Zgjidhja për grevën në arsim (dhe grevat e tjera) është rishikimi i Ligjit për Paga

Prishtinë | 28 Jan 2019 | 17:10 | Nga Resul Sinani

Politika jonë, qoftë si politikë bërje qoftë si vendimmarrje, vuan nga transparenca dhe nga përfshirja e grupeve të interesit.

Këtu edhe kur tentohet të bëhet transparencë, atëherë ajo nuk është e plotë ose është me prapavijë. Po ashtu, edhe kur përfshihen në vendimmarrje grupet e interesit ato përfshihen vetëm sa për sy e faqe e jo në mënyrë substanciale.

Kështu siç duket ka ndodhur edhe me ligjin për pagat, i cili nuk ka pasur as transparencën e mjaftueshme e as nuk i është kushtuar vëmendje e mjaftueshme kërkesave të grupeve të interesit.

Prandaj, në këtë periudhë kemi një kundërshtim të tij përmes grevave në disa sektorë (jo vetëm në arsim), ndërsa kulmi është greva e punëtorëve të arsimit të cilët sot kanë hyrë në javën e tretë të grevës së përgjithshme.

Siç duket, ky ligj, megjithëse pretendon të ofrojë zgjidhje për sistemin e pagave në vend, nuk ka qare* pa u rikthyer dhe për të eliminuar mangësitë e evidentuara nga grupet e interesit, nëse vërtetë duam zgjidhje e jo thellim të krizës së krijuar. Është mirë që Qeveria, para se ta procedojë më tutje ligjin, t’i rikthehet edhe një herë atij dhe t’i përfshijë në të të gjitha vërejtjet e grupeve të interesit duke e bërë atë në transparencë të plotë.

Kam përshtypjen se edhe po u pranua kërkesa e SBASHK-ut, ajo nuk do të shënojë fundin e grevës(ave) por do të shënojë fillimin e tyre, duke u marrë si model edhe nga gupet e tjera të cilat kanë pretendime për rritje të pagave, rrugë e cila na dërgon drejt bankrotimit të shtetit e jo drejt zgjidhjes së problemit.

Të ngjashme