësaj megalomanie hegjemonike. Rusia, përjashto armët bërthamore, ndodhet parapa shumë ekonomive të fuqishme botërore. GDP-ja e saj është përafërsisht se a Spanjës. Dhe ka mbetur prapa edhe disa vendeve si Belgjika, Holanda etj. Ky shtet, siç pohoi Fareed Zakaria, është një fuqi në rënie, për dallim nga Kina që është në ekspansion. I tmerruar nga kjo shpërputhje ndërmjet disfatës reale dhe delireve për madhështi imagjinare si dhe presioneve biologjike të moshës, atëherë forca psikologjike e thanatosit, siç po shihet, ka filluar t’ia determinojë sjelljen. Dhe kërcënimi me prodhim të vdekjeve masive ndaj të gjithë atyre që nuk ia doli t’i skllavërojë dhe nënshtrojë në kulmin e pushtetit të tij, i është ravijëzuar si e vetmi horizont i mundshëm para syve të tij.

Natyrisht, shumë kush mund t’i kontestojë këto pandehma si “spekulative” me kundër argumente, se pse bie fjala presidenti Joe Biden, apo liderë tjerë perëndimorë që ndodhen në moshë edhe me të shtyer se sa Putini, nuk po manifestojnë sjellje të tilla nekrofilike.

Mirëpo, këtu duhet pasur parasysh një rolë tjetër të pamohueshëm që e luajnë strukturat shoqërore në formimin e karakterit të individit. Dhe ky dimension social, psikologjik dhe moral i shoqërisë amerikane ndryshon rrënjësisht nga ai i shoqërisë ruse. Këtë dallim e kishte detektuar në mënyrë profetike, Alkeksi de Tokëvill, këtu e tre shekuj me parë, në librin e tij emblematik “Demokracia në Amerikë”. Ky historian tregonte se si “Anglo-amerikani lufton me shkretëtirën dhe jetën e egër, i dyti me qytetërimin dhe të gjitha armët e tij. Pra, i pari korr fitoret me plug (inovacion), i dyti me shpatë. Anglo-amerikani mbështet interesin vetjak për t’i arritur qëllimet e tij dhe i hap fushë të lirë sensit të përgjithshëm të popullit, rusi e përqendron gjithë autoritetin e shoqërisë në një dorë. Mjeti i të parit është liria, i të dytit skllavëria”.

Prandaj, mbase në këtë substrat duke kërkuar arsyet e thella se pse shoqëria amerikane historikisht ka prodhuar George Washington, një lider që e vendosi një standard të padëgjuar më parë në histori, kur pas përfundimit të mandatit të dytë si president, refuzoi të kandidoi përsëri, Thomas Jefferson, Woodrow Wilson, Franklin d Roosevelt e shumë shtetarë të tjerë, që i kontribuuan avancimit të kazus së lirisë për vendin e tyre dhe njerëzimin. Kurse, shoqëria ruse, për shkak të atij sfondi shoqëror të sipër cekur, deri më tani është e njohur në afirmimin liderëve sikur Ivani i Tmershëm, Lenini, Stalini, e deri te Putini, të cilët i ka karakterizuar pasioni për prodhim të mega-vdekejve, skllavërimin e popullit të tyre dhe popujve tjerë.

Të ngjashme