​Nesër prezantohet në Kuvend programi i Qeverisë Kurti

Prishtinë | 16 Maj 2021 | 17:44 | Nga Ekonomia Online

Kuvendi i Kosovës do të mbaj nesër një seancë të jashtëzakonshme duke filluar nga ora 10:00, me temën e vetme të rendit të ditës prezantimi i programit qeverisës për katër vjetët e ardhshëm, i miratuar më 7 maj.

Programi qeverisës do të fokusohet në masat për përballimin e pasojave që po lë pandemia, zhvillimin ekonomik të vendit, mbështetjen për bizneset, rritjen e pagës minimale, krijimin e vendeve të punës dhe riorganizimin të skemave sociale.

Prioriteti i parë sipas Qeverisë Kurti 2 është shëndeti në kushtet e pandemisë, ndërsa i dyti ka të bëjë me ekonominë po ashtu në kushtet e pandemisë. Në këtë aspekt, sipas kryeministrit Albin Kurti, prioritet i qeverisë është sigurimi i vaksinave.

Kurti ka thënë se gjatë mandatit të qeverisë së tij do të ketë transparencë, profesionalizëm dhe llogaridhënie. Ndërsa ka premtuar reforma në drejtësi ku vettingu do të jetë fjala kryesore e kësaj reforme.

Po ashtu Kurti ka thënë se gjatë mandatit të tij qeverisës do të bëhen reforma në skemat sociale duke ofruar mbështetje për familje me të ardhura të vogla, shtesa për fëmijë e punësime për moshat e reja. Ai ka premtuar edhe ndërtimin e 160 çerdheve në gjithë vendin, mbështetje financiare për çiftet e reja dhe rritje të pagës minimale në 250 euro.

Kurti ka premtuar se gjatë këtyre katër vjetëve të qeverisjes, do të përmbyllet zhvillimi i sistemit informimin shëndetësor dhe do të fillohet me rritjen e fondit të sigurimeve shëndetësore.

Po ashtu, ka thënë ai, do ta përmbyllet reforma e administratës publike dhe do të zbatojë diversifikimin e burimeve të energjisë dhe asetet strategjike, duke garantuar edhe çmime të përballueshme për industritë dhe amvisëritë.

Kurti ka premtuar edhe qasje në ujë të pijshëm për ata qytetarë që nuk kanë dhe problemi i ujërave të zeza pas katër vjetëve qeverisej të jetë një problem i së kaluarës.

Fjalë Kryesore:

Të ngjashme