A do të marrë pjesë Palmer në takimin Kurti-Vuçiq?

Prishtinë | 04 Qer 2021 | 13:13 | Nga Ekonomia Online

Emisari i Bashkimit Evropian për dialogun Kosovë-Serbi Miroslav Lajçak dhe Zëvendësndihmëssekretari amerikan i Shtetit, Matthew Palmer, kanë zhvilluar takime në Prishtinë dhe Beograd, përgjatë kësaj jave lidhur me procesin e rifillimit të dialogut Kosovë-Serbi.

Gjatë takimeve me krerë shtetëror si në Kosovë ashtu edhe në Serbi, ata diskutuan për  takimin mes kryeministrit Albin Kurti dhe  presidentit serb Aleksandar Vuçiq, që pritet të mbahet në mes të muajit qershor në Bruksel.

Përkundër angazhimit direkt të Amerikës në këtë proces, duket se Palmer s`do të jetë pjesë e takimit të Brukselit.

Këtë e ka konfirmuar për Klankosova.tv edhe Peter Stano, zëdhënësi i Bashkimit Evropian kur është pyetur rreth kësaj çështjeje.

“Kur bëhet fjalë për pjesëmarrësit dialogu i ndërmjetësuar nga BE-ja është një takim mes Presidentit të Serbisë, Kryeministrit të Kosovës (+ delegacionet e tyre) dhe me Përfaqësuesin e Lartë për Politikë të Jashtme dhe të Sigurisë dhe Përfaqësues Special të BE-së për Dialogun”, u shpreh ai.

Stano ka thënë poashtu se data dhe agjenda e takimit të ardhshëm në kuadër të dialogut Kosovë – Serbi do të bëhet publike kur t’i vijë koha.

Të ngjashme