​Abazi, Grenellit: Pse po tregon mungesë respekti për një vend miqësor, demokratik dhe qeverinë e tij

Prishtinë | 19 Pri 2020 | 18:08 | Nga Ekonomia Online

Zëvendëskryeministri në detyrë i Kosovës Haki Abazi i është kundërpërgjigjur kërkesës së ambasadorit Richard Grenell për heqjen e taksës dhe reciprocitetit ndaj mallrave të Serbisë.

Ai në një postim në Twitter shkruan se Kosova tashmë ka hequr taksën ndaj Serbisë.

“Tarifat janë hequr tashmë. Udhëheqësit dhe përfaqësuesit e vërtetë të popullit të Kosovës u zgjodhën më 6 tetor 2019. Pse po tregon mosrespektim për një vend miqësor demokratik dhe qeverinë e tij? Liderët në demokraci përcaktohen nga zgjedhjet dhe mbështetja / votat e njerëzve”, ka shkruar Abazi.

Emisari special i presidentit të SHBA-së Donald Trump, Richard Grenell, ka thënë se nëse hiqen tarifat dhe reciprociteti nga java e ardhshme, atëherë do të fillojë dialogu.

“Posa të hiqen tarifat/reciprociteti (ndoshta këtë javë?), atëherë dialogu fillon me seriozitet. Unë kam folur me liderët në Serbi dhe Kosovë për të sqaruar se ata duhet të fillojnë të ndërtojnë besim sot në përgatitje – dhe ata janë angazhuar ta bëjnë këtë. Të tjerat do të vijnë së shpejti”, ka shkruar Grenell.

Të ngjashme