11 dështimet e qeverisë Kurti, sipas Ramush Haradinajt

Prishtinë | 22 Mar 2022 | 15:09 | Nga Ekonomia Online

Kryetari i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Ramush Haradinaj i ka renditur 11 arsye sipas të cilave ai mendon se ka dështuar qeveria e udhëhequr nga Albin Kurti.

Dështimin e parë Haradinaj e sheh mos miratimin e ligjit të pagave. Sipas tij, prej se e ka marr detyrën Kurti, nuk ka rritje të pagave, pensioneve dhe ngecje të të hyrave të qytetarëve.

Më tutje ai tha se si dështim të dytë e sheh sektorin e energjisë, pastaj kapjen e bordeve dhe institucioneve të pavarura.

Haradinaj e ka kritikuar qeverinë edhe për menaxhimin e pandemisë dhe dialogun teknik me Serbinë.

Postimi i plotë i tij:

Këto janë vetëm disa nga dështimet e qeverisë Kurti pas një viti të qeverisjes.

Dështimet e njeriut që i ka shkelur premtimet e veta e që është distancuar nga populli.

1.Dështimi në miratimin e ligjit të pagave

Prej se e ka marrë detyrën e kryeministrit, nuk ka rritje të pagave, nuk ka rritje të pensioneve, ka ngecje në shtimin e të hyrave për qytetarët.

Qytetarët marrin aq sa kanë marrë para një ose dy viteve, e çmimet janë rritur në mënyrë enorme.

2.Dështimi në fushën e energjisë

Ndalja e projektit të gazsjellësit amerikan. Vendnumërimi në ndërtimin e kapaciteteve të reja energjetike. Shtrenjëtimi enorm i energjisë elektrike. Pagesa e dhjetëra milionë eurove për energjinë e qytetarëve serb në veri.

3.Kapja e bordeve dhe institucioneve të pavarura

Nepotizmi në shkallë shqetësuese në politikën e punësimeve.

4.Menaxhimi i keq i pandemisë

Në muajt e parë shkalla tejet e ulët e vaksinimit të popullsisë. Mbyllja pa kriter e gastronomisë. Mbajtja e orës policore përtej çdo kriteri dhe arsyeje. Paketat e ndihmës ekonomike në kohën e pandemisë, pa asnjë efekt në rehabilitim të pasojave të saj.

5.Vazhdimi i dialogut pa koncept me Serbinë. Dialog i nivelit teknik nga i cili Kosova nuk përfiton asgjë.

6.Menaxhimi jo profesional i situatave të sigurisë të krijuara në veri

Ekspozimi i policëve të Kosovës deri në përulje përballë bandave kriminale në veri.

7.Dhënia e dhjetëra tenderëve njëburimor, që është shndërruar në model të korrupsionit.

8.Dështimet në politikën e jashtme Mosantarësimi i Kosovës në asnjërën prej organizatave ndërkombëtare, mungesa e njohjeve, tërheqja e ambasadorëve pa asnjë shpjegim dhe lënja bosh e vendit të tyre për muaj të tërë. Plus skandale të njëpasnjëshme.

9.Qëndrimi i tij për luftën për liri dhe njëjtësimi i arkivave të Serbisë që kanë mijëra dosje të krimeve monstruoze kundër shqiptarëve me arkivat që nuk egzistojnë të UÇK-së.

10.Fushata sistematike institucionale kundër fjalës së lirë, mediave dhe gazetarëve. Margaritari i fundit i kësaj fushate është deklarata e shefit të stafit të kryeministrit, se si disa media janë ndërmarrje të kriminalizuara.

11.Dështimet në garantimin e pavarësisë së gjyqësorit

Tendenca në rritje për të vendosur kontroll në mënyrën e përzgjedhjes së kryeprokurorit. Me ligjin aktual kryeprokurori zgjedhet nga Këshilli Prokurorial i Kosovës. Tendenca e kryeministrit është që t’i mbivotojë anëtarët e këtij këshilli, duke zvogëluar numrin e tyre nga 13 sa janë aktualisht në 7, e të tjerët t’i marrë sipas modelit të tij, laikë, nga Avokati i Popullit apo Kuvendi. Model që nuk e kanë as vendet e rajonit e as të BE.

Kryeministri përzihet pikërisht në kohën kur duhet të zgjedhet kryeprokurori, me modelet e tij, se si duhet të jetë ai. Kjo nuk është punë e kryeministrit.

Ka edhe shumë dështime të tjera, kategori në vete, që janë edhe më shumë se dështime, por gabime ordinere, si:

– Kërkesa qesharake e Kurtit në Bruksel për shndërrimin e CEFTA-s në SEFTA

– Deklarimi pa sqarim se Kosova e mbështet një Asociacion gjeografik

– Qëndrimi skandaloz që Marrëveshja e Uashingtonit nuk ka obligime juridike për Kosovën.

– Shfuqizimi i marrëveshjeve me komuna dhe heqja e mjeteve të parapara me buxhet

– Zvogëlimi i subvencioneve për bujq, vonesa e realizimit të tyre dhe realizimi parcial. Zvogëlimi i subvencioneve direkte për vreshtarë prej 1000 në 400 euro

– Heqja dorë nga rivendosja e reciprocitetit me Serbinë pavarësisht se ishte premtim elektoral i VV

– Nisma e pastudiuar për padi ndaj Serbisë për gjenocid qe mund te na kthehet në humbje…..

Të ngjashme