18 vjet nga “Trazirat e Marsit”, Tahiri: Decentralizimi – dhurata e 17 marsit 2004

Prishtinë | 17 Mar 2022 | 11:44 | Nga Ekonomia Online

Shefi i Grupit Parlamentar të Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Besnik Tahiri ka kujtuar revoltën qytetare të njohur edhe si ‘Trazirat e Marsit të vitit 2004.

Përmes një postimi në llogarinë e tij në Facebook, Tahiri ka thënë se këto trazia u shfrytëzuan nga qeveria e atëhershme e Serbisë për të shtyrë procesin e decentralizimit në Kosovë.

“Trazirat e 17 marsit të vitit 2004 u shfrytezua nga qeveria e atëhershme e Serbisë si një moment nxitës për të shtyrë decentralizimin në Kosovë duke qenë kryesisht e interesuar për të krijuar sa më shumë komuna, në mënyrë që të krijojë korridore etnike territoriale dhe të sigurojë autonomi më të madhe për pakicën serbe”.

“Në anën tjetër, bashkësia ndërkombëtare në Kosovë, si njëra nga forcat kryesore nxitëse e decentralizimit, e perceptonte këtë politikë si një aspekt të rëndësishëm në reformimin e strategjisë së qeverisë dhe për akomodimin dhe sigurimin e mbrojtjes më të madhe e të prosperitetit të pakicave etnike”, ka shkruar Tahiri.

Tahiri ka shtuar se edhe pas 18 viteve, Kosova po ballafaqohet me probleme dhe debate nëse kemi vendosur ose jo drejt kur është votuar për decentralizimin në atë kohë.

“Ndërsa Qeveria e Kosovës duke qenë plotësisht e përkushtuar për pavarësinë e Kosovës ishte e gatshme të bisedojë për çfardo modalitete rreth decentralizimit të qeverisjes, në mënyrë që t’i përmbushë interesat e pakicës serbe dhe për rrjedhoj të shpall pavarësinë”.

“Fatëkeqësisht, tash e 18 vjet, vendi po ballafaqohet me probleme dhe debate se a kemi vendosur drejt kur votuam një decentralizim që bazat e veta i ka në riorganizim teritorial dhe etnik.Në fakt, decentralizimi u kthye si mjet themelor për t’i përmbushur dhe siguruar aspiratat e palëve (shqiptarëve dhe serbëve) për kontrollin e tyre politik, vetëqeverisës dhe territorial në Kosovë”, është shprehur Tahiri.

Sipas Tahirit, edhe sot pas 18 viteve, Serbia vazhdon betejën për ta dobësuar Kosovën, tani me Asociacionin.

“Sot, kur flasim për dialogun, Serbia vazhdon betejën e vet për ta dobësuar Kosovën, tani me statutin e Asociacionit!”, ka përfunduar Tahiri.

Të ngjashme