A do t’i mbijetojë taksa Samitit të Parisit?

Prishtinë | 05 Qer 2019 | 21:28 | Nga Ekonomia Online

Kanë mbetur edhe pak javë deri në Samitin e Parisit ku pritet të takohen liderët e Ballkanit Perëndimor.

Në këtë samit do të marrin pjesë edhe kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinaj dhe presidenti, Hashim Thaçi derisa kanë qarkulluar zëra se tarifa prej 100 për qind do të largohet para këtij takimi, shkruan lajmi.net.Tarifa prej 100 për qind për produktet serbe dhe boshnjake e vendosur në nëntor të vitit të kaluar u ka mbijetuar shumë presioneve të BE-së dhe atyre të SHBA-ve.

Dialogu midis Kosovës dhe Serbisë është pezulluar me vënien e kësaj takse e cila sipas qeverisë së Kosovës është kushti për njohje të Kosovës nga Serbia, ndërsa Serbia kusht për rifillimin e dialogut e ka heqjen e kësaj tarife.Lajmi.net ka kontaktuar me ministrin e Tregtisë dhe Industrisë, Endrit Shala për të diskutuar në lidhje me taksën nëse do të largohet ose do të mbetet në fuqi.

Shala është shprehur i vendosur se kjo taksë do të qëndrojë në fuqi derisa nuk eliminohen shkaqet e saj.“Masa e vendosur nga Qeveria e Kosovës do të vazhdojë të mbesë në fuqi derisa nuk eliminohen shkaqet që na kanë shtyrë në marrjen e atij vendimi”, tha Shala për lajmi.net.

Ditë më parë edhe kryeministri Haradinaj ka potencuar se taksa varet nga veprimet e Serbisë, ai ka potencuar se nëse Serbia nuk është e gatshme për njohje, taksa do të qëndroj.“Do të shikojmë nëse Serbia është e gatshme rreth një marrëveshje për njohje, në të kundërt, taksa do të qëndrojë”, tha Haradinaj në konferencën e përbashkët për media me shefen e BE-së në Kosovë Nataliya Apostolova pas pranimit të Raportit të Progresit për Kosovën.

Ndërsa sa i përket takimit të Parisit, analisti Ramush Tahiri është shprehur se do të jetë takim bilateral i nivelit të lartë dhe se Kosovës nuk do t’i kërkohet heqja e taksës.Madje ai beson se në Paris do të vazhdohet dialogu, duke thënë se për taksën nuk vendos Berlini.“Ky është takim bilateral dhe i nivelit të lartë. Nuk besoj që do t’i kërkohet heqja e taksës, sepse edhe SHBA-të dhe Gjermania kanë thënë se ky është vendim sovran i Kosovës. Unë besoj që në Paris do të shkojmë dhe do ta vazhdojmë dialogun, pra nuk është kjo diçka që e vendos Berlini”, tha Tahiri për lajmi.net.

Tahiri gjithashtu u shpreh se kryeministri Haradinaj nuk do të heqë taksën para takimit të Parisit sepse i duhet karshi Vuçiqit.“Kjo është çështje mes Kosovës dhe Serbisë, dhe kryeministri Haradinaj nuk shkon në Paris me taksë të hequr sepse konsiderohet se është i thyer, dhe i duhet karshi Vuçiqit. Pra deri në Paris shkojmë me taksë”, tha Tahiri për lajmi.net.

Në anën tjetër vlen të theksohet se edhe presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi e përkrah fuqishëm mbajtjen në fuqi të kësaj tarife për produktet serbe.Po ashtu është thënë shpesh se mos-dëgjueshmëria e institucioneve të Kosovës ndaj akterëve ndërkombëtarë ndaj kërkesave për heqjen e taksës mund t’i kushtojë Kosovës.

Të ngjashme