Paçarizi i quan të paqëndrueshme arsyetimet e Kurtit për refuzimin ndaj Thaçit

Prishtinë | 09 Mar 2020 | 14:50 | Nga Ekonomia Online

Njohësi i çështjeve politike, Rrahman Paçarizi, njëherësh edhe profesor universitar, ka deklaruar lidhur me refuzimin e kryetarit të Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti, ndaj ftesës së Presidentit Hashim Thaçi, për të zhvilluar takimin e thirrur nga ky i fundit, me qëllim të informimit, konsultimit dhe koordinimit për çështje të interesit shtetëror.

Paçarizi ka komentuar qëndrimet e kryeministrit Kurti, i cili tha se si kryetar i VV’së nuk ka interes dhe as gatishmëri të takojë Presidentin, duke lënë hapësirë për një takim tjetër kur të mbarojnë ato me partitë.

Në një përgjigje për Gazetën Metro, Paçarizi ka thënë se ky arsyetim nga ana e Kurtit nuk është mjaftueshëm i qëndrueshëm, por sipas tij nëse ky qëndrim do të konsiderohej i tillë, Presidenti Thaçi do të duhej të ftonte Kurtin në cilësinë e kryeministrit për t’u konsultuar dhe koordinuar, pasi t’i ketë kryer konsultimet me liderët partiakë.

“Nuk mendoj se arsyetimi i kryeministrit Kurti është mjaftueshëm i qëndrueshëm. Megjithatë, nëse qëndrimi i tij do të konsiderohej i qëndrueshëm, atëherë presidenti Thaçi, pasi tashmë i ka kryer konsultimet me liderët partiakë, do të duhej të bënte hapin e duhur duke e ftuar z. Kurti në cilësinë e kryeministrit për t’u konsultuar dhe koordinuar”, ka thënë Paçarizi për Metron.

Ndërkaq, gjatë ditës së djeshme, kur është bërë e ditur se Shefi i Shtetit do të presë në takime të ndara liderët institucionalë, këto takime Paçarizi me anë të një postimi në Facebook, i ka quajtur shanse të liderëve politikë për t’i dhënë fund krekosjeve dhe kalkulimeve politike dhe populiste.

Madje, ai tha se gjithçka tjetër në këto takime, qoftë edhe refuzimet eventuale, do të tregonin klasë politike joserioze dhe të papërgjegjshme.

Të ngjashme