24 orë në mbrojtje nga Policia, Ramiz Kelmendi flet pasi votoi pro Demarkacionit

Prishtinë | 24 Mar 2018 | 16:18 | Nga

Tri ditë pasi votoi për këtë projektligj, Ramiz Kelmendi po vazhdon të ketë mbrojtje të afërt 24 orë nga Policia.

Kelmendi në një deklaratë për lajmi.net ka thënë se deri më tani nuk ka pasur kërcënime të reja.

Ai tha se “kërcënuesit mund të jenë pajtuar që votimi i demarkacionit ka qenë domosdoshmëri”

“Nuk po shoh kurgjo pasi ende organet e policisë janë në mbrojtje këtu ku banoj për 24 orë, dhe sigurisht po shpresoj që kërcënuesit janë pajtuar se votimi i demarkacionit ka qenë domosdoshmëri për avancimin e Kosovës. Ndoshta i çojnë më duart nga kërcënimet”, ka thënë deputeti i LDK-së.

Kelmendi ka sqaruar se votën e tij pro demarkacionit, vendosi ta japë në momentet e fundit. Duke theksuar se e mori parasysh më shumë përgjegjësinë kolektive, sesa atë individuale.

Ai thotë se do të votonte kundër, nëse do të kishte më shumë deputetë që do ta përkrahnin demarkacionin me Malin e Zi.

“E pashë që mbeta personi i vetëm që erdhi në shprehje vendimi i lëvizjes së lirë të qytetarëve të Kosovës, edhe ra një përgjegjësi shumë më e madhe kolektive sesa një përgjegjësi indidivudale. Pata deklaru që me pas qenë 81 vota nuk e kisha votu, meqenëse isha i 80-ti u detyrova me lëvizë nga fjalët e mia”, ka thënë Kelmendi për lajmi.net.

Biznesmeni nga Peja është shprehur pesimist se marrëveshja e demarkacionit mund të korrigjohet.

Kelmendi ka thënë se hezitimet e tij për ta votuar marrëveshjen, kishin ardhur për dy arsye.

“Nuk muj me thanë që ka me pasë shpresë për korrigjime të mëdha, por mbetet të shihet. Edhe pa marrë parasysh unë kam pasë qëndrim që demarkacioni ka qenë në rregull edhe marrëveshja e kaluar, por kam pasur dyshime për shkak të kërcënimeve, por edhe për shkak se vij nga treva e Rugovës. Jam banor atje dhe nuk kam mundur të sillem në kundërshtim me kërkesat e tyre”, ka thënë ai.

Deputeti i LDK-së pretendon se ndryshimet eventuale të marrëveshjes, do të mund të shkaktonin edhe destabilizim në raportet ndërmjet Kosovës dhe Malit të Zi.

“Nuk besoj se do të ketë lëvizje, edhe pse do të kisha pas dëshirë që ajo të bëhet. Për shkak të gjendjes politike, dhe situatës me Malin e Zi është gati e pamundur për lëvizje të mëdha pasi mund të desbtailizohet edhe Mali i Zi por edhe Kosova”, ka përfunduar Ramiz Kelmendi.

Marrëveshja e demarkacionit me Malin e Zi u ratifikua të mërkurën me 80 vota pro.

Veç Kelmendit, votë vendimtare për këtë marrëveshje dha edhe Adem Hodza, deputeti goran që është pjesë e grupit parlamentar të Listës Serbe.

Fjalë Kryesore:

Të ngjashme