193 projektligje e presin “aminin” e Kuvendit – zgjedhjet lokale pengesë për miratimin e tyre

Prishtinë | 18 Sht 2021 | 08:15 | Nga Hasan Hoti Shkarko Videon HD

Për ta shkarkuar videon ju lutem kyçuni ose regjistroni një llogari të re!

| Regjistrohu

24 projektligje kanë mbetur në procedura që nga sesioni pranveror, numër ky që mund të rritet duke parë që agjenda legjislative e Qeverisë përmban gjithsej 193 projektligje për këtë vit, raporton Ekonomia Online.

Agnesa Haxhiu nga KDI-ja thotë për Ekonomia Online, se numri i Projektligjeve është shumë i madh, krahasuar me periudhën e mbetur deri në përmbyllje të punës së Kuvendit.

“Prej sesionit pranveror projektligjet që kanë mbetur në procedura aktualisht janë 24, mirëpo këtij numri pritet t’i shtohen edhe projektligjet e tjera sepse agjenda legjislative e qeverisë përmban 193 projektligje për këtë vit, që është një numër goxha i madh krahasuar me periudhën kohore që ka mbetur deri në përmbyllje të punës së Kuvendit për këtë vit”, tha ajo.

“Ajo çka është e shumë e rëndësishme të theksohet kur flasim për agjendë legjislative, është periudha më e shkurtër që e përmban sesioni vjeshtor, krahasuar me atë pranveror, dhe mendoj që Kuvendi ndonëse ka me pas një rritje të numrit projektligjeve që procedohen nga Qeveria, mendoj që Kuvendi duhet t’i vendos disa prioritete edhe këtu planet për këtë periudhë e mbetur të vitit, të jenë më realiste dhe në përputhje dhe me afate kohore që kanë mbetur, pra deri në përfundim të vitit 2021”.

Ndonëse janë kryer pak punë këtë sesion, Haxhiu thekson se sfidë tjetër për Kuvendin do të jenë zgjedhjet lokale që pritet të mbahen më 17 tetor.

Sipas saj, periudha e shkurtër që ka ky sesion vjeshtor dhe zgjedhjet lokale, do t’i pamundësojnë miratimin e shumë Projektligjeve.

“Gjithashtu një problem që duhet të theksohet, është çështja e zgjedhjeve lokale. Meqenëse po hyjmë në ciklin zgjedhor i cili do të zgjasë më shumë sesa zgjedhjet parlamentare, dhe mendoj që bashkë me periudhën më të shkurtër kohore që e ka sesioni vjeshtor, do të jetë goxha e vështirë për Kuvendin, që të jetë mbarëvajtje të punimeve, ndërkohë të këtë produktivitet më të madh”.

“Pra pritjet janë shumë të vogla për shkak të këtyre sfidave. Disa prej projektligjeve që aktualisht janë në procedurë, në fakt kanë qenë me vite të tëra që janë bartur nëpër dikastere, e në mungesë të konsensusit nuk janë përcjellë në Kuvend që të shqyrtohen e më pastaj të miratohen”, u shpreh ajo.

E bashkëpunimi pozitë-opozitë sipas saj do të zbehet edhe më shumë me mbajtjen e zgjedhjeve lokale.

Ajo thotë se zhvillimet politike që do të ndodhin në këto zgjedhje do të ndikojnë drejtpërsëdrejti në mbarëvajtjen e punës në Kuvend.

“Duke marrë parasysh sesi ka funksionuar ky bashkëpunimi pozitë-opozitë gjatë sesionit pranveror, ku është kërkuar një shumicë e thjeshtë, mazhoranca nuk e ka nevojën e opozitës, mirëpo në çështjet që kërkohen 2/3, për marrëveshjet ndërkombëtare apo rregulloren e punës, kjo do të jetë problematike”.

“Deri tash nuk ka pasur vullnet të ndërrohen këto pozicione që i kanë pasur në sesionin pranveror dhe mendoj që tash kur ndodhin zhvillimet politike jashtë Kuvendit, ndikojnë edhe brenda saj dhe ky tensioni që mundet të krijohet në zgjedhjet lokale, mund të bartet në Kuvend dhe mund të acarohen ky lloj bashkëpunimi potencial pozitë-opozitë”, u shpreh ajo për EO.

E kur jemi në prag të fushatës për zgjedhjet lokale, shumë deputetë pritet ta pamundësojnë mbarëvajtjen e punës në Kuvend.

Për këtë, Erblin Hoxha nga Lëvizja “Fol”, thotë se mungesa e tyre duhet të sanksionohet me pagë. 

“Unë mendoj që duhet të ketë, të ketë një ndërrim të mënyrës sesi paguhen dhe si kompensohen deputetët. Deputetët që kanë një rrogë më të madhe sesa rroga e shumicës së popullit, e të cilët paguhen prapë paguhen që ta kryejnë atë punë për çdo seancë, duket një absurd në vete, prandaj jo vetëm që duhet të ketë sanksione për deputetët të cilët mungojnë, por duhet që edhe mënyra sesi ata kompensohen, të ndërroj rrënjësisht”.

“Një pagë e vetme e një deputeti do të mjaftonte që ata me shkuar me përfunduar punën e tyre për të cilën edhe e kërkojnë votën e qytetarëve”, u shpreh ai.  

Kryesia e Kuvendit ka caktuar për 20 shator seancën e parë të sesionit vjeshtor.

Të ngjashme