Zhvillimet Ekonomike në Kosovë

Prishtinë | 27 Qer 2017 | 18:49 | Nga

Shkruan: Agim Krasniqi, zv.Ministër në Ministrin e Financave

Zhvillimi ekonomik po bëhen çdo ditë e më emocionale. Mirëpo, si në asnjë disiplinë tjetër sociale, debati ekonomik e kërkon përballjen me numra…dhe e bën të domosdoshme përdorimin e arsyes, e jo të dëshirave dhe emocioneve.

Ne jetojmë në një vend ku prodhimi i mallrave dhe shërbimeve brenda vendit i gjeneron rreth 3,280 Euro të ardhura për kokë banori (sipas BPV 2016, në 1.82 mil banorë), apo rreth 15,000 Euro për një ekonomi familjare. Rreth 1 miliard të hyra burojnë nga eksporti i shërbimeve, që kryesisht përbëhet prej shërbimeve që i ofrohen diasporës gjatë vizitave të tyre në Kosovë.

Në anën tjetër, shpenzimi për konsumin privat dhe publik është pothuajse i barabartë me totalin e të ardhurave që krijohen nga prodhimi dhe nga ofrimi i shërbimeve. Në një ekonomi ku të gjitha të ardhurat shpenzohen në konsum, teorikisht nuk ka kursime, e rrjedhimisht nuk ka as investime. Por në Kosovë, investimet në vitin 2016 arritën vlerën prej 1.6 miliard Euro, apo rreth 28% e BPV-së. Kjo është një pjesëmarrje shumë inkurajuese. Por si mund të ngjajë kjo?

Të gjithë treguesit që i përmenda na tregojnë për rolin e madh të një burimi që i shtohet të ardhurave që krijohen në Kosovë – të ardhurat nga burimet e jashtme. Në mungesë të këtyre të ardhurave, siç janë dërgesat monetare të diasporës ( që në vitin 2016 ishin 964 milion), donacionet (rreth 207 milion më 2016), pagat e punëtorëve sezonal (199 milion më 2016), apo pensionet nga vendet e huaja, ne ose do të kishim konsum shumë më të ulët në këtë vend, ose do të kishim fare pak investime.

Ky përshkrim na jep një ide shumë të mirë se modeli i tanishëm i zhvillimit, sado të pakënaqur që mund të jemi me të, e ka një afat skadimi. Në një të ardhme jo shumë të largët, ne nuk do të mund të llogarisim në prezencë kaq të theksuar të diasporës, e aq më pak të donatorëve. Pra, ne duhet të jemi të vetëdijshëm se kemi një dritare të ngushtë kohore. Dhe kjo bën që çdo ngecje në reforma që mundësojnë shtimin e të ardhurave të brendshme, të na dërgojë në një nivel më të ulët se sa ky që kemi sot.

Duke qenë të vetëdijshëm për këto karakteristika të modelit tonë të zhvillimit ekonomik, Ministria Financave ka filluar në vitin 2015 një strategji të re për shfrytëzimin e mundësive të financimit me kredi të buta nga Institucionet Financiare Ndërkombëtare të mirënjohura, duke i dhënë prioritet projekteve infrastrukturore me kthim të lartë ekonomik. Ne e dimë se për të mobilizuar resurset vendore të zhvillimit ekonomik duhet adresuar pengesa të mëdha strukturore.

Por, në një ekonomi si kjo e jona ku raporti i konsumit me të ardhura është kaq i lartë, nëse këto pengesa adresohen përmes borxhit të brendshëm, apo përmes rritjes së tatimeve, atëherë përfundojmë me sektor të tkurrur privat.

Përderisa kemi ende burime të qëndrueshme nga remitencat e burimet tjera, dhe kemi në dispozicion financim nga IFN-të me norma të volitshme të interesit e me maturitete mbi 25 vjeçare, kemi një situatë unike ku mund të adresojmë nevojat për investim publik pa e ndikuar negativisht nivelin e konsumit (përmes tatimeve), dhe pa i bërë konkurrencë sektorit privat për fondet e kreditimit në sistemin bankar vendor.

Varësia nga burimet e jashtme na vendos në presion të kohës, dhe çelësi është te selektimi i projekteve me rentabilitet të lartë ekonomik. E kjo nuk nënkupton vetëm projekte rrugore. Për herë të parë kemi lidhur marrëveshje financiare për investime në hekurudha, investime në kanalin e ujitjes IbërLepenc, investime në trajtimin e ujërave të zeza, investime në shëndetësi, dhe investime në digjitalizimin e arsimit.

Strategjia jonë e zhvillimit është shfrytëzimi i huamarrjes së jashtme koncesionare, duke hapur vend për sektorin privat në huamarrjen e brendshme. Por, që të shpenzosh më shumë se sa që fiton, siç është rasti ynë, duhet të krijosh kredibilitet mbi strategjinë ekonomike të vendit. E për të fituar këtë kredibilitet, duhet të ketë stabilitet makro-fiskal, dhe menaxhim efikas të financave publike.
Stabiliteti Makroekonomik si Parakusht i Zhvillimit Ekonomik

Koncepti i parë në ekonomi është Kufizimi. Çdo resurs është i kufizuar, dhe debatet mund të bëhen vetëm për shpërndarjen më efikase të këtyre resurseve. Financimi për secilin prioritet Nuk mund të rritet, dhe secila politikë dhe nevojë Nuk mund të jenë prioritet qeverisës. Duke u nisur nga ky koncept, më lejoni ta shpjegoj se cilët janë kufijtë me të cilët duhet të përballemi kur flasim për zhvillimin ekonomik, sidomos në kontekstin e strategjisë që e shpjegova më lartë.

Në Kosovë, gjatë viteve të fundit kemi pasur një normë inflacioni që e ka përcjellur mesataren e Eurozonës, me rreth 1% (kur e përjashtojmë çmimin e derivateve). Bizneset kosovare kryejnë transakcione me partner tregtar pa pasur frikë se nesër nuk do t’i pranojnë mallrat, sepse vlera e dërgesës monetare ka ndryshuar brenda natës.

Ky stabilitet makroekonomik që sot e gëzojmë, ndonëse shumë shpesh i anashkaluar dhe i konsideruar si i mirëqenë, është parakusht themelor për zhvillimin e ekonomisë të këtij vendi. Hiq më larg se para dy –tre viteve, ai ishte në rrezik serioz.

Mbarëvajtja e këtij stabiliteti kërkon energji dhe ka edhe koston e vet. Kur një vend i vogël vendos të adoptojë një valutë shumë kredibile dhe të vlerësuar, atëherë ai vend arrin të mbrohet nga rreziku permanent i inflacionit dhe ndryshimeve në normën e këmbimit. Por, në të njëjtën kohë ai heq dorë nga një vegël shumë potente – nga politika monetare. Duke hequr dorë nga kjo politikë, ky vend i bën dy gjëra:

1) së pari, detyrohet që politikën fiskale ta bëjë në mënyrën më të kujdesshme të mundur, sepse çdo gabim është i pakthyeshëm (nuk është se mund të prodhohen para dhe të bëhen pagesa – pra kur nuk ka të hyra, nuk ka shpenzime buxhetore)

2) së dyti, vendi detyrohet që produktet dhe shërbimet e veta t’i bëjë më konkurruese vetëm përmes rritjes së produktivitetit dhe kontrollimit të kostove të prodhimit (e jo përmes zhvlerësimit monetar krahas monedhave të vendeve tjera).

Çfarë domethënie kanë këto dy kushte në aspektin e politikës fiskale dhe zhvillimit ekonomik?
Së pari, me kufizime të këtilla, kërkohet buxhet i balancuar në mes të hyrave dhe shpenzimeve. Pastaj, kërkohet buxhet që është fleksibil në rast të ndryshimeve në ekonomi – që do të thotë shpenzime shumë të kontrolluara rrjedhëse. Por, çka është edhe më me rëndësi, kostoja e jetës pa frikë nga inflacioni përfshin edhe mbajtjen e rezervave monetare shtetërore, që duhet të kenë një nivel të mjaftueshëm për t’i bërë ballë krizave eventuale që vijnë si rezultat i faktorëve që janë jashtë kontrollit të vendim-marrësve.

Në anën tjetër, ekonomia pa politikë monetare e kufizon strukturën e shpenzimeve publike dhe masat që mund të ndërmerren për stimulimin e ekonomisë. Sektori publik, stimulimin më të madh zhvillimit ekonomik ia bën atëherë kur nuk e pengon zhvillimin e sektorit privat me administrim tatimor të pabarabartë e tejngarkues. Sektori publik në asnjë mënyrë nuk duhet ta ngrisë çmimin e punës për sektorin privat. Shpenzimet publike nuk duhet të rriten duke i shtuar barrë tatimore sektorit privat. Sektori publik nuk duhet t’i bëjë konkurrencë sektorit privat për huamarrje.

Kur këto parime nuk respektohen, atëherë strategjia e adresimit të problemeve strukturore me anë të investimeve bëhet jo kredibile. Për shembull, në vitin 2014, operacionet financiare të Qeverisë u karakterizuan me parashikime të hyrash që nuk përkonin me realitetin ekonomik, ndërsa shpenzimet jashtë procesit buxhetor – në bazë të vendimeve qeveritare – ishin të ditë për ditshme. Faturat e papaguara po ashtu po akumuloheshin. Ky konstrukt i financave publike ndikoi në rritje të shpenzimeve operative, dhe rritje të deficitit buxhetor (0.4% mbi kufirin e lejuar ligjor).

Përfundimisht, kjo ndikoi në rënie të rezervave monetare të shtetit në nivelin më të ulët historik (101 milion Euro). FMN i kishte rekomanduar Kosovës të ketë rezerva shtetërore që mbulojnë të paktën 3 muaj importe (në vlerë). Në Dhjetor 2014, rezervat po binin në një vlerë që nuk mbulonte as një muaj importe. Mbi këtë trend, po pritej edhe fillimi implementimit të MSA-së, me impakt negativ në të hyra prej më shumë se 25 milion Euro.

Dhe natyrisht, kur politika fiskale nuk është e sinkronizuar me nevojat ekonomike të vendit, atëherë edhe ekonomia vuan. Rritja ekonomike më 2014 ishte 1.2%, më e ulëta në historinë e shkurtër të Republikës së Kosovës.

Për të ju kundërvënë impaktit që ky trend i politikës fiskale po i shkaktonte zhvillimit ekonomik, që nga viti 2015 e tutje, u ndërmorën masa të menjëhershme:

• U identifikuan me miliona fatura të papaguara, dhe të njëjtat u shlyen përmes procesit të rregullt buxhetor

• U sforcua procesi buxhetor për të shmangur parashikime jo-realiste të të hyrave buxhetore,

• U adoptua një rregull e re fiskale në ligj që kufizon rritjen e pagave publike vetëm në nivelin e rritjes ekonomike në vend

• U sforcuan mekanizmat e kontrollit të brendshëm financiar dhe u zhvillua për herë të parë koncepti i prokurimit elektronik,

• U implementuan kursime brenda mallrave dhe shërbimeve që konsumon qeveria

• U identifikuan kursime brenda subvencioneve dhe transfereve

• U arrit një marrëveshje shumë e favorshme me Fondin Monetar Ndërkombëtar që ofroi financim koncesionar në vlerë prej mbi 150 milion Euro

• U implementua një pako e re fiskale që zvogëlon koston e financimit për biznese (duke u mundësuar pagesën e TVSH-së pas shitjes së mallrave) dhe ul kostot e inputeve të prodhimit (duke larguar detyrimin për pagesë të doganës)

Si rezultat, gjatë vitit 2015 dhe 2016, rritja e BPV-së u ngrit nga 1.2%, sa ishte me 2014, në një mesatare prej 4% në dy vitet e ardhshme. Mbi të gjitha, u ndërtua kredibiliteti i nevojshëm në financat publike që mundëson realizimin e vizionit tonë për shfrytëzimin, do të thoja, të momentit historik në adresimin e nevojave strukturore përmes huamarrjes së jashtme koncesionare.

Nëse këto masa nuk do të ndërmerreshin, atëherë në vitin 2015 dhe vitin 2016, më e pakta qe do të mund të ndodhte është rritja e shpejtë e borxhit të brendshëm (prej së paku 250-300 milion euro mbi vlerat aktuale), i cili gjithsesi do të ndikonte në normën e interesit dhe volumin e kredive në dispozicion për sektorin privat. Është po ashtu e sigurte se do të humbej një rast historik për lidhjen e marrëveshjeve të rëndësishme me IFN-të për projekt-kredi që kanë karakter strategjik në ekonomi.

Për të ardhmen, janë vendosur themele të shëndosha për ruajtjen e kredibilitetit të financave publike dhe ndërtimin e infrastrukturës së nevojshme ekonomike. Gjatë 3 viteve në vijim, nëse përcjellët plani i vendosur në KASH 2018-2020, shpenzimet publike operative nuk do të tejkalojnë vlerën prej 20% të BPV-së. Rritja ekonomike, e vlerësuar sipas një skenari konzervativ që nuk përfshin efektin e ndërtimit të Kosovës së Re, pritet të tejkalojë normën mesatare prej 4% në vit. Dhe këtu ju lutem vini re se 1 pikë përqindje në 2017 krahasuar me një pikë përqindje në vitin 2010 është shumë më e lartë në vlera absolute.

Gjithsesi që politika fiskale është vegël e rëndësishme në mbështetjen e zhvillimit ekonomik. Por, një element i dytë i qeverisjes ekonomike është edhe politika rregullative – administrimi, lejimi, licensimi.
Modeli i zhvillimit ekonomik tek ne nuk varet vetëm nga investimet dhe reformat e kushtueshme.

Për një zhvillim ekonomik të udhëhequr nga sektori privat, dhe për një zhvillim ekonomik të qëndrueshëm, rregullimi më i mirë është i një rëndësie jetike. Politika rregullative e definon rolin e shtetit si një refer te drejtë në ekonominë e tregut. Shembullin më konkret mund ta jap kur kemi vendosur ta liberalizojmë tregun e ofrimit të arkave fiskale, me të cilin rast një reformë me 0 kosto buxhetore ka përmirësuar një gabim të kaluar, dhe ka sjellë përfitime shumë të mëdha për bizneset e vogla dhe të mesme.

Me një agjendë shumë ambicioze të reformave në politikat rregullative gjatë vitit 2016 ne kemi arritur suksese shumë të mira në Raportin e Bankës Botërore për Të Bërit Biznes, me ngritje të rëndësishme në rangimin për pagesën e tatimeve dhe në tregtinë përtej kufijve.

Mbetet edhe shumë për t’u bërë në zbatimin e kontratave, zgjidhjen e kontesteve ekonomike përmes sistemit gjyqësor, dhe përcaktimin më të mirë të të drejtave pronësore. Legalizimi i objekteve pa leje sipas një procedure të drejtë dhe transparente është po ashtu një proces që do ketë ndikim të gjerë në zhvillimin ekonomik, dhe duhet të përfundohet brenda viteve te ardhshme.

Prandaj, për të mos e zgjatur më shumë, po e përmbledh edhe njëherë kuptimin tim për zhvillimin ekonomik të këtij vendi, dhe rolin e shtetit në të:

• Ne jemi në presion të kohës për të ndryshuar modelin tonë të zhvillimit – kjo për shkak se jemi të varur nga burime të shtershme të të ardhurave nga jashtë

• Ne kemi një infrastrukturë të pamjaftueshme publike (si të energjisë, ujit dhe ujitjes, minierave dhe mineraleve, arsimit dhe shëndetësisë) për të mbështetur një zhvillim më të lartë ekonomik që bazohet në burime të brendshme të hyrash nga prodhimi dhe ofrimi i shërbimeve

• Në të njëjtën kohë, shteti është i kufizuar në veglat që i ka në dispozicion për të stimuluar ekonominë – mungesa e politikës monetare kërkon përdorim shumë të kujdesshëm të asaj fiskale

• Strategjia jonë është të lirojmë burimet e brendshme të kreditimit për sektorin privat, t’i mbajmë të ulëta normat tatimore, ndërsa për financimin e projekteve të infrastrukturës publike të fokusohemi në kredi koncesionare nga IFN-të, duke aplikuar kritere strikte në përzgjedhjen e projekteve sipas rentabilitetit më të lartë ekonomik

• Që kjo strategji të funksionojë, nevojitet kredibilitet fiskal: nivel i ulët deficiti, shpenzime të kontrolluara rrjedhëse, dhe rezerva të mjaftueshme monetare që garantojnë stabilitet makroekonomik përballë çfarëdo rreziku të pakontrollueshëm

• Dhe në fund, adresimi i infrastrukturës së pamjaftueshme duhet të përcjellët me reforma radikale në politikën rregullative – që ulin burokracinë dhe mundësojnë efikasitet më të lartë ekonomik.

Fjalë Kryesore:

Të ngjashme