A do të ketë koalicion në mes Alternativës dhe Vetëvendosjes, flasin të dy palët

Prishtinë | 12 Gus 2019 | 16:14 | Nga Ekonomia Online

Kryetarja e Alternativës për Kosovën, Mimoza Kusari-Lila, po thotë se ka pasur bisedime me kreun e Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurtin, për një marrëveshje koalicioni në mes të dy partive. Ajo për Gazetën Express ka thënë se partia e saj nuk e ka problem kush do të jetë kandidat për kryeministër, por thotë se koalicion bëjnë me partitë që kanë program të përafërt. Deputeti i VV’së, Rexhep Selimi, ka thënë se partia e tij e vlerëson gatishmërinë e Kusari-Lilës për bashkëpunim

Kusari-Lila ka thënë se diskutimet për një marrëveshje me Vetëvendosjen nuk janë specifikuar nga asnjëra palë, mirëpo tregon se ka qenë gatishmëri e dyanshme që këto dy parti të bashkëpunojnë.

“Ka pasur bisedime, ka pasur potencialisht diskutim për një marrëveshje të mundshme, por nuk është specifikuar as nga ana e tyre as nga ne, nuk ka pasur vendime të organeve të partisë ende dhe ka qenë në trajtim e sipër. Ka qenë një gatishmëri e dyanshme, jemi takuar me Albinin, kemi biseduar disa herë dhe në fund ka qenë një dakordim i përbashkët që mund ta kemi një marrëveshje bashkëpunimi, tash a do të rezultojë në fund me marrëveshje parazgjedhore apo jo, mbetet të shihet, kjo nuk është e definuar ende”, ka thënë Kusari-Lila.

Ndërkaq Lëvizja Vetëvendosje kohëve të fundit është përfolur për një koalicion me Lidhjen Demokratike të Kosovës. Por një pikë që i ndanë këto dy parti është posti i kryeministrit, të cilin secila parti do ta mbajë për vete.

Një gjë e tillë nuk i pengon Kusari-Lilës, e cila thotë se një marrëveshje në mes partive opozitare është vlerë e shtuar për Kosovën. Derisa thekson se më mirë do të ishte të bëheshin koalicione parazgjedhore.

“Sa më tepër bashkëpunim të partive opozitare aktualisht, rreth ose një marrëveshje parazgjedhore ose paszgjedhore është vlerë e shtuar për Kosovën. Është e domosdoshme edhe shumë e rëndësishme që së pari të ketë një dakordim për unitet dhe së dyti një plan të qartë qeverisës me parime dhe politika të cilat duhet të jenë të përcjella me një reformë të thellë të vendimmarrjes në Kosovë. Ne inkurajojmë gjithsesi që të ketë një koalicion më të gjerë të partive opozitare, mundësisht parazgjedhor, duke e marrë parasysh si ndikon tek partitë individualisht, por për Kosovën do të ishte një plus i madh”, ka thënë Kusari-Lila për Express.

Kusari-Lila ka thënë se për partinë e saj është më i rëndësishëm programi me të cilin do të garojnë partitë në zgjedhje, se sa kandidati për kryeministër i këtyre partive.

Ajo thekson se prej kohës kur Ramush Haradinaj dha dorëheqje nga posti i kryeministrit krejt çka po diskutohet në Kosovë janë emrat që mund të kandidojnë për kryeministër, ndërkaq nuk po diskutohen aspak programet politike dhe zbatimin e tyre pas zgjedhjeve.

Kusari-Lila ka thënë se partia e saj nuk është e lidhur pas postit të kryeministrit. Ajo bën të ditur se në momentin kur bëhet koalicion parazgjedhor, nënkuptohet se janë disa vendime të cilat ndërmerren bashkërisht në mes partive të cilat lidhin koalicion.

Ndërkaq deputeti i Lëvizjes Vetëvendosje, Rexhep Selimi, ka thënë për Gazetën Express se partia e tij në vazhdimësi ka pasur bashkëpunim me partitë opozitare, por edhe me Kusari-Lilën për të punuar për ndryshimin.

Ai thotë se VV’ja e çmon gatishmërinë e Kusari-Lilës për bashkëpunim, por thekson se ende nuk janë në fazën ku ka diçka konkrete rreth një koalicioni të mundshëm.

“Ne në vazhdimësi kemi pasur bashkëpunim me spektrin opozitar, por në veçanti edhe me zonjën Kusari-Lila. Në ndërkohë në vazhdimësi kemi bashkëpunuar duke denoncuar të keqen qeverisëse dhe duke punuar për ndryshimin. Zonja Kusari-Lila është e mirëseardhur të bëhet pjesë e ndryshimit. Në si Vetëvendosje jemi gjenerozë për të gjithë ata që e duna ndryshimin, e po ashtu e çmojmë gatishmërinë e zonjës Kusari-Lila për bashkëpunim me Lëvizjen. Nuk jemi në atë faze që të kemi diçka konkerete”, ka thënë Selimi./GazetaExpress

Të ngjashme