Vendosja e taksës do të dalë një aventurë e pamenduar

Prishtinë | 21 Nën 2018 | 17:05 | Nga Besnik Pula

Taksa 100% ndaj mallrave të Serbisë është produkt i filozofisë politike “sot për nesër”.

Këtu nuk ka as koherencë në koncept e as strategji. Vendimet për taksa merren krejt arbitrarisht. Nuk dihet nëse qëllimi është zëvendësimi i importeve të Serbisë?

Nëse po, me çfarë masa do të mbrohet konsumatori kosovar e do të përkrahet prodhuesi kosovar, kur dihet që nga Serbia nuk importohet teknologji e lartë por gjerat më elementare të konsumit (prodhime bujqësore, ushqim). Me çfarë masa do të pengohen kontrabanda dhe korrupsioni në dogana, të cilat veç do të rriten si pasojë e kësaj takse? Apo qëllim është vënia e trysnisë diplomatike ndaj Beogradit?

Nëse po, për cilat qëllime? Me çfarë sinjali do ta dijmë që Serbia ndryshoi sjellje, në mënyrë që taksat të hiqen? Me ndonjë premtim bosh, të cilat i kemi dëgjuar me vite të tëra?

Me çfarë qasje e koordinimi do të zhvillohet kjo diplomaci kushtëzuese ndaj Beogradit, kur në një anë qeveria vendos taksë, kurse në anën tjetër presidenti për çdo muaj i ulet në prehër Vuçiqit në Bruksel pa asnjë kusht?

Bllokada ndaj Serbisë është dashur të vendoset moti. Por kjo formë e të vepruarit i ngjan një të dehuri të cilit i ka humbur arsyeja dhe vepron implusivisht, përderisa nuk e di as vetë nga cila rrugë po ecën.

Në fund, kam frikën se përveç dëmit të merituar që mund t’iu bëhet bizneseve serbe dhe importuesve kosovarë, këto masa do ta diskreditojnë më tej diplomacinë kosovare (nëse ende mund ta quajmë të tillë), dhe mbi të gjitha do të tregojnë botërisht se Kosova është larg së qeni një shtet serioz.

Nga konsumatori kosovar po kërkohet të bartet një sakrificë e cila do të dalë të jetë një aventurë e pamenduar dhe e cila në fund nuk do të rezultojë në asgjë.

Fjalë Kryesore:

Të ngjashme