A mund të ketë përplasje ndërmjet presidentit dhe ekipit negociator?

Prishtinë | 17 Dhj 2018 | 13:52 | Nga Ekonomia Online

Pas miratimit të rezolutës për dialogun me Serbinë, përmes së cilës caktohet edhe ekipi i ri negociator, Kosova do të paraqitet me dy qëndrime në Bruksel. Derisa presidenti Hashim Thaçi, i cili e ka filluar fazën finale të dialogut, po kërkon korrigjim të kufijve, ekipi negociator është kundër kësaj ideje, shkruan gazeta “Zëri”.

Duke folur rreth ekipit negociator për dialogun, politologu Belul Beqaj ka vlerësuar se është formuar një unitet i kundërthënieve.

“Është krijuar unitet i kundërthënieve. Secili mendon se do të përfitojë nga kjo pjesëmarrje. Hashim Thaçi me korrigjimin e kufijve, Ramush Haradinaj me moskorrigjimin e tyre, ndërsa PSD-ja si parti që e ka kredinë e LVV-së dëshiron të dalë në sipërfaqe si faktor shpëtimtar. Përshtypja ime është se askush s’ka hyrë në këtë ekip sinqerisht, por duke kalkuluar në interes politik”, ka theksuar Beqaj.

Ndërkaq Violeta Haxholli, hulumtuese në Institutin Demokratik të Kosovës (KDI) në kuadër të projektit për dialog, për “Zërin” ka thënë se pavarësisht miratimit të ekipit negociator dialogu do të vazhdojë të udhëhiqet nga presidenti Thaçi si udhëheqës i politikës së jashtme sipas mandatit kushtetues.

“Ndërsa ky ekip besoj do të shërbejë më shumë si ekip mbikëqyrës ndaj presidentit Thaçi për t’u siguruar se ai në dialog nuk do t’i kalojë vijat e kuqe, të cilat janë paraqitur në rezolutën e miratuar dje”, ka deklaruar ajo.

Sipas saj, ekipi negociator do ta përfaqësojë Kosovën vetëm në nivelin teknik, përderisa presidenti, siç ajo është shprehur, do ta përfaqësojë Kosovën në nivelin politik.

“Ky ekip besoj do të merret edhe me pjesën e dialogut teknik, ndërsa pres që në nivelin politik do të ketë takime ku do të marrë pjesë vetëm presidenti Thaçi, i cili më vonë do ta informojë këtë ekip lidhur me atë se çfarë është diskutuar sipas vlerësimit të tij dhe se do të mbetet në diskrecionin e tij se çfarë informacionesh do t’i ndajë me këtë ekip”, ka shtuar ajo.

Rrjedhimisht, Haxholli ka vlerësuar se ekipi negociator nuk do t’ia dalë që ta zbehë rolin e presidentit në procesin e negociatave.

Ndërkaq profesor Beqaj ka vlerësuar se zbehja e rolit të Thaçit mund të vijë vetëm në rast se përfaqësuesit e ekipit me të vërtetë janë kundër idesë së “korrigjimit të kufirit”.

“Por mendoj që fundi i bashkëpunimit do t’i përngjajë më shumë pragmatizmit sesa kundërshtimit të kësaj ideje. Kjo do të thotë se ata janë në funksion të asaj ideje e jo në funksion të zgjidhjes në saje të interesave reciproke mes Kosovës dhe Serbisë”, është shprehur Beqaj.

Ndërkohë duke u nisur nga synimet e ndryshme që ekipi dhe presidenti kanë rreth kufijve Violeta Haxholli ka vlerësuar se mes tyre nuk do të mungojnë përplasjet gjatë procesit.

“Pres që mes një pjese të këtij ekipi dhe presidentit do të ketë mospajtime dhe përçarje kryesisht për shkak të veprimeve unilaterale të presidentit për të çuar përpara ide me të cilat ky ekip aktualisht është shprehur se nuk pajtohet”, ka nënvizuar Haxholli.

Fjalë Kryesore:

Të ngjashme