A do të jetë kandidat për kryetar të Prishtinës, Besian Mustafa

Prishtinë | 17 Mar 2021 | 12:05 | Nga Ekonomia Online

Kryetari i ri i Lidhjes Demokratike të Kosovës,Lumir Abdixhiku ka një kohë që ishte përmendur si kandidat për kryetar të Prishtinës nga ky subjekt. Megjithatë, pas emërimit në pozitën më të rëndësishme të LDK-së, ai ka thënë se nuk do të jetë i propozuar për kryetar të kryeqytetit. Në opinion po diskutohet tashmë emri i Besian Mustafës si nominim për të garuar në zgjedhjet komunale që mbahen në tetor.

Lumir Abdixhiku, kryetari i ri i Lidhjes Demokratike të Kosovës ka deklaruar mbrëmë në emisionin Pressing në T7 se nuk do të jetë kandidat për kryetar të Prishtinës, ani pse emri i tij ka një kohë që është duke u lakuar në opinon.

Kreu i LDK-së ka thënë se do të donte që të merrej me qytetin, mirëpo, tash detyra e tij është që të punojë për partinë.

“Në momentin që kam vendos me qenë kryetar i LDK-së e kam kuptuar që s’do të jem kandidat për Prishtinë. Jam i përkushtuar vetëm për LDK dhe s’kam detyrë tjetër. Detyra ime është që të merrem me LDK-në. Kjo është detyra ime e vetme, misioni im i vetëm. S’mund të merrem me qytet, do ta doja shumë, si dëshirë, por është e tejkaluar”, tha Abdixhiku.

Derisa Abdixhiku e ka hequr emrin e tij nga gara që ende nuk ka nisur zyrtarisht, në opinion po përmenden edhe emra tjerë si të përshtatshëm për të garuar për kryetar të Prishtinës.

Besian Mustafa, ministër në detyrë në Qeverinë Hoti dhe zëdhënës i LDK-së që po ashtu e udhëheq degën e katërt të Lidhjes Demokratike në Prishtinë është njëri nga këta emra.

Besian Mustafa ka thënë për Express se ky vendim merret nga pesë degët e LDK-së në Prishtinë e miratohet nga kryesia e partisë.

Mustafa ka shtuar se ka kohë të mjaftueshme për t’i diskutuar e miratuar kandidaturat.

“Ky është vendim i pesë degëve të Prishtinës në koordinim dhe miratim të Kryesisë së LDK-së që do të formohet së shpejti. Ka kohë të mjaftueshme për t’u diskutuar kandidaturat konform strategjisë së lidershipit të ri”, ka deklaruar Mustafa.

Besian Mustafa është emëruar Ministër i Bujqësisë që nga koha e koalicionit LDK-LVV. Këtë pozitë i njëjti e ka mbajtur edhe në Qeverinë që po udhëhiqet ende nga Avdullah Hoti.

Në zgjedhjet e fundit për kryetar të LDK-së ai kandidoi për pozitën e kryetarit duke garuar kundër Lumir Abdixhikut e Lutfi Hazirit.

Ai e ka siguruar edhe një ulëse në Kuvend të Kosovës duke marrë gjithsej 9 mijë e 745 vota. Në kryeqytet ndërkaq, Mustafa ka marrë 2 mijë e 653.

Ani pse LDK-ja nuk e ka ende të finalizuar emrin që do ta propozojnë për kryetar të Prishtinës, PDK-ja e ka konfirmuar në këtë pozitë sekretarin e subjektit, Uran Ismailin.

LVV-ja në anën tjetër pritet ta propozojë për kryetarin ish-ministrin e shëndetësisë, Arben Vitinë.

Të ngjashme