2016-a, vit i vështirë për Kuvendin

Prishtinë | 22 Dhj 2016 | 08:18 | Nga

Viti 2016 vlerësohet si vit i dështimit për Kuvendin e Kosovës, për shkak të dështimit të përmbushjes së agjendës legjislative e të moskontrollit ndaj Qeverisë. Në këtë vit vlerësohet se nuk është marrë ndonjë vendim i madh, përveç bojkotimeve dhe bllokimeve të Kuvendit.

Viti 2016 ka qenë sfidues për funksionimin e Kuvendit për shkak të vazhdimit të krizës së filluar në vitin e kaluar pas nënshkrimit të Marrëveshjes për themelimin e Asociacionit të Komunave me Shumicë Serbe dhe të asaj për Demarkacionin e Kufirit me Malin e Zi.

Kështu, ky vit nuk shquhet për ndonjë sukses të Kuvend, por për dështim të përmbushjes së agjendës legjislative dhe për dështim të mbikëqyrjes së punës së Qeverisë.

Nga dhuna dhe bojkotimi i seancave Kuvendi nuk ka arritur të përmbushë as 40 për qind të planit legjislativ.

Shefi i Grupit Parlamentar të Partisë Demokratike të Kosovës, Zenun Pajaziti, ka thënë për “Zërin” se viti 2016 ka qenë një vit i vështirë për Kuvendin për shkak të pengesave që, sipas tij, i ka shkaktuar opozita. Megjithatë, sipas Pajazitit, Kuvendi ka arritur që t’i kryejë obligimet e veta.

“Kryesisht ka qenë vit me telashe për shkak të vështirësive që janë paraqitur prej opozitës, e cila e ka vështirësuar funksionimin normal të Kuvendit. Megjithatë, kemi arritur ta zhbllokojmë Kuvendin dhe ta normalizojmë punën në Kuvend.

Gjithsesi që sjellja e tillë e ka penguar funksionimin normal dhe realizimin e agjendës së trupave të Kuvendit, komisioneve dhe deputetëve. Viti po përmbyllet duke konstatuar që agjendat kryesore politike po trajtohen”, ka deklaruar Pajaziti, duke thënë se nuk do të dëshironte që të kthehen skenat e gazit.

Në anën tjetër deputeti i Lëvizjes “Vetëvendosje”, Rexhep Selimi, ka thënë se e mira e këtij viti është mosratifikimi i Demarkacionit, kurse të keqen e vitit 2016 e ka vlerësuar mospërmbushjen e planit legjislativ.

Fjalë Kryesore:

Të ngjashme