Xhamia në Dardani është goditje e rëndë për shtetin sekular

Prishtinë | 17 Kor 2020 | 17:12 | Nga Frasher Oseku

Urbanizmi, njësoj si shkenca në përgjithësi, e njësoj edhe si çështjet e shtetit janë indiferente ndaj politikave fetare. Ndërtimi i xhamisë në lagjen Dardania është në kundërshtim me planin rregullues të lagjes, e me këtë edhe në kundërshtim me ligjet e Kosovës. Një ndërtim i tillë është dorëzim i udhëheqësve politik sekular përballë presioneve të vazhdueshme të grupimeve politike fetare, e të klikave konservatore të shoqërisë.

Lagjja Dardania është zhvilluar në vitet 70 dhe 80 si një shembull i planifikimit urban në Kosovë, duke vënë plan për jetë të mirë e me nge për banorët që kalojnë kohën aty. Planifikuesit e kësaj lagjeje nuk kanë paraparë një xhami në atë lagje. E për më shumë, banorët e lagjës nuk e kanë kërkuar një të tillë. Në fakt janë pikërisht banorët e kësaj lagjeje që kanë reaguar kundër ndërtimit të xhamisë në lagjen Dardania të Prishtinës.

Xhamia e planifikuar, nuk përkon as me kërkesat e banorëve të atij lokacioni, as me parametrat urbanistike, as me parametrat arkitekturale, as me stilin dhe konceptin e arkitekturës, e as me madhësinë dhe kapacitetin që e ka. Kjo ndërtesë aty, e ngulfatë një nyje të rëndësishme të lagjes që e lidhë atë edhe me lagjen Ulpiana, duke i ngulfatur kështu të dyja njëherësh. Kjo xhami, me arkitekturë artificiale të jashtëkohshëm, mes disa ndërtesave moderne të qytetit e shpërfaqë dhunën dhe dhunimin që po i bëhet qytetit me këtë veprim. Ky është një akt ideologjik e politik i grupeve fetare për të sjellur lajmin e errët të realizimit të planeve të tyre për teokratizimin e Kosovës.

Kosova tashmë ka mbi 1000 xhami të ndërtuara, gati poaq sa shkolla, e shumë më shumë xhami sesa spitale e biblioteka. Të dhënat nga dekada e fundit tregojnë se vetëm 13% e popullatës në Kosovë e praktikon religjionin. Dhe ky trend është në rënie. Pra përdit e më pak ka praktikues të religjionit. Atëherë për kend po e ndërtojmë këtë monstruozitet në qendër të qytetit? Përgjigjja është e thjeshtë: po e ndërtojmë për disa grupime të vogla që duan ta kthejnë Kosovën nga një vend demokratik në një teokraci.

Kjo xhami u konvenon rrymave që mbase edhe mund të kenë financime nga donatorë të ndryshëm nga Lindja e Mesme, e nga Turqia. Në fakt donatori kryesor i saj është vetë shteti turk përmes agjencive të saj shtetërore fetare. E njejta Turqi që para disa ditësh e riktheu në xhami monumentin Aja Sofia të ndërtuar në kohën e Perandorit Romak Justinian, e që ky i fundit për koincidencë ishte me prejarjdhje nga Iliria, me gjasë i lindur diku afër Shkupit.

Pra nuk kemi të bëjmë thjeshtë me një objekt që plotëson nevojat shoqërore e urbanistike të një komuniteti, por me një simbol dominance për shtetet dhe ideologjitë e disa shteteve të caktuara. Kjo nuk është xhami e shqiptarëve për shqiptarët, por e dikujt tjetër për interesa të veta. Kjo xhami është një agresion i rëndë për popullin e Kosovës, njësoj siq ishte kisha ilegale ortodokse në kampusin e Universitetit të Prishtinës.

Ne si Shoqëri Sekulare nuk kemi ndonjë mekanizëm tjetër të reagimit përpos kësaj letre dërguar instancave vendimmarrëse të shtetit. Atyre që u takon ta mbrojnë popullin e Kosovës ndaj agreaioneve të tilla. Ftojmë këto instanca që me urgjencë të ndërpresin punën e paligjshme që po bëhet në lagjen Dardania, dhe të tregojnë guxim në përballje me hegjemonitë e rrezikshme për vendin tonë.

Kisha ortodokse në kampusin e UP nuk u përfundua kurrë. Dhe kurrë s’do të përfundojë. Të njejtin fat do ta ketë edhe kjo xhami ilegale.

Të ngjashme