AAK-ja e vendosur për mosheqjen e taksës, kërkon realizimin e autostradës së Dukagjinit

Prishtinë | 12 Shk 2020 | 08:24 | Nga Ekonomia Online

Deklaratat e kryeministrit Albin Kurtit për heqjen e taksës dhe për vendosjen e reciprocitetit kanë alarmuar Aleancën për Ardhmërinë e Kosovës.

Grupi Parlamentar i AAK-së ka filluar mbledhjen e nënshkrimeve për ta thirrur një seancë të jashtëzakonshme plenare për ta kundërshtuar heqjen e taksës, si dhe anulimin e tenderit për autostradën e Dukagjinit, shkruan sot Zëri.

Deklaratat e kryeministrit Albin Kurtit për heqjen e taksës dhe për vendosjen e reciprocitetit kanë alarmuar Aleancën për Ardhmërinë e Kosovës (AAK). Dje nga kjo parti u bë e ditur që tashmë veçse kanë filluar mbledhjen e nënshkrimeve për të thirrur një seancë plenare, ku do të kundërshtohet heqja e taksës. Pjesë e bisedimeve të AAK-së për këtë çështje janë bërë edhe partitë e tjera opozitare. Pjesë e shqetësimit të AAK-së u bë edhe paralajmërimi për anulimin e tenderit për autostradën e Dukagjinit. Sipas deputetëve të kësaj partie, projekti për ndërtimin e kësaj autostrade është bërë duke u bazuar në procedura ligjore. Ish-ministri i infrastrukturës Pal Lekaj përgënjeshtroi zërat që projekti i kësaj autostrade është bërë pa ndjekur Ligjin për Prokurim Publik, shkruan tutje Zëri.

Abrashi: Nuk ka pasur shkelje ligjore në projektin e autostradës së Dukagjinit

Deputeti i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Gazmend Abrashi, pas mbledhjes së Grupit Parlamentar të kësaj partie ka theksuar që qeveria e re në krye me Kurtin duhet ta mbajë taksën 100 për qind ndaj produkteve serbe, si dhe duhet të vazhdojë së zbatuari projektin për autostradën e Dukagjinit. “Ne kemi marrë një qëndrim që Aleanca të përdorë të gjitha metodat e saj demokratike, faktike, me argumente, që të mbrojë tezën e taksës dhe tezën e vazhdimit të autostradës së Dukagjinit. Ne mendojmë që kemi shumë argumente dhe do të gjejmë metoda edhe publikisht, edhe nëpërmes organizimit me komunitetin e biznesit, me komunitetin e prodhuesve, por edhe në Parlamentin e Kosovës, për të dhënë argumente të sakta se pse taksa duhet të vazhdojë të mbetet në fuqi”, ka thënë Abrashi pas takimit të Grupit Parlamentar të AAK-së.

Duke folur mbi anulimin e tenderit për autostradën e Dukagjinit, Abrashi theksoi se qytetarët e kësaj pjese nuk duhet të lihen anash dhe pa autostradë. “Diku rreth 630 mijë qytetarë të Kosovës sot jetojnë në atë pjesë, ku është i paraparë ndërtimi i kësaj autostrade. Nuk kemi asnjë arsye për të besuar që këta qytetarë duhet të ndahen nga projektet tjera. Duhet të bëjmë shtytje që kjo Qeveri, e cila vetëm ka paralajmëruar dhe që sot e kësaj dite nuk e di nëse ka marrë vendim, duhet të rrijë përkrahë qëndrimeve të qeverisë paraprake, pra të qeverisë ‘Haradinaj’”, ka thënë ndër të tjera ai.

Të nevojshme ai e ka parë përshtatjen e veprimeve të qeverisë “Kurti” me ato të qeverive të tjera paraprake. “Unë besoj se ne duhet të aplikojmë taksën e asaj që shteti nuk fillon prej një qeverie sot, gjegjësisht qysh nuk ka filluar as prej qeverive paraprake. Ne duhet të kuptojmë që qeveritë e Kosovës duhet të kenë një vazhdimësi para çdo vendimi paraprak që ka të bëjë me autostrada dhe të bëhet një studimi i fizibilitetit ose i parafizibilitetit. Derisa e gjithë Evropa po ndërton vetëm autostrada, duke marrë parasysh që shteti i Kosovës ka treguar një disiplinë jashtëzakonisht të madhe financiare e ku borxhi publik i Kosovës është më i vogli në regjion. Kjo na jep mundësi që të menaxhojmë projekte të mëdha kapitale, qysh i kemi financuar deri më tani”.

Abrashi u shpreh i bindur që në projektin e autostradës së Dukagjinit nuk ka pasur asnjë shkelje ligjore. “Personalisht mendoj që nuk ka pasur shkelje ligjore dhe prandaj sot jemi mbledhur, që në princip të kemi qëndrimin tonë, autostradat duhet të vazhdojnë ashtu siç janë projektuar”, ka thënë ai.

Ndërsa parimi i reciprocitetit, të cilin Kurti po synon ta fusë në vend të taksës ndaj Serbisë, sipas Abrashit as nuk është i qartë si koncept. Sipas deputetit të AAK-së, rreth 80% të marrëveshjeve të arritura mes Kosovës dhe Serbisë as nuk kanë filluar së zbatuari. “Mendojmë që parimi i reciprocitetit për ne është edhe më tej një parim jashtëzakonisht abstrakt. Ende nuk e kemi as të qartë se çfarë nënkuptojmë me reciprocitet. Kosova prej pozicionit që e ka sot nuk ka instrumente politike që të aplikojë parimin e reciprocitetit, pasi ky parim nënkupton se marrëveshjet që i kemi nënshkruar në Bruksel nga viti 2011 e më tutje janë më se 46 marrëveshje e ku rreth 80% e tyre nuk janë aplikuar. Mendoj që taksa ka qenë ajo e cila ka sensibilizuar çështjen e Kosovës dhe vetë fakti që në tavolinë të bisedimeve është kthyer Amerika me ambasadorin Grenell dhe me kancelaren Merkel kemi gjasa që marrëveshja të arrihet gjatë vitit 2020”, ka thënë ai.

Lekaj: Jemi në bisedime me partitë tjera për nënshkrime

Deputeti i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Pal Lekaj, pas mbledhjes së Grupit Parlamentar të kësaj partie i ka përgënjeshtruar pretendimet që dhënia e tenderit për këtë autostradë është realizuar pa procedurat ligjore. “Për sa i përket taksës dhe autostradës, ne si Grup Parlamentar me të drejtë do të kundërshtojmë fuqishëm dhe nuk është e vërtetë që nuk janë ndjekur procedurat sipas Ligjit të Prokurimit Publik. Të gjitha procedurat janë ndjekur. Tetë segmente të autostradës janë duke u punuar dhe ka mbetur segmenti i dytë deri te Dheu i Bardhë, që mendoj se do të kryhet. Nuk ndryshohet bota me ardhjen e një ministri ose të një qeverie, unë mendoj dhe i lutem të gjithë qeverisë ‘Kurti’, të gjithë ministrave që institucionet funksionojnë, do të funksionojnë me ne ose pa ne, kështu që projektet duhet të mbështeten, sepse shkojnë në të mirë të qytetarëve”.

Lekaj njoftoi se deri më tani për thirrjen e seancës plenare janë mbledhur të gjitha nënshkrimet e deputetëve të AAK-së, teksa konfirmoi se janë në bisedime edhe me parti tjera opozitare. “Kur jemi te nënshkrimet, ne jemi në diskutim, por sa i përket Aleancës ne i kemi mbledhur nënshkrimet dhe do të bisedojmë edhe me partnerët tanë në opozitë dhe të thirret një seancë e jashtëzakonshme”, ka thënë Lekaj.

Reshitaj: Qeveria duhet të bëjë politikë me politikanë e jo me qytetarë

Deputetja e AAK-së, Albena Reshitaj, theksoi se është e nevojshme që partitë politike të jenë së bashku dhe të punojnë për të ardhmen e vendit. Duke folur mbi qëndrimet e qeverisë “Kurti” për të hequr taksën dhe për ta vendosur masën e reciprocitetit, Reshitaj theksoi se është e nevojshme që taksa të mbahet. “AAK-ja konsideroj që ka dhe ka pasur gjithmonë guxim për të qëndruar stoikisht ndaj çdo presioni nga kushdo kur është në pyetje e ardhmja dhe interesi i vendit. E gjithë kjo nguti ose kjo vështirësi që po krijohet edhe te qytetarët e vendit, për shkak të një vendimi që e kemi marrë gjatë qeverisjes së kaluar dhe vendosjes së një reciprociteti mendoj se po krijohet nga vetë politika kosovare sesa nga presionet e jashtme”.

Sipas saj, Qeveria duhet të bëjë politikë me politikanët e jo me qytetarët. “Ne duhet të jemi së bashku, të gjitha partitë politike, kur është në pyetje e ardhmja e vendit dhe sa më shumë që të jemi të bashkuar edhe presionet e jashtme do të jenë më të logjikshme dhe do të këtë mundësi të pritjes. Mendoj që duhet të jemi më të sinqertë me qytetarin dhe politikë të bëjmë me politikanë e jo me qytetarë”, ka thënë Reshitaj.


Të ngjashme