4 persona në gjendje të rëndë nga Coronavirusi në QKUK, 53 të tjerë po trajtohen

Prishtinë | 13 Pri 2020 | 13:50 | Nga Ekonomia Online

Katër pacientë të prekur me koronavirus janë në gjendje kritike në Klinikën Infektive të QKUK-së.

Në Klinikën Infektive të QKUK-së janë duke u trajtuar gjithsej 53 persona të cilët kanë dalë pozitiv me koronavirus.

Infektologu Valbon Krasniqi ka bërë të ditur për Lajmi.net, se nga 53 pacientë, katër janë në gjendje kritike, ndërkaq gjashtë janë me oksigjenoterapi.

“53 gjithsej të shtrirë në Infektivë që janë të konfirmuar. Kemi edhe disa të tjerë që po presim rezultatet. Nga këta 53, 6 i kemi me osigjenoterapi, ndërkohë që 4 pacientë i kemi në gjendje shumë të rëndë. Ata janë në kujdesin intensiv të klinikës sonë dhe ne e vlerësojmë si gjendje kritike të tyre”, ka treguar Krasniqi.

Tutje ai ka bërë të ditur se ka edhe persona të cilët janë duke pritur rezultatet e testeve për COVID-19, mirëpo siç tha Krasniqi, nuk mund të jepen shifra se sa persona, pasi që në vazhdimësi qytetarët vijnë në Klinikë për t’u testuar.

Theksojmë se deri më tani në Kosovë janë 362 persona të prekur me koronavirus, 59 të shëruar dhe shtatë të vdekur.

Të ngjashme