LDK e pranon se nuk mund të rrëzojë qeverinë, i kërkon dorëheqjen

Prishtinë | 29 Tet 2018 | 14:25 | Nga Besiana Dauti Shkarko Videon HD

Për ta shkarkuar videon ju lutem kyçuni ose regjistroni një llogari të re!

| Regjistrohu

E plotësuar: Lidhja Demokratike e Kosovës nuk ka arritur ende mbështetjen e mjaftueshme të deputetëve për rrëzimin e qeverisë.

“Janë pjekë kushtet që Qeveria e Kosovës të japë dorëheqje dhe Parlamenti të shpërndahet. Nuk është interes i qytetarëve të ketë një Parlament të tillë, dhe një qeveri e shpenzimeve është më mirë të mos presë mocionin e opozitës. Kjo qeveri po improvizon tema sa për të ekzistuar,” është shprehur në një konferencë për medie kreu i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Isa Mustafa, raporton EkonomiaOnline.

Në mbledhjen e kryesisë së kësaj partie thotë se është folur edhe për dialogun me Serbinë.

“Dialogu ndërmjet Kosovës dhe Serbisë duhet të zhvillohet për çështje të interesit të dy shteteve dhe duhet të zhvillohet ndërmjet dy shteteve dhe jo ndërmjet Prishtinës dhe Beogradit, dhe duhet të ketë qëllim përfundimtar njohjen ndërmjet Kosovës dhe Serbisë. Duhet të ketë të qartë motivin dhe kohën,” tha Mustafa.

Ai shton se do të kërkojnë të ndryshohet qasja e këtij dialogu, raporton EO.

“Dialogu, do të kërkojmë edhe nga Komisioni Evropian që të definohet ndërmjet Kosovës dhe Serbisë si dy vende të barabarta. Nuk duhet të vë në pikëpyetje rezultatet e shtetndërtimit të Kosovës. Duhet të bëhet mbi bazën e Kushtetutës së Kosovës,” deklaroi Mustafa.

Mustafa thotë se marrëveshja finale duhet të kërkojë edhe miratimin e Komisionit Evropian, në mënyrë që të jetë e pranueshme edhe për pesë vendet që ende nuk e kanë njohur Kosovën.

“Vlerësojmë lartë rolin e BE dhe ShBA në këtë proces, por kërkojmë që dyja palët të jenë aktivisht të involvuara jo vetëm si lehtësues por edhe në implementimin, sepse duhet të ketë palë garantuese të marrëveshjes, kjo marrëveshje nuk duhet të pengojë anëtarësimin në institucionet ndërkombëtare si OKB, BE dhe NATO. Dialogun mund ta zhvillojë vetëm një qeveri e shumicës e cila do të mundësojë që rezultatet e dialogut të aprovohen me dy të tretat e Kuvendit, dhe kjo marrëveshje të aprovohet edhe në Komisionin Evropian në mënyrë që mos të ketë qëndrim neutral, dhe në mënyrë që kjo marrëveshje të njihet edhe nga pesë vendet mosnjohëse të BE-së,” është shprehur ai.

Për më tepër, Mustafa beson se presidenti, Hashim Thaçi, nuk ka mandat të kryesojë negociatat me Serbinë, por nuk pranon as një kryesues të qeverisë aktuale.

“Presidenti nuk ka mandat ta bëjë këtë punë, por këtë punë duhet ta ushtrojë Qeveria e cila i përgjigjet Kuvendit dhe ka mekanizma të mjaftueshëm të udhëheqë dialogun. Ky proces do të ndodhë pas legjitimimit qytetarë. Korrigjimi i kufijve nuk mund të zgjidhë problemin me Serbinë,” tha Mustafa.

Ai ka bërë të ditur se LDK-ja, përmes nënkryetarit Lutfi Haziri do të përfaqësohet në kongresin e Partive Popullore Evropiane do të diskutojmë çështjet e vendit, dhe nevojën që qytetarët të lëvizin pa viza.

 Të mërkurën seanca për dialogun, LDK mbledhë kryesinë

Kryesia e LDK-së ka filluar mbledhjen, të cilën po e kryeson kryetari i kësaj partie, Isa Mustafa, raporton EkonomiaOnline.

Sot, Kryesia e Kuvendit të Kosovës ka vendosur që të mërkurën të mbahet seanca e jashtëzakonshme e inicuar nga Lidhja Demokratike e Kosovës, në lidhje me dialogun ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, të ndërmjetësuar nga Bashkimi Evropian.

Specifikisht kundër idesë së presidentit, Hashim Thaçi, për diskutimin e kufijëve në margjina të këtyre negociatave me Serbinë.

Takimi është i mbyllur për media, ndërsa pas takimit është paralajmëruar konferencë për medie.

Kjo parti ka bojkotuar në vazhdimësi seancat e thirrura pas seancës për dialogun, me përjashtim të seancës kur u votuan në parim projektligjet që fuqizojnë rolin e Forcës së Sigurisë së Kosovës drejtë transformimit të plotë në ushtri.

Të ngjashme