AAK e do Haradinajn për president ose zgjedhje, LDK përmend emrin e Isa Mustafës

Prishtinë | 26 Tet 2020 | 20:30 | Nga Ekonomia Online

AAK paralajmëron zgjedhje nëse Ramush Haradinaj nuk bëhet president, fajëson LDK-në nëse vendi shkon në zgjedhje.

Fundjavën që lame pas dolën më në pah mospajtimet mes partnerëve të koalicionit.

Vendimi për zhbërje të taskforcës antikorrupsion u bë arsye e një përplasje në distancë të shtunën mes kryeministrit, Avdullah Hoti e kreut të AAK-së, Ramush Haradinaj.

Por përveç kësaj çështje në të cilën nuk po gjejnë pajtim LDK e AAK, këto subjekte s’po pajtohen as për presidentin.

Anëtari i kryesisë së AAK-së, Rasim Selmanaj bën me dije që nëse Ramush Haradinaj nuk bëhet president, AAK do të dalë prej koalicionit.

Selmanaj tutje komenton dhe polemikën e Haradinajt me kryeministrin Hoti.

Ai thotë që reagimi i partisë së tij është mese i drejtë e i nevojshëm.

Por analisti Rasim Alija më të mundshëm e sheh një president që vije nga Partia Demokratike e Kosovës.

Sipas tij, edhe AAK mund të pajtohet me një president që nuk është Ramush Haradinaj.

Televizioni ka kontaktuar edhe shefin e grupit të deputetëve të LDK-së për këtë çështje, Arben Gashin por ky i fundit ka thënë se nuk ka koment për këtë cështje.

E javën që lamë Presidenti Thaci, kreu i PDK-së dhe ai i AAK-së u takuan në një nga restorantet e kryeqytetit.

E Haradinaj tha se biseduan edhe për cështjen e presidentit.

Kreu i AAK-së takime ka zhvilluar edhe me kreun e LDK-së, Isa Mustafën.

Të ngjashme