Vlerat që i shkelim

Prishtinë | 01 Mar 2017 | 11:55 | Nga Imer Mushkolaj

Anton Çettës na kujtohet t’i ngremë një shtatore 27 vjet pas aksionit të pajtimit të gjaqeve dhe 22 vjet pas vdekjes. Për gazetën “Rilindja”, që e mbyllën dhe e dëbuan nga prona e vet, nuk çan kokën kush.

Në një shoqëri ku mbizotëron mediokriteti, vlerat dhe tradita nuk vlejnë pesë para.
Isha 13 vjeçar, më 1 maj të vitit 1990, kur në vendin e quajtur Verrat e Llukës, afër Deçanit, u bëra bashkë me qindra-mijëra njerëz, në tubimin më të madh për pajtimin e gjaqeve.

Kjo ngjarje mbetet momenti i bashkimit më të madh të shqiptarëve të Kosovës, në një iniciativë fisnike, më fisniken e patriotiken të historisë, për të pajtuar shqiptarë të hasmëruar.

Në ballë të lëvizjes gjithëpopullore ishte Anton Çetta, njeriu i cili bashkë me qindra e mijëra të tjerë – profesorë e studentë, intelektualë të kohës, njerëz profilesh të ndryshme dha kontributin më të madh për këtë vend. Që atëherë, për mua profesor Çetta u shndërrua në njeriun që meriton gjithçka nga kjo shoqëri.

Që nga ajo kohë kanë kaluar gati 27 vjet dhe tek tash, njerëzve të institucioneve të Kosovës iu ka ardhur në mendje se Anton Çetta e meriton t’i ngrihet një shtatore në kryeqytet.

Që nga përfundimi i luftës, Prishtina është mbushur plot buste e shtatore. Në një stihi për imponim vlerash, qyteti është kthyer në një hapësirë kiçi, për dukjen e së cilës kanë vendosur më të fortët. Por, deri më tash nuk është gjetur asnjë metër vend për një shtatore të studiuesit, profesorit e shkrimtarit Çetta.

Tash është vendosur që një shtatore e tij të vendoset para Institutit Albanologjik të Prishtinës, ndonëse mund të ketë ende njerëz të pafytyrë, që kundërshtojnë një gjë të tillë. Një vendim i vonuar, por që sadopak lan borxhin ndaj kontributit të tij të madh në shkencë dhe në lëvizjen për pajtimin e gjaqeve. Në këtë mënyrë, vlerësohet jo vetëm kontributi i tij, por edhe i qindra e mijëra shqiptarëve të tjerë, të cilët ishin pjesë e kësaj lëvizjeje, në përpjekje që të shuhen hasmëritë ndërmjet shqiptarëve.

Tre muaj pas tubimit madhështor të Verrave të Llukës, regjimi serb mbylli dhe ndaloi së botuari gazetën e vetme të përditshme në gjuhën shqipe, “Rilindja”.

Forca të mëdha policore kishin hyrë në selinë e gazetës, në Pallatin e Shtypit që tash është kthyer në objekt qeveritar dhe kishin kërkuar që gazeta të mos botohej më. Më pas, shtypja e saj ishte ndaluar në shtypshkronjë.

Gazetarët atëherë bënë çmos që informimi i publikut të vazhdonte nëpër disa revista, për të nisur botimin e gazetës “Bujku” muaj më vonë. “Rilindja” nisi të botohet gjatë kohës së luftës, për të vazhduar pas saj, deri në shkurt të vitit 2002. Menjëherë pas luftës, gazetën e morën në dorë njerëz që nuk ia arritën ta mbajnë gjallë dhe për shkaqe financiare, ndaloi së botuari.

Askush nga udhëheqësit e asaj kohe nuk bëri asgjë që “Rilindja” të mbijetojë. Përkundrazi, gazeta dhe media të tjera u dëbuan nga Pallati i Shtypit, i cili u kthye në zyra qeveritarësh, e gazetarët e “Rilindjes” mbetën në rrugë.

Institucionet e asnjë shteti në Evropë nuk janë sjellë më vrazhdë ndaj një gazete tradicionale, sesa ato të Kosovës. “Rilindja” konsiderohet shkollë kombëtare dhe vatër e rezistencës, andaj shuarja e saj është krim.

Të gjitha shtetet e rajonit kanë gjetur mënyra që të vazhdojnë botimin e gazetave tradicionale. Më tepër se për çështje ekonomie tregu e konkurrence, bëhet fjalë për traditë, bëhet fjalë për vlerë. Dhe tash, kur do të duhej të kremtohej 72 vjetori i nisjes së botimit të “Rilindjes”, shënohet 15 vjetori i mbylljes së saj.

Kështu nuk ka ndodhur me ish-të përditshmen kosovare në gjuhën serbe, “Jedinstvo”, e cila këto ditë po ashtu ka shënuar 72 vjetorin e themelimit. “Jedinstvo” ende mbijeton, tash si e përjavshme dhe botohet në Mitrovicë.

Ish-kryeredaktori i “Rilindjes”, Behlul Jashari, ka mbetur mohikani i fundit në përpjekjen e tij për të rikthyer gazetën. Ndërmarrja “Rilindja” ende nuk është privatizuar dhe gjasat që gazeta të rifillojë sërish botimin janë shumë të vogla.

Në tregun kosovar të mediave është utopike të mendohet që “Rilindja” mund të nis ribotimin dhe të mbijetojë në formë të shtypur. Por, ekziston mundësia që gazeta të publikohet në versionin online. Për këtë nevojitet vullneti i vendimmarrësve. Gazeta do t’iu kthehej lexuesve në një tjetër formë dhe tradita do të vazhdonte.

Megjithatë, në një shoqëri ku mbizotëron mediokriteti, për vlerat e traditë nuk çan kokën kush. Ato nuk vlejnë pesë para. Gjithçka është devalvuar e diskredituar, paraja blen gjithçka dhe prodhimi i analfabetëve me diploma nuk ka të ndalur.

Me siguri shumë nga të tillët nuk e kanë idenë as kush ka qenë Anton Çeta, e as që ka ekzistuar gazeta “Rilindja”. Nuk kanë faj. Fajet i kanë ata që na kanë udhëhequr e na udhëheqin, ata që nuk i kanë synim as vlerat, as traditën, por funksionojnë me logjikën e shkatërrimit dhe fillimit të gjithçkaje nga zeroja. Sepse, mendja ua thotë se me ta ka nisur gjithçka, ata janë vlera, ata janë tradita. Andaj jemi këtu ku jemi – të kapur peng nga mediokriteti e padituria.

Të ngjashme