Vetëdijësim dhe edukim qytetar, jo kufizime policore

Prishtinë | 12 Pri 2020 | 01:54 | Nga Milazim Krasniqi

Zgjidhja më efikase kundër përhapjes së infeksionit Covid 19 është vetëdijësimi dhe edukimi qytetar, jo kufizimet policore.

Si?

1. Nëse dikush ndien ndonjë simptomë, duhet ta qëndrojë në shtëpi. Duhet të jetë i sinqertë dhe t’u thotë njerëzve me të cilët ka të bëjë, jo të presë.

2. Ata që janë shëndosh dhe që dalin, duhet ta respektojmë distancën në furra a në sheshe, kudo.

3. Ndalimi i lëvizjes nga ora 17- 06 është i pakuptimtë, meqë në orën 17 edhe ashtu shumica e njerëzve kanë shkuar në shtëpi, pas orarit të punës. Kufizimi vetëm po e rritë kontaktin e afërt në mesin e ditës.

4. Duhet të mendohet për hapjen e pjesshme të disa bizneseve të vogla, që të mos falimentojnë tërësisht (kioska, butiqe, librari, dyqane telefonash, etj.) sepse më pak ka qarkullim në to, se sa në markete e furra buke.

5. Mediet duhet të kalojnë më shumë në qetësim dhe edukim të publikut, se sa në mbajtje të panikut, ose përsëritje të vetes.

6. Politika duhet të qetësohet vetë dhe ashtu të qetësojë edhe njerëzit. Aq sa virusi e atakon shëndetin fizik, fjala e keqe e politikës e atakon shëndetin mendor. (Veç lexojini opinione në fb dhe e kuptoni gjendjen mentale të rënduar të shumë njerëzve.)

7. Njerëzit me intelekt, në këso rrethanash të rënda, i mbështeten Zotit edhe më shumë. Nëse e bëjnë sinqerisht, dhe nëse e vazhdojnë edhe pasi të kalojë rreziku, ajo mund të jetë fitorja e tyre finale mbi egoizmin, mbi mendjemadhësinë, mbi injorancën dhe mbi mosbesimin, që pashmangshëm do t’i çonin në humbje.

8. Pra, na duhet vetëdijësim, respektim i rregullave, lehtësim i punëve, përmirësim i komunikimit medial e politik dhe mbështetje te mëshira e Zotit mëshirëplotë. Paqe për të gjithë!

Të ngjashme