Vetëm tri javë që nga ardhja në pushtet, Albin Kurti e ka humbur besimin

Prishtinë | 27 Shk 2020 | 22:06 | Nga Ardian Gjini

Qasja në thelb mashtruese dhe replika naive e sakatojnë Kosovën

Vetëvendosje dhe Albin Kurti, për pesëmbëdhjetë vite me rradhë kanë propaganduar kundër ‘servilizmit’ të Kosovës në raport me bashkësinë ndërkombëtare.

Së pari vet përdorimi i fjalës servil në raport me miqt e vërtetë të Kosovës është fyerje e rëndë që adresohet nga ana e Kosovës ndaj miqve. Së dyti, koncepti i servilizmit në marrëdhënie ndërkombëtare është paradoksal. Është i tillë për shkak se shtetet ndërtojnë aleanca dhe miqësi për arritjen e synimeve të tyre. Të gjitha vendet, edhe Amerika, vendi më i fuqishëm në glob, kërkon aleanca e miqësi për arritjen e qëllimeve të veta. E lëre më Kosova. Kosova duhet të bashkërendohet me shtetet mike për arritjen e qëllimeve të veta, përndryshe zor se do t’i arrijë. Albin Kurti e ka manipuluar popullin duke i quajtur të tjerët servil, duke aluduar në synimin e tyre për ta mbajtur pushtetin, duke u pajtuar për gati gjithçka me Amerikën dhe Europen. Me qasjen ‘amelika, amelika’ Kurti ka shkaktuar dëme të mëdha, në percepcion dhe në ndjenjen e miqësisë. E ka mbjellur ndjenjën se bota nuk është se na do fort të mirën. Ndërsa tani filloi të na tregojë vet se sa e rëndësishme është miqësia me Amerikën.

Së dyti, Albin Kurti, kryesisht tek një pjesë e rinisë, e ka mbjellur ndjenjën se është ai që ‘ia thyen hundët Serbisë’ (besa edhe bashkësisë ndërkombëtare) sepse nuk është as servil e as i korruptuar. Tani po del që ai ose nuk i ka pasur fare as dy fije mend se si funksionon bota, ose ka manipuluar me qëllim.

Duke menduar në mënyrë narcisoide, që di gjithçka dhe që mund të manipulojë gjithçka, Kurti i ka hyrë aventurës së manipulimit të trefishtë, ndaj popullit, ndaj bashkësisë ndërkombëtare dhe ndaj partnerit të koalicionit. Prej kësaj situate nuk dilet ashtu si ke hyrë.
Popullit i ka premtuar se ia thyen hundët Serbisë (dhe bashkësisë ndërkombëtare).

Amerikës i ka premtuar se e heq taksën.

Partnerin e koalicionit e ka subordinuar përmes Vjosa Osmanit ( me vullnetin e plotë të saj sigurisht)

Me këtë qasje, vetëm tri javë që nga ardhja në pushtet, Albin Kurti e ka humbur besimin e të gjithëve, edhe me qasje edhe me vepra.

Ai ka publikuar video nga një takim Chatham House vetëm e vetëm për t’u dukur mirë vet.

Ai e ka vënë në siklet paktin NATO dhe partnerët tanë kryesorë për ta bërë Hashim Thaçin të duket keq, në katërvjetorin e zgjedhjes së tij. Po, po, që nga nëntori e ka ruajtur një kinse dokument sekret për ta publikuar në mënyrë spektakolare në një ditë simbolike. Vetëm sa për t’u dukur mirë vetë, pa i marrur fare parasysh pasojat për vendin.

Kështu si ka filluar, nuk po shkruhet mirë as për të e as për Kosovën.

Tani hamë plazma.

Të ngjashme