86 prokurorë që do t’i vëzhgojnë zgjedhjet lokale të 22 tetorit

Prishtinë | 19 Tet 2017 | 11:36 | Nga Albulena Avdiu Shkarko Videon HD

Për ta shkarkuar videon ju lutem kyçuni ose regjistroni një llogari të re!

| Regjistrohu

Prokuroria e shtetit ka angazhuar 86 që do të vëzhgojnë zgjedhjet lokale të 22 tetorit. Sevdije Morina, zëvendëskryeprokurore e Shtetit, tha se gjatë tërë procesit zgjedhor duke përfshirë ditën e votimit janë të angazhuar afër 86 prokurorë në 38 komuna, raporton Ekonomia Online.

“Prokurori i shtetit ka caktuar 86 prokuror për ditën e zgjedhjeve të cilët kanë filluar punën që nga dita e parë e fushatës. Ka caktuar një koordinator në nivel të shtetit dhe një zëvendëskoordinator. Një prokuror për ditën e zgjedhjeve. Ka caktuar 7 koordinator për rajonet e Kosovës”, tha ajo.

Morina, thotë se gjatë fushatës prokurorët kanë hetuar katër vepra penale.

“Deri tani këta prokuror kanë marrë informata se janë kryer katër vepra penale që janë kryer gjatë fushatës”.

Edhe Policia e Kosovës ka ndërmarrë masat e për të vëzhguar zgjedhjet. Naim Rexha zëvendësdrejtor i Përgjithshëm i Policisë së Kosovës, tha se i kanë marrë të gjitha masat për të ofruar siguri maksimale.

Rexha tha se në komunat veriore do ketë epike të shtuar të Policisë.

“Të gjitha këto aktivitete janë marrë duke zbatuar ligjin në vend. Shumë aktivitete janë realizuar para fillimit dhe gjatë fushatës. Gjatë periudhës së fushatës numri i incidenteve të regjistruara është 17 në tërë vendin dhe ky numër tregon një fushatë të qetë”, ka thënë ai.

Sipas Rexhës më vlerësim të gjithë së rrezikshmërisë edhe në aspektin gjithëpërfshirës nuk ka shkallë të lartë të rrezikut askund dhe ky është sinjal që policia edhe në ditën e zgjedhjeve do t’i mbuloj të gjitha pikat dhe do të jenë në sigurim të personelit që ka për obligim bartjen e materialit.

Nga lista e të votuesve janë larguar 500 persona të vdekur

Kryetarja e Komisionit Qendror Zgjedhor (KQZ), Valdete Daka, tha se organizimi i zgjedhjeve është një nga proceset më gjithëpërfshirëse në një shtet.

“Pas një angazhimi të tillë, për 4 muaj më radhë, sot mund të themi se Komisioni Qendror i Zgjedhjeve, si institucion i pavarur, ka arritur që të përmbushë detyrimet e veta për Ditën e Zgjedhjeve. Qëllimi ynë është që zgjedhjet të gëzojnë besimin e qytetarëve dhe të akterëve të tjerë zgjedhor”.

“Komisioni Qendror i Zgjedhjeve, sikurse në zgjedhjet e kaluara, edhe në këto zgjedhje, është kujdesur që personat të cilët dyshohen se kanë kryer vepër penale dhe kanë bërë shkelje zgjedhore, të mos përfshihen në Administratën Zgjedhore, si psh në Komisionet Komunale të Zgjedhjeve, në Këshillat e Vendvotimeve dhe në Personelin teknik. Ky është një shembull i KQZ-së që tregon kujdes ndaj procesit zgjedhor”.

Daka tha se nga lista e të votuesve janë larguar 500 persona të vdekur.

“Diku 500 qytetar të vdekur janë larguar nga lista e votuesve, kjo ka ndodhur në mes të dy palë zgjedhjeve periudhe kjo shumë e shkurtë të cilën e kemi pas në dispozicion. Por gjithsesi unë gjithmonë e kam përsërit që të vdekurit nuk munden me votu vetë, që do të thotë dikush voton në emër të tyre dhe ata janë ata që e keqpërdorin sepse vetë fakti që është një emër i një personi të vdekur nuk qon peshë asgjë nëse nuk keqpërdorët emri i tij”, ka ajo.

Ajo tha se rreth 18 mijë janë emëruar edhe Anëtarët e Këshillave të Vendvotimit.

“Komisioni Qendror i Zgjedhjeve ka emëruar edhe Anëtarët e Këshillave të Vendvotimit, rreth 18 mijë të cilët do të punojnë në Ditën e Zgjedhjeve. Ne i bëjmë thirrje secilit prej tyre që të të përmbushin me saktësi detyrimet ligjore, sepse vetëm në këtë mënyrë vullneti i votuesve do të realizohet”.

Ajo ka ftuar qytetarë me të drejtë vote, që të shfrytëzojnë të drejtën e tyre për të votuar.

Derisa janë të regjistruar 1 milion e 890 mijë e 952 qytetarë me të drejtë vote, prej tyre 18 mijë e 11 janë votues të rinj.

Për këto zgjedhje janë certifikuar 91 subjekte politike, nga të cilat 35 parti politike, një koalicion, 30 iniciativa qytetare dhe 25 kandidatë të pavarur dhe 7080 kandidat për asamble, raporton Ekonomia Online.

Zgjedhjet do të vëzhgohen nga rreth 33 mijë e 200 vëzhgues, të cilët përfaqësojnë subjektet politike të certifikuara, OJQ-të vendore, organizatat ndërkombëtare, ambasada, media vendore dhe ndërkombëtare.

Por në veri ato do të monitorohet zgjedhjet do të monitorohen edhe nga OSBE.

Të ngjashme