Zonja Osmani do mbahet mend si presidentja që e ka pasion ngjalljen e urrejtjes ndaj Shqipërisë

Prishtinë | 06 Pri 2022 | 22:01 | Nga Mero Baze

Duke qenë se është Presidente e një aleance atipike politike, zonja Osmani duhet të bënte përpjekje të bëhej një presidente e pranuar e gjithë palëve gjatë rrugës.

Gjatë këtij viti, u shqua për thellimin e konfliktit politik, duke i trajtuar kundërshtarët politik si armiq.

Politika e jashtme e një vendi të vogël si Kosova, ende me probleme të njohje ndërkombëtare është reflektim i politikës së brendshme.

Vende si Kosova, Shqipëria apo dhe të tjera në rajon, si politikë të jashtme më të mirë kanë politikën e brendshme.

Nëse janë vende demokratike, nëse janë vende të hapura e Perëndimin dhe pa mentalitet izolacionist ato kanë politikë të jashtme të mbështetur nga Perëndimi.

Ndryshe izolohen.

Kosova gjatë këtij viti ka qenë vend i izoluar për shkak të politikave të qeverisë, të gabimeve izolacioniste të Albin Kurtit dhe kjo reflektohet në axhendën ndërkombëtare të tyre.

Albin Kurti krijoi një luftë të ftohtë me SHBA dhe Brukselin dhe njohjet vijnë prej tyre jo prej politikës së Kosovës.

Njohja e fundit dhe më e rëndësishme ajo nga Izraeli ka ardhur nga Marrëveshja e Uashingtonit që Albin Kurti e ka hedhur në kosh.

Raportet e Kosovës me Shqipërinë prej ardhjes së Albin Kurtit në pushtet janë më të këqijat e 100 viteve, për shkak të protagonizmit dhe delirit të tij poltik për t’u shfaqur si lider “mbarë shqiptar”.

Deliri i madhështisë dhe megalomania e një politikani provincial që vuan nga kompleksi i pakicës së pakicës në origjinën e tij në Mal të Zi, me sa duket është kthyer në problem.

Ai madje mori pjesë në zgjedhje në Shqipëri një vit më parë, me po atë delir, por u kthjellua shpejt kur nuk mori dot as 0,1 për qind të votave.

Prej atëherë u ul me këmbë në tokë dhe filloi të normalizoj raportet me shtetin shqiptar.

Ndërsa zonja Osmani do mbahet mend si Presidentja që e ka pasion ngjalljen e urrejtjes ndaj Shqipërisë.

Shpresoj të mos jetë kompleks inferioriteti.

Ka plot vende fqinje me Shqipërinë që kanë dhe arsye historike ta urrejnë këtë vend, por nuk kanë prodhuar aq ndasi dhe urrejtje sa zonja Osmani.

Osmani është presidente e zgjedhur nga Albin Kurti dhe profili i saj i ulët ndërkombëtar vjen dhe nga ky shkak.

Ajo duhet të gjente rrugë dhe fuqi të shpaloste identitetin e saj për tu bërë presidente e Kosovës.

Deri tani se ka gjetur dot atë forcë, ka mbetur presidente e Albin Kurtit.

Të ngjashme