A i dërgoi PDK ofertë LDK-së për krijimin e një qeveri të re?! Vjen përgjigja nga PDK

Prishtinë | 24 Kor 2019 | 14:03 | Nga Ekonomia Online

Derisa në opinion publik ka filluar të flitet se Partia Demokratike e Kosovës i ka dërguar një ofertë Lidhjes Demokratike të Kosovës për krijimin e një qeveri të re- teknike, nga partia e Veselit e mohojnë një gjë të tillë.

Është shefi i Grupit Parlamentar të PDK-së, Memli Krasniqi ai i cili ka theksuar për Gazetën Blic se nuk i kanë dërguar askujt kurrfarë ftese.

“Kurrfarë oferte nuk i kemi dërguar askujt”, ka theksuar Memli Krasniqi në një prononcim për Gazeta Blic.

Ai ka theksuar se PDK është duke u përgatitur për zgjedhje të reja, dhe se sipas tij, sa më parë që ato do të mbahen, do të jetë më mirë.

 “Fokusi i PDK-së është tek përgatitja për zgjedhje, të cilat mendojmë se duhet të mbahen sa më parë të jetë e mundur”, tha ai për Gazeta Blic.

Mirëpo, ndryshe nga ai mendon njëri prej njerëzve më me ndikim në PDK, Xhavit Haliti.

Xhavit Haliti, ka shprehur kundërshti me shkuarjen e vendit në zgjedhje të parakohshme, pas dorëheqjes së Kryeministrit Ramush Haradinaj.Sipas Haliti, Kosova nuk përfiton asgjë nga zgjedhjet, përveç humbjes së kohëve ngecjeve në procese nëpër të cilat po kalon vendi.

“Unë mendoj që zgjedhjet mund të bëhen por përveç humbjes së kohe dhe shpenzime dhe ndërprerje të procesit të kryerjes së projekteve, tjetër sukses nuk besoj që do ketë” ka thënë Haliti për Gazetën Blic.

Megjithatë, ai thotë se partia e tij është e gatshme të hy në garë zgjedhore.“Ne si parti jemi të gatshëm që të hyjmë në zgjedhje por jemi të gatshëm që ti shohim interesat e vendit në përputhje me marrëveshjet e mundshme që do të bëhen në negociatat tek presidenti i Kosovës dhe në negociatat shumëpalëshe apo dypalëshe me partitë politike.

Ne kemi përvojën me zgjedhjet e parakohshme që janë mbajtur herën e kaluar dhe gjithmonë kemi thënë se nuk ka zgjidhje pa zgjedhje.

Por secili dikaster, secila ministri dhe secili person që dëshiron ta kryej detyrën e vet që dëshiron të ketë një sukses të vetin duke qenë të zgjedhur, projekti të gjithëve po u ndërprehet në gjysmë.

Gatishmëria e të gjitha partive duke përfshirë këtu dhe Partinë Demokratike të Kosovës për të shkuar në zgjedhje është evidente” ka theksuar ai.

Ndërkohë, Gazeta Blic ka raportuar dje se presidenti Thaçi dhe PDK janë duke u munduar që të mos lejojnë shkaurjen e vendit në zgjedhje të reja.

Fjalë Kryesore:

Të ngjashme