AAK do të votojë kundër martesave brenda së njëjtës gjini

Prishtinë | 23 Shk 2022 | 20:45 | Nga Ekonomia Online

Grupi parlamentar i AAK-së do te votojë kundër miratimit në parim të Kodit Civil, i cili përmban edhe pjesën sipas të cilës do të lejoheheshin martesat brenda së të njejtës gjini.

Kështu ka bërë të ditur deputeti i kësaj partie, Shemsedin Dreshaj, në një postim në Facebook.

“Si përfaqësues të popullit dhe pas kërkesave të shumta që kemi marrë nga elektorati ynë, miratimi i një baze të tillë ligjore, vlerësohet i parakohshëm”, ka shkruar Dreshaj.

Kundër ndryshimit në Kodin Civil, që lejon martesat e gjinisë së njëjtë, kanë dalë dhe bashkësitë fetare të Kosovës.

Në një deklaratë të përbashkët të nënshkruar sot nga Myftiu Naim Tërnava, Ipeshkvi Dodë Gjergji, Femi Cakolli nga Kisha Protestante dhe Votim Demiri nga Bashkësia Hebraike, shprehet shqetësimi lidhur me ndryshimin në Pjesën e Familjes, që “dobëson përkufizimin dhe funksionimin e martesës në Kosovë”.

Më herët, edhe deputetja boshnjake, Duda Balje, ka paralajmëruar se do të votojë kundër ndryshimit në Kodin Civil që lejon martesat e gjinisë së njëjtë.

“Unë si deputete nuk mund të dal kundër fesë të cilës i përkas, principeve në të cilat jetoj e as kundër vlerave familjare me të cilat jam rritur. Prandaj, vota ime do të jetë KUNDËR. Kundër, sepse nuk perketë me kulturen, traditen në të cilën kemi jetuar dhe jetojmë”, ka shkruar Balje.

Shqyrtimi i parë i Projekt-Kodit Civil të Republikës së Kosovës nr. 08/L-124 është në rend të ditës në seancën e nesërme të Kuvendit të Kosovës.

Të ngjashme