A mund ta çoj vendin në zgjedhje Vjosa Osmani

Prishtinë | 06 Nën 2020 | 16:40 | Nga Ekonomia Online

Veç pozitës së kryeparlamentarës, Vjosa Osmani nga e enjta do ta mbajë edhe postin e ushtrueses së detyrës të Presidentit të Kosovës, shkruan Gazeta Objektiv.

Vjosa Osmani ia zuri ulësen një prej oponentëve të saj politik,  Hashim Thaçit.

Por, cilat janë gjasat që Osmani me pozitën që mori, të shpallë edhe zgjedhje të parakohshme në vend.

Sipas avokatit Mentor Beqiri, ushtruesja e detyrës së Presidentes së Kosovës, ligjërisht nuk mund ta bëj një gjë të tillë.

Beqiri për Gazetën Objektiv ka përmendur tri raste kur mund të shpërndahen Kuvendi i Kosovës dhe të shkohet në zgjedhje.

“Nëse brenda afatit prej gjashtëdhjetë (60) ditësh nga dita e caktimit të mandatarit nga Presidenti i Republikës së Kosovës, nuk mund të formohet Qeveria”, tha Beqiri.

Rasti i dytë kur Osmani mund të shpallë zgjedhje të parakohshme është kur dy të tretat e deputetëve votojnë për shpërndarje të Kuvendit të Kosovës.

“Nëse për shpërndarjen e Kuvendit votojnë dy të tretat (2/3) e të gjithë deputetëve, shpërndarja bëhet me dekret të Presidentit të Republikës së Kosovës”, theksoi më tej Beqiri.

Ai ka sqaruar edhe një mundësi tjetër përmes së cilës Osmani do të mund të marrë një vendim të tillë.

“Nëse brenda afatit prej gjashtëdhjetë (60) ditësh nga dita e fillimit të procedurës së zgjedhjes, nuk zgjedhet Presidenti i Republikës së Kosovës”, tha më tutje Beqiri.

Sipas tij, Kuvendi i Kosovës shpërndahet me dekret te Presidentit, pas mocionit të suksesshëm të mosbesimit ndaj Qeverisë.

Të ngjashme