12 ambasadat e Kosovës “të zbrazëta”, flasin disa nga diplomatët që lëshuan zyret

Prishtinë | 01 Sht 2021 | 21:33 | Nga Ekonomia Online

Në fund të gushtit iu mbaroi misioni i punës 12 ambasadorëve të cilët ishin shkarkuar me vendim të ministres së Punëve të Jashtme dhe Diasporës, Donika Gërvallës, në qershor të këtij viti.

Ambasadori i Kosovës në Australi, Hajdin Abazi, duke lënë zyren ka thënë se nuk kishte kujt t’ia dorëzonte postin, kjo pasi nuk ishte emëruar askush që do ta zëvendësonte

“Prita deri në ora 17:00 minuta me kohën e Australisë, dhe me kohën e Kosovës ora është 09:00 minuta. Askush nuk erdhi për të bërë pranim-dorëzimin në Ambasadën e Republikës së Kosovës”, ka shkruar Abazi në rrjetin social Facebook.

Ndryshe nga Abazi, ish-ambasadori i Kosovës në Emiratet e Bashkuara, Avni Arifi, ka theksuar se detyrën e ka dorëzuar tek sekretari i parë Egzon Demiri, i cili do të jetë i ngarkuar i detyrës (Charhe de Affairs).

Lidhur me atë se ende nuk është emëruar asnjë ambasador që ta marrë pozitën e tij, Arifi për Klankosova.tv. deklaroi “Nuk dua të komentoj vendimin e Qeverisë që ne të mos zëvendësohemi menjëherë me ambasador. Për këtë le të vlerësojnë të tjerët”.

Sa i përket asaj se çfarë do të ndodhë me ambasadën pa drejtues të ri, ai theksoi se në Emirate procesi i akreditimit të ambasadorit është proces i gjatë.

“Ne rastin tim prej dërgimit të emrit tim në Emirate (23 Janar 2019) e deri në përgjigje pozitive nga vendi nikoqir kanë pas kaluar shtatë javë apo me 9 Mars. Kurse dorëzimi i kredencialeve që faktikisht është edhe zyrtarisht fillim i punës së ambasadorit ka ndodhur më 7 korrik. Sipas të gjitha gjasave këtë vit vështirë se do të ketë Kosova ambasadorë të kompletuar me të gjitha autorizimet”, ka thënë Arifi.

Ndërsa, ish-ambasadori i Kosovës në Maqedoninë e Veriut, Gjergj Dedaj, i cili ishte në mesin e të shkarkuarve këtë çështje e ka cilësuar si “skandal të Kosovës”.

“Një skandal i tillë i bërë për nevoja partiake klanore dhe nepotiste është edhe ofendim për shtetet pritëse ku kanë shërbyer shkëlqyer ambasadorët pa asnjë vërejtje. Siç e dini 11 ambasadorëve të tjerë iu dha mundësia për të vazhduar misionin edhe për disa muaj, siç po thonë deri me 31 gusht 2021 konform ligjit dhe Konventës së Vjenës”.

“Mua me urdhëruan dhunshëm, përmes një vendimi të ardhur më 26 maj që ta liroj zyrën dhe ambasadën me 27 maj, pra për një ditë, pa asnjë vërejtje nga Kosova dhe asnjë vërejtje nga Maqedonia e Veriut”, ka thënë Dedaj për klankosova.tv.

Ai ka pohuar se ka ngritur padi në Gjykatën e Prishtinës lidhur me këtë.

“Për skandalin ndaj shkarkimit tim joligjor për një ditë, i kam njoftuar korin diplomatik, institucionet evropiane dhe ndërkombëtare, institucionin e Avokatit të Popullit si dhe përmes avokatit kam ushtruar padi në Gjykatën e Prishtinës, nëse institucionet e drejtësisë nuk veprojnë apo influencohen nga politika, do të kërkoj drejtësi ndërkombëtare deri në Gjykatën e Strasburgut”.

Nga ana tjetër, Vlora Çitaku, ish-ambasadorja e Kosovës në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, e ka quajtur si papërgjegjësi totale mosemërimin e ambasadorëve nga Ministria e Punëve të Jashtme dhe Diasporës.

“Nga sot, shumica e Ambasadave të Republikës së Kosovës janë pa titullar. Pa shef misioni, dhe pa të ngarkuar me punë. Ka edhe ambasada të cilave u është vënë dryni. Kjo është papërgjegjësi totale ndaj shtetit. Kjo është suspendim i politikës së jashtme. Qeveria dhe Presidenca kanë pasur mjaftueshëm kohë që të përzgjedhin Ambasadorët. Nuk ka asnjë arsyetim. Papërgjegjësi ndaj shtetit dhe mungesë konsiderate për shtetin nikoqir. Në diplomaci, nëse e tërheqë shefin e misionit, pa dërguar emrin e pasuesit, dërgohet mesazh”,ka thënë Çitaku për Klankosova.tv.

Për të marrë përgjigje rreth asaj se kush do të jenë ambasadorët e rinj të Kosovës nëpër botë, Klankosova.tv ka dërguar pyetje në Ministrinë e Punëve të Jashtme dhe Diasporës, por nuk ka marrë një përgjigje për të dytën ditë me radhë.

Përpos, Abazit, Dedajt e Arifit, përfundimin e misionit e kishin bërë të ditur edhe ambasadorët e tjerë me anë të rrjeteve sociale.

Ambasadorët e shkarkuar janë: Nait Hasani (Shqipëri), Arbër Vllahiu (Çeki), Lirim Grejqevci (Holandë), Shpend Kallaba (Hungari), Gëzim Kasapolli (Kroaci), Avni Kastrati (Slloveni), Gjergj Dedaj (Maqedoni e Veriut), Hajdin Abazi ( Australi), Ylber Hysa ( Mali i Zi), Avni Arifi (Emiratet e Bashkuara Arabe), Amir Ahmeti (Katar) dhe Beqë Cufaj (Gjermani).

Të ngjashme