AAK: Demarkacioni mori përgjigjen në konferencën shkencore

Prishtinë | 04 Gus 2016 | 11:35 | Nga

Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës (AAK) vlerëson se versioni aktual i Demarkacionit me Malin e Zi e ka marrë përgjigjen dje në konferencën shkencore. Sipas kësaj partie, tash mbetet që kjo përgjigje të formalizohet edhe me votën kundër të deputetëve në Kuvend.

“Vota kundër që nënkupton mosratifikimin e versionit aktual të kufirit me Malin e zi, shënon edhe fillimin e zgjidhjes së kësaj çështjeje që e ka mbajtur peng vendin për afro një vit:, thekson AAK, në një komunikatë shtypi.

“Demarkacioni me Malin e Zi është një çështje jetike për Kosovën dhe ky proces duhet të zhvillohet me profesionalizëm të plotë dhe në përputhje me standardet dhe me interesat e të dyja shteteve. Ky proces është mbipartiak. Konkluzat e një grupi deputetësh në fund të konferencës së djeshme, mund të jenë një hap fillestar i zgjidhjes së kësaj çështjeje”.

AAK tërheq vërejtjen se çdo përpjekje e presionit mbi deputetë, ose edhe përpjekje për ta kontrabanduar ose blerë votën pro kësaj marrëveshjeje, është papërgjegjësi totale, “e cila druajmë se do të mund të eskalojë në zhvillime të dhunshme”.

Institucionet e shtetit dhe deputetët e Kuvendit të Kosovës, pavarësisht përkatësisë së tyre politike, sot më shumë se kurrë, kanë përgjegjësi që të vihen në mbrojtje të territorit të Kosovës dhe të interesave e të stabilitetit në vend, thekson ky subjekt opozitar.

Fjalë Kryesore:

Të ngjashme