A do ta përkrahë Limaj dialogun me Serbinë të udhëhequr nga Qeveria e re?

Prishtinë | 01 Dhj 2019 | 16:47 | Nga Ekonomia Online

Albin Kurti ka vendosur të mos bashkëpunojë me NISMA-n, AKR dhe as AAK-në për të ndërtuar Qeverinë. Por, Kryeministri në ardhje po kërkon ndihmën e opozitës në dialogun me Serbinë. Partia e Fatmir Limajt ende s’ka qëndrim nëse do të përfshihet në këtë proces.

Deputeti i Kuvendit të Kosovës nga radhët e NISMAS, Haxhi Shala, ka thënë për Gazetën Express se partia e tij ende nuk e ka marrë një vendim për pjesëmarrje në grupin negociator.

“Ende nuk ka një qëndrim të Nismës rreth çështjes së dialogut, a do të jetë pjesë e bisedimeve apo jo”, ka thënë Shala për Express.

Ai ka theksuar se në ditët në vijim, Nisma mund të ketë një qëndrim rreth përfshirjes apo jo në procesin e dialogut.

“Në ditët në vijim edhe ne do të kemi qëndrimin tonë se si do të sillemi ndaj këtij procesi”, ka theksuar Shala.

Kurti qysh në kohën e fushatës zgjedhore kishte deklaruar se nëse do të jetë kryeministër i vendit, do ta marrë në dorë udhëheqjen e dialogut.

Tani, ai po thotë se do t’i ftojë të jenë pjesë e delegacionit edhe partitë opozitare.

E ftesës së tij për pjesëmarrje të opozitës në grupin negociator deri më tani i është përgjigjur AAK’ja.

Kreu i kësaj partie, Ramush Haradinaj, ka deklaruar se edhe pse do të jenë në opozitë do të përkrahin qeverinë e re në çdo temë të interesit nacional.

Bisedimet e Kosovës me Serbinë janë ngrirë tash e një vit, më saktësisht nga nëntori i vitit 2018 që nga vendosja e taksës 100 për qind ndaj produkteve serbe.

Qeveria e Kosovës kishte vendosur taksën si kundërpërgjigje ndaj politikave të Serbisë dhe Bosnjë Hercegovinës kundër shtetësisë së Kosovës dhe anëtarësimit të saj në organizata ndërkombëtare.

E vendosja e kësaj takse ishte parë nga Beogradi si pengesë edhe për zhvillimin e dialogut. Qeveria e Kosovës kishte thënë se taksa nuk paraqet pengesë për bisedimet, mirëpo kjo ishte bërë për mungesën e gatishmërisë së Serbisë për ta njohur Kosovën si shtet të pavarur.

Tani, taksa i ka mbetur në duar Qeverisë së re. Albin Kurti e ka përmendur si mundësi zëvendësimin e taksës me vendosjen e masës së reciprocitetit të plotë ndaj Serbisë dhe Bosnjë Hercegovinës.

Fjalë Kryesore:

Të ngjashme